Aktgjykimi për rastin Drenica 2
Sot, trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë e shpalli aktgjykimin për rastin Drenica 2.
Aktakuza pretendonte ekzistimin e një qendre ndalimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ku, Prokurori pretendon se pjesëtarët e UÇK-së kishin kryer krime të luftës kundër popullatës civile, mes tjerash, duke ushtruar qëllimshëm dhunë, trajtim mizor, rrahje, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës të ndaluar në ambientet e ndalimit të UÇK-së në Likoc, ku të gjitha këto pretendohet se kanë ndodhur në gusht dhe shtator 1998.
Akuzat e parashtruara nga Prokurori ishin për Krime të Luftës kundër Popullatës Civile të parapara dhe të dënueshme sipas Neneve 22 dhe 142 të LPRSFJ (aktualisht të penalizuara sipas Neneve 31 dhe 152 të KPRK), në kundërshtim me Nenin 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës dhe Nenin 4 të Protokolleve Plotësuese II, ku të gjithat janë rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë.
Trupi gjykues vendosi se S.S., J.D., Z.D. dhe I.Th. janë “Fajtorë” për veprën penale Trajtim mizor, torturë dhe trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe i dënoi me shtatë (7) vjet për S.S. dhe me nga gjashtë (6) vjet për të tjerët.
Për veprën e Keqtrajtimit të personave të ndaluar, A.D., B.D., D.D., S.D., F.D., dhe N.D. u dënuan të gjithë me tri (3) vjet burgim.
J.D., Z.D., I.Th. u shpallën "Fajtor" për pikën e akuzës Ushtrim i dhunës, Trajtim mizor, Torturë dhe Trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënuan me dënime prej pesë (5) dhe gjashtë (6) vjet, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej shtatë (7) vjet. S.S. u shpall "Fajtor" për pikën Ushtrim i dhunës, Trajtim mizor, Torturë dhe Trajtim poshtërues dhe degradues ndaj qytetarëve (shqiptarë të Kosovës) dhe u dënua me dënime prej gjashtë (6) dhe shtatë (7) vjet, të përmbledhura në një dënim të përgjithshëm prej tetë (8) vjet.
Gjykata i mori parasysh këto pika të ndryshme të akuzës dhe të dënimeve dhe i shqiptoi dënimet e përgjithshme si në vijim për S.S. (8 vjet), J.D. (7 vjet), Z.D. (7 vjet) dhe I.Th. (7 vjet) burgim.
Të gjithë 10 të pandehurit u dënuan në rastin Drenica 2.
Prokurori e mirëpriti aktgjykimin e Gjykatës, duke e përfshirë Urdhrin e gjykatës për paraburgim, si dhe e vlerësoi guximin e vërtetë dhe të vazhdueshëm të viktimave dhe dëshmitarëve, të cilët i paraqitën dëshmitë e tyre në gjykatë, përkundër sfidave, frikësimit dhe vështirësive të konsiderueshme për ta dhe për familjet e tyre.