30 gusht, 2009
Data 30 gusht shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur. Kjo ditë paraqet një mundësi të mirë për ngritjen e vetëdijesimit për këtë çështje shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme. EULEX-i i kupton vuajtjet dhe ankthin që e ndjejnë familjet të cilat kanë persona të zhdukur dhe gjithashtu e kuptojmë edhe dëshpërimin që e sjell kjo çështje në jetën e tyre. Ne gjithashtu, konstatojmë se pajtimi dhe rindërtimi i plotë i strukturës së një shoqërie nuk mund të arrihet në tërësi derisa përgjigjet lidhur me personat e zhdukur nuk u jepen familjeve të tyre dhe shoqërisë civile.
Për këtë qëllim ekspertët e EULEX-it nga Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore (OMPF), së bashku me kolegët e tyre vendor, janë duke punuar në mënyrë intensive për gjetjen e përgjigjeve rreth kësaj çështjeje jashtëzakonisht të rëndësishme. Ndërlikueshmëria e sfidave përpara nesh e pengon mundësinë tonë për të pasur zgjidhje të shpejta. Megjithatë, EULEX-i që prej se është bërë operacional, ka ndërmarrë veprime të konsiderueshme drejt përcaktimit të fatit të personave që vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur në Kosovë.
Që nga dhjetori i vitit 2008, EULEX-i ka kryer 88 operacione në terren, 45 zhvarrime, ka marrë 405 mostra të eshtrave për analizë të ADN-së, ka zhvarrosur 66 individë, ka kryer 61 vizita në familje dhe familjeve u ka dorëzuar 61 mbetje mortore.