Gratë në sundimin e ligjit

Nga Marina Mbretërore në Kosovë – përvoja e Kerry Moyes

28 janar 2015

Kerry Moyes ka bërë përparim të madh gjatë shërbimit në Marinën Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar në Belgjikë dhe në Gjibraltar. Interesimi i saj për të drejtën ndërkombëtare e ka inspiruar atë që të vijë në Kosovë. Gjatë një viti e gjysmë të kaluar ajo ka punuar si zyrtare ligjore në Gjykatën Supreme të Kosovës. Por kjo nuk është e tëra: udhëtimi i saj do të vazhdojë meqë ajo do ta lëshoj misionin në fund të muajit mars.

Kjo mund të jetë befasi për ju, por Kerry Moyes nuk është marrë me drejtësi gjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj profesionale. Ajo ka filluar në Marinën Mbretërore si zyrtare për komunikim në degën e luftimit, ku është marrë me komunikimet elektronike. Kerry ka shërbyer në Marinën Mbretërore 20 vjet radhazi, por ajo e dinte që do të dëshironte ta linte shërbimin në një periudhë të caktuar kohore të jetës së saj.

"Kam menduar shumë lidhur me atë që do të doja të bëja dhe e kam shqyrtuar një numër të profesioneve. Por në fund kam vendosur që drejtësia do të ishte fusha në të cilën do të isha më së shumti e interesuar. Kështu që vendosa ta aftësojë veten që të merrem me të." thotë Kerry dhe shton që "Ishte vendim i mirë, i duhur për mua. Nuk mund ta marr me mend që të bëjë diçka tjetër."

Kerry filloi ta studionte drejtësinë me korrespondencë gjatë kohës që ende ishte në Marinë. Kur e la shërbimin, ajo u regjistrua në Kolegjin e Drejtësisë si studente e rregullt për një periudhë një vjeçare për ta përfunduar kursin e praktikës juridike. Pas kësaj, ajo iu bashkua shërbimit të gjykatave si juriste praktikante.

"Gjatë dy vjetëve të parë punoni si juriste me kontratë të trajnimit. Përveç punës suaj të përditshme, duhet po ashtu t'i kaloni disa provime dhe t'i kryeni disa detyra specifike për ta vërtetuar që e keni kryer konsolidimin praktik të asaj që keni mësuar", thekson ajo dhe shton: "Në Mbretërinë e Bashkuar juristët janë të ndarë në dy kategori: "barristers" (avokatë) dhe "solicitors" (avokatë pa të drejtë përfaqësimi në gjykatë). Unë jam e kualifikuar për kategorinë e dytë."

Të dy kategoritë e avokatëve duhet ta kryejnë fakultetin e drejtësisë, por puna e tyre është e ndryshme dhe prandaj trajnimi profesional është ndryshe. Në përgjithësi, kategoria e parë është e vetëpunësuar në 'Oda' dhe e kalon pjesën më të madhe të kohës së tyre duke kryer mbrojtje në gjykatë. Në anën tjetër, kategoria e dytë punon në një varg të gjerë të fushave juridike dhe zakonisht janë të punësuar në firma.

Para se të vijë në Kosovë, ajo ka punuar 7 vjet në shërbimin e gjykatave në Angli si këshilltare ligjore në gjykatën e shkallës së parë e cila është gjykatë themelore në Mbretërinë e Bashkuar. Herë pas here, ajo ka punuar në gjykatat familjare, por pjesën më të madhe të kohës ajo ka qenë e përfshirë në gjykatat penale.

Kur ishte ende në Marinë, ajo u emërua në NATO për 3 vjet dhe filloi të punonte në Selinë Supreme në Mons, Belgjikë. Detyra e saj u përputh me konfliktet e viteve 1991-94 që e shoqëruan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Puna e saj ishte mbrojtja e sigurisë së komunikimit dhe për disa muaj ajo ishte e përfshirë në mbështetjen e operacioneve të NATO-s të cilat kryheshin në atë kohë. Ajo ka qenë e interesuar për Ballkanin që atëherë.

"Po ashtu isha e interesuar që të punojë jashtë vendit dhe qëndrimi në Kosovë i kombinon të gjitha gjërat për të cilat isha e interesuar: Ballkanin, të drejtën ndërkombëtar dhe akoma të praktikuarit e të drejtës penale", thekson ajo.

Në Kosovë Kerry punon në Gjykatën Supreme si njëra prej tre zyrtarëve ligjorë. Përgjegjësia e saj është t'i mbështesë gjyqtarët e EULEX-it dhe ata vendas gjatë gjykimit të lëndëve. Ato janë lëndët që përcillen në Gjykatën Supreme nga gjykatat më të ulëta dhe herë pas here sillen drejtpërdrejt nga personat e dënuar.

"Unë i marr dosjet e lëndëve, i shqyrtojë ato dhe ofrojë hulumtime për çështje të ndryshme ligjore kurdo që nevojitet. E përgatis një përmbledhje të lëndës për gjyqtarët, ua sigurojë të gjitha dokumentet që ju nevojiten dhe nëse ka seancë apo dëgjim i kryej organizimet për to. Përndryshe, do të jetë shqyrtim ndërmjet gjyqtarëve në të cilin marr pjesë po ashtu. Unë zakonisht i përpiloj po ashtu vendimet dhe aktgjykimet, si edhe dokumentet e tjera për aprovimin e gjyqtarëve"." i sqaron Kerry detyrat e saj kryesore në EULEX.

Në Kosovë janë tri shkallë të sistemit gjyqësor. Shkalla e parë janë gjykatat themelore dhe aty vendoset lidhur me rastet. Në gjykata themelore mbahen po ashtu gjykimet si edhe dëgjimet që çojnë tek gjykimet. Pas shqiptimit të dënimit në shkallën e parë, mund të ushtrohet ankesë në gjykatën e apelit. Pastaj vjen shkalla më e lartë, e cila është Gjykata Supreme. Edhe pse këtu në Kosovë ka edhe Gjykatë Kushtetuese, sa i përket marrje së formës së prerë të aktgjykimit, Gjykata Supreme konsiderohet të jetë shkalla e fundit.

Sfida kryesore profesionale me të cilën ajo duhet të ballafaqohet në Gjykatën Supreme është ngarkesa e punës që duhet të procedohet brenda një afati të caktuar kohor. Kerry vëren që në mënyrë që kjo detyrë të ketë sukses, nevojitet shumë kohë dhe përpjekje nga një numër i njerëzve.

"Më pëlqen të punoj shumë ngushtë me gjyqtarët ndërkombëtarë si edhe me ata vendas si edhe me kolegët e mi, zyrtarët e tjerë ligjorë. Kjo është diçka që nuk e kam përjetuar më parë. Nuk kam pasur rast të punojë në raste të mëdha dhe komplekse të cilat marrin kohë", thotë Kerry duke theksuar që kjo është njëra prej përparësive më të mëdha të qëndrimit të saj këtu në Kosovë me EULEX-in.

Kur nuk është duke iu ndihmuar gjyqtarëve të EULEX-it dhe atyre vendas, Kerry është e lumtur kur mund të udhëtojë përreth në disa vende në fshatrat e afërta apo kur ka rast ta njohë kulturën vendase dhe kosovarët.

Megjithatë, sfida më e madhe personale për të është të jetuarit larg nga familja e saj në Mbretërinë e Bashkuar si edhe idetë lidhur me nivelin deri te i cili ajo dhe kolegët e saj mund t'i përmirësojnë gjërat. "Mendoj që shumë njerëz kanë pritje joreale lidhur me atë se sa mund të ndikojnë në ndryshim, kur vërtetë krejt çka mund të bësh është kontributi yt personal i vogël. Por çdo copëz është megjithatë e rëndësishme, sepse çdo copëz e vogël mundet gradualisht të kontribuojë që përmirësimi të lëvizë përpara drejt ndryshimit përfundimtar pozitiv". Sfidë tjetër për Kerryn është: "Nuk ka Starbucks në lagje, diçka nga e cila jam e varur", e pranon ajo duke qeshur.

Pas punës, kur ka pak kohë për vete, ajo përpiqet të shkojë në palestër së paku dy herë në javë, por do të donte të kishte mundësi të shkonte më shpesh. Përndryshe, ajo është duke studiuar nga distanca për magjistraturë në të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare në Universitetin Aberystwyth, Uells.

Vetëm së fundi ka kuptuar që duhet ta lëshojë Kosovën në fund të muajit mars. "Do të më mungojë Kosova", thotë Kerry, "Koha ka kaluar shumë shpejt dhe më kanë mbetur edhe shumë gjëra të cilat ende nuk i kam bërë këtu. Do të më mungoj mjedisi kozmopolit i kësaj përzierjeje të shumë njerëzve të ndryshëm dhe kthimi në Mbretërinë e Bashkuar përsëri do të jetë mjaft i çuditshëm".

Asaj do t'i mungojnë po ashtu edhe Malet e Sharrit dhe Liqeni i Batllavës, meqë këto janë vendet e saj të parapëlqyera në Kosovë. Por kthimi i saj në shtëpi e ka edhe anën pozitive – ajo do të ribashkohet me familjen e saj përsëri.