English Shqip / Srpski
 

EULEX shpalosi Raportin e tij të dytë për Programe

04 Qershor, 2010

EULEX-i e shpalosi sot Raportin për Programe 2010 i cili e analizon progresin e arritur nga institucionet kosovare në fushën e sundimit të ligjit gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit nga ana e EULEX-it.

Raporti tregon se është arritur një progres i qëndrueshëm, pozitiv, gradual dhe real. Por, Raporti gjithashtu tregon se problemet e adresuara janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund të ketë përmirësime të shpejta. Sipas Raportit, sfidat kryesore kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Përmirësimet në sundimin e ligjit nuk mund të arrihen për disa muaj. Një gjë e tillë kërkon kohë dhe punë të zellshme, posaçërisht nga institucionet me të cilat bashkëpunojmë”, tha Roy Reeve, zv/shef i EULEX-it.

Raporti e konsideron themelimin e Task Forcës Anti-korrupsion në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) si një hap pozitiv në këtë drejtim. Veç kësaj raporti gjithashtu konstaton progresin e arritur nga Policia e Kosovës në bartjen e përgjegjësisë për mbikëqyrjen e Kufirit të Gjelbër.

Në anën tjetër, raporti ka identifikuar ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në nivele të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. “Kjo ndërhyrje në procedurat gjyqësore civile dhe penale, ka rezultuar në probleme praktike - abstenimi paraprak i gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas për të trajtuar lëndët e ndjeshme.” Në mënyrë të veçuar, raporti konstaton më tej se: ‘ka pasur mungesë të progresit në krijimin e mekanizmave themelor për bashkërendim dhe bashkëpunim mes prokurorëve dhe Policisë së Kosovës, si dhe në mes të prokurorive dhe gjykatave”.

“Ky raport bën që EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës të jenë më transparente dhe llogaridhënëse duke zbatuar mekanizmin e ri të monitorimit i cili përfshin kritere të qarta dhe na obligon për të përmbushur këto kritere”, deklaroi Shefi i Zyrës për Programe në EULEX, Alessio Zuccarini, duke shtuar tutje që pjesëmarrja dhe mbikëqyrja e shoqërisë civile do të kontribuojë gjithashtu në shtimin e llogaridhënies dhe qëndrueshmërisë në përpjekjet reformuese.

Raporti për Programe 2010 bazohet në raportimin e vazhdueshëm 12 mujor nga monitoruesit e EULEX-it që janë të shpërndarë brenda institucioneve të drejtësisë, policisë dhe doganës së Kosovës, në kuadër të zbatimit të Katalogut të Veprimeve MMK. Ky raport paraqet rezultatet konkrete të punës së përbashkët të monitoruesve së bashku me homologët e tyre kudo në Kosovë.

Raporti përqendrohet në mandatin MMA (mentorimi, monitorimi dhe këshillimi) të EULEX-it dhe jo në kompetencat e kufizuara ekzekutive të EULEX-it.

Për më shumë mbi këtë temë, vizitoni faqen: Progresi dhe sfidat në sundimin e ligjit