02 mars, 2010
Sot, gjykatësi kryesues i panelit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë vendosi që gjykimin e A.K. të shtyhej deri më 13 prill 2010.
Arsyet e shtyrjes janë si vijon: Gjykata e Qarkut në Prishtinë nuk ka mundur të gjejë zëvendësimin për një anëtar të panelit që ishte i sëmurë, si dhe avokati mbrojtës z. R.K., i caktuar sipas detyrës zyrtare, nuk u paraqit në gjykatë, duke e shkelur me këtë rast detyrën e tij zyrtare.
Fatkeqësisht, kjo tregon dobësinë e vazhdueshme e cila duhet të adresohet brenda institucioneve për sundimin e ligjit nëse Kosova dëshiron t’i arrijë standardet evropiane.
Gjykatësi kryesues ka vendosur që ta caktojë një avokat tjetër sipas detyrës zyrtare, z. M.D. për ta mbrojtur z. A.K.
Sundimi i ligjit në çdo shoqëri bashkëkohore dhe demokratike bazohet në një parim kyç: që secili është i barabartë para ligjit. Askush nuk është sipër ligjit dhe çdo person i akuzuar për ndonjë krim e ka të drejtën e qartë dhe themelore për ta mbrojtur veten në gjykatë. Si çështje parimi, procesi gjyqësor i drejtë ka për qëllim të vërtetojë se a është kryer ndjekja penale në mënyrë të drejtë, pra të vërtetojë para një gjykate të pavarur dhe të paanshme nëse rasti ka peshën e mjaftueshme për ta dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e ndonjë personi.
Lënda e A.K. është trashëguar nga UNMIK-u dhe është një lëndë normale gjyqësore e cila duhet të shqyrtohet si çdo lëndë tjetër. Kjo lëndë, thjesht nuk mund të injorohet nga gjyqësori. Lënda e A.K. është një prej lëndëve të fundit gjyqësore në nivel të Gjykatës së Qarkut që është trashëguar prej UNMIK-ut.
A.K. akuzohet për pjesëmarrje në një turmë njerëzish që ka kryer vepër penale; pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe për thirrje për rezistencë. Këto tri vepra pretendohet se janë kryer gjatë demonstratave që u zhvilluan më 10 shkurt 2007 në Prishtinë.
Prokuroria përfaqësohet nga prokurori vendor i Prokurorisë Speciale (PSRK).