Monitorim

Monitorim

Monitorim

Përmes Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Shtylla për Monitorim kryen monitorim të thuktë të rasteve të përzgjedhura ku mbulohet zinxhiri i plotë i drejtësisë penale dhe raste të drejtësisë civile për çështje pronësore dhe të privatizimit. Njësia për Monitorimin e Rasteve përqendrohet në raste të cilat janë trajtuar më parë nga EULEX-i sipas mandatit të tij të mëparshëm që ka përfunduar në mes të qershorit 2018 dhe që më pastaj i janë dorëzuar gjyqësorit vendas, si dhe raste të tjera, përfshirë raste të profilit të lartë, raste të krimeve të luftës, raste të dhunës në baza gjinore, raste të korrupsionit, raste pronësore dhe raste të terrorizmit. Për ta bërë këtë, Njësia për Monitorimin e Rasteve vlerëson funksionimin e sistemit të drejtësisë të Kosovës në aspektin e përputhshmërisë procedurale, juridike dhe të të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistemik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. Nga 15 qershori 2018 deri më 14 qershor 2023, monitoruesit e EULEX-it në drejtësi kanë vijuar 1940 seanca gjyqësore të 330 rasteve aktive penale dhe civile. Ky monitorim i thuktë ka rezultuar në pesë raporte ku janë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për autoritetet e Kosovës me qëllim adresimin e mangësive të identifikuara dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë. Në maj të vitit 2021, Misioni publikoi një raport special për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë. Në vitin 2022 Misioni publikoi raportin special “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë” dhe në vitin 2023, Misioni publikoi raportin “Aplikimi i lirimit me kusht në Kosovë: Gjetje dhe rekomandime”.

Përmes Njësisë së tij Korrektuese, Shtylla për Monitorim po ashtu mbështetë angazhimet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për të zhvilluar një ekip menaxherial profesionist përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Kjo arrihet falë pranisë së rregullt dhe mobile të ekspertëve korrektues të EULEX-it në të gjitha institucionet korrektuese në Kosovë dhe përmes takimeve të shumta me stafin e SHKK-së. Njësia Korrektuese po ashtu ndihmon SHKK-në për rritjen e kapaciteteve të saj për ofrimin e rehabilitimit për të burgosurit, për luftimin e ndërhyrjeve të paligjshme dhe trajtimit preferencial të të burgosurve, dhe për parandalimin e përsëritjes së veprave. Që nga viti 2021 EULEX-i mbështetë edhe Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK).  Nga 15 qershori 2018 deri më 14 qershor 2023, stafi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it kanë kryer mbi 800 vizita në teren nëpër institucione të ndryshme korrektuese dhe nëpër zyra rajonale të shërbimit sprovues, dhe kanë mbajtur me qindra takime me stafin e SHSK-së dhe SHKK-së për të mbështetur menaxhmentin për adresimin e çështjeve strategjike. Po ashtu, nga 15 qershori 2018 deri më 14 qershor 2023, Njësia Korrektuese e EULEX-it ka monitoruar 109 përcjellje për nevoja spitalore të të burgosurve të profilit të lartë.

Përmes Këshilltarëve të Lartë Policorë të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës, Shtylla për Monitorim këshillon Drejtorinë Rajonale Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacionet policore nën komandën e saj për një sërë çështjesh që lidhen me ofrimin e shërbimeve policore, përfshirë për punën policore në komunitet dhe për punën në një mjedis shumëetnik.