Mandati

Mandati

Mandati

EULEX e zbaton mandatin përmes Shtyllës për Monitorim dhe Shtyllës për Mbështetje Operative.

Përmes Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Shtylla për Monitorim kryen monitorim të paanshëm dhe të thuktë të rasteve të caktuara, i cili e mbulon tërë zinxhirin e drejtësisë penale, si dhe të rasteve të drejtësisë civile për çështje të pronave dhe privatizimit, me fokus të posaçëm në monitorimin e rasteve që kanë ndjeshmëri politike, rasteve të natyrës me ndjeshmëri ndëretnike, rasteve të dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore, apo të aspekteve të tjera të të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe pretendimet për shkelje nga policia.

Shtylla për Monitorim po ashtu i përqendron aktivitetet e monitorimit në rastet e caktuara të cilat janë trajtuar nga EULEX-i gjatë mandatit ekzekutiv që ka përfunduar në mes të qershorit 2018 e që më pastaj i janë dorëzuar gjyqësorit vendas.

Përmes aktiviteteve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit nga Njësia Korrektuese, Shtylla për Monitorim monitoron dhe mbështetë Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për konsolidimin e një ekipi menaxhues profesional dhe ndërtimin e kapaciteteve për ofrimin e rehabilitimit të të burgosurve dhe luftimin e ndërhyrjeve dhe trajtimit preferencial të të burgosurve. Njësia Korrektuese e EULEX-it po ashtu i ndihmon Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) për zhvillimin e një qasjeje të strukturuar për rehabilitimin e të dënuarve me kusht me fokusim në parandalimin e përsëritjes së veprave.

EULEX-i ofron mbështetje në teren për SHKK-në dhe SHSK-në përmes pranisë së vazhduar të stafit të EULEX-it në objektet korrektuese dhe zyrat rajonale të shërbimit të sprovimit, me qëllim të monitorimit të trajtimit të të burgosurve dhe të të burgosurve me kusht të cilët janë të cenueshëm dhe të profilit të lartë, kryesisht nga komunitetet joshumicë.

Përmes Këshilltarëve Policorë të EULEX-it në veri të Kosovës, Misioni e mbështetë stabilitetin, përmes monitorimit dhe këshillimit të Drejtorisë Rajonale Veri të Policisë së Kosovës dhe katër stacioneve policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjes që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore në komunitet dhe me qëllim të ndërtimit të besimit në mesin e popullatës dhe për promovimin e stabilitetit.

Funksionet operacionale ndërmerren nga Shtylla e Misionit për Mbështetje Operative, e cila ka kapacitet të mbetur të kufizuar si reagues i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë, ku Policia e Kosovës është reagues i parë i sigurisë, EULEX-i reagues i dytë, dhe Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është reagues i tretë i sigurisë.

EULEX-i gjithashtu e mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europol-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Misioni gjithashtu i ndihmon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin përkatës të Kosovës.

Përveç kësaj, ekspertët forenzik të EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe institucionet të tjera përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshillim për identifikimin e varreve të mundshme klandestine dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë.

EULEX-i vazhdon të ofrojë mbështetje teknike për zbatimin e marrëveshjeve përkatëse nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Misioni vazhdon të menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.