Fillimi  BreadCrumbTrailerMbështetja operative

Mbështetja operative

Funksionet operacionale kryhen nga Shtylla për Mbështetje Operative e Misionit e cila vazhdon ta ketë një kapacitet të kufizuar si reagues i dytë në fushën e sigurisë dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për kapacitetet e Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe të trazirave. Më konkretisht, Njësia Speciale e Policisë së EULEX-it (NJSP), e cila përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë polakë, është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reagimit të sigurisë ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe KFOR-i reaguesi i tretë i sigurisë. NJSP kryen patrullime të përditshme të vëzhgimit dhe merr pjesë rregullisht në stërvitjet për kontrollin e turmave dhe trazirave bashkë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Prej 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021, NJSP ka marrë pjesë në shtatë trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, dy trajnime me Policinë e Kosovës dhe 53 trajnime me KFOR-in. Qëllimi i këtyre trajnimeve është sigurimi i bashkërendimit të papenguar mes të tre reaguesve të sigurisë në rast të ndonjë angazhimi real. 

EULEX-i gjithashtu e mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimin policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Prej 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2021, në EULEX kanë mbërritur 4368 kërkesa, prej të cilave 502 janë në lidhje me shkëmbimin e informatave mes Europol-it dhe Policisë së Kosovës dhe 743 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pajtueshmëri me protokollin për bashkëpunim policor në mes të dy subjekteve. Misioni gjithashtu e lehtëson shkëmbimin e informatave në mes të Zyrave Qendrore Nacionale të Interpolit dhe Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkërendim Ndërkombëtar të Zbatimit të Ligjit nën ombrellën e Zyrës Ndërlidhëse të Interpolit në UNMIK. Prej 15 qershor 2018 deri 14 qershor 2021, pjesëtarët e stafit të EULEX-it të angazhuar në Zyrën Ndërlidhëse të Interpolit në UNMIK kanë marrë 3076 kërkesa.

Misioni, po ashtu, vazhdon ta menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me homologët tanë vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ta përcaktuar fatin e personave të pagjetur duke ofruar ekspertizë dhe këshillim për identifikimin e varrezave të mundshme të fshehta dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë. Nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më 14 qershor 2021, EULEX-i i ka kryer 662 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 172 zhvarrime. Janë identifikuar mbetjet mortore të 470 personave, përfshirë edhe ato të 327 personave të zhdukur.  Përveç kësaj, ekspertët e EULEX-it punojnë së bashku me autoritetet e Kosovës për adresimin e çështjes së rreth 300 mbetjeve mortore në morgun e Prishtinës. 

Ky Mision gjithashtu ju ndihmon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me mbështetje logjistike dhe operacionale në pajtueshmëri me legjislacionin e Kosovës.