Llogaridhënia e EULEX-it

Llogaridhënia e EULEX-it

Llogaridhënia e EULEX-it

Brenda organizatës

Stafi ynë vepron sipas rregullave dhe rregulloreve të brendshme që i mbulojnë detyrat administrative, si pagesat, kërkesat për pushime dhe menaxhimi i performancës. Stafi po ashtu është llogaridhënës ndaj njëri-tjetrit dhe organizatës përmes veprimit dhe sjelljes profesionale drejt njëri-tjetrit dhe gjatë kryerjes së punës. Misioni siguron llogaridhënie përmes auditimeve të brendshme, listave kontrolluese dhe rishikimeve vjetore të performancës.

Llogaridhënia ndaj Bashkimit Evropian, shteteve anëtare, dhe partnerëve në Kosovë

EULEX-i, si mision i themeluar me vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian, është llogaridhënës ndaj BE-së dhe shteteve anëtare të saj. Kjo llogaridhënie ushtrohet përmes një zinxhiri të strukturuar të raportimit, që shtrihet prej Shefit të Misionit te Komandanti i Operacioneve Civile, e gjer tek Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Llogaridhënia financiare sigurohet përmes mbikëqyrjes nga Komisioni Evropian, i cili i mbikëqyrë operacionet financiare të Misionit.

EULEX-i është llogaridhënës edhe ndaj partnerëve të tij në Kosovë, në veçanti institucioneve të sundimit të ligjit dhe publikut të gjerë. Kjo sigurohet përmes angazhimeve të rregullta mes Misionit—posaçërisht Shefit të Misionit—dhe autoriteteve të Kosovës. Tutje, EULEX-i ruan transparencë duke ofruar informata në kohë dhe të sakta për shoqërinë civile, mediat, dhe publikun e gjerë. Faqja e internetit dhe platformat e mediave sociale të Misionit shërbejnë si mjete kryesore për shpërndarjen e këtyre informatave.

Llogaridhënia për sjelljen e stafit

Ndërsa EULEX-i, si misionet e tjera ndërkombëtare dhe diplomatike, gëzon imunitet nga procedurat vendase juridike dhe administrative, kjo nuk i përjashton pjesëtarët e tij nga respektimi i ligjeve të Kosovës. Në rastet kur ndonjë pjesëtar i stafit dyshohet për shkelje të ligjit, imuniteti i tyre mund të hiqet. Në atë rast, ata mund të përballen me procedura civile apo penale—qoftë në Kosovë apo në shtetin e tyre.

I gjithë personeli i EULEX-it i detyrohet Kodit të Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet Civile të CSDP/PPSM të BE-së. Këto standarde vlejnë për sjelljen e tyre profesionale dhe personale brenda dhe jashtë vendit të punës. Mosrespektimi mund të rezultojë në hetime të brendshme dhe masa disiplinore.

Procesi disiplinor dhe ankesat nga publiku

Procedurat disiplinore brenda EULEX-it janë konfidenciale. Bazuar në gjetjet nga hetimet e brendshme, mund të ndërmerren rekomandime apo veprime disiplinore. Ndërsa rezultatet e hetimeve mbeten private, çdo vendim rezultues për personelin e deleguar shkëmbehet me autoritetet relevante kombëtare dhe/apo të BE-së.

Mësoni më shumë rreth Kodit të sjelljes dhe disiplinës për Misionet Civile të PPSM të BE-së dhe Standardet e azhurnuara të përgjithshme për sjellje për Misionet dhe Operacionet e PPSM.

Pjesëtarët e publikut të cilët dëshirojnë të raportojnë shqetësime rreth sjelljes së ndonjë pjesëtari të stafit të EULEX-it mund të shkruajnë email në: info@eulex-kosovo.eu

Mekanizmi i EULEX-it për Llogaridhënie për të Drejtat e Njeriut – Ankesat me pretendime për shkelje të të drejtave të njeriut nga EULEX Kosovo gjatë kryerjes së funksioneve ekzekutive mund të parashtrohen para Panelit Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut (Paneli).

Paneli është organ i pavarur dhe i jashtëm i llogaridhënies i themeluar nga Bashkimi Evropian i cili i kryen funksionet e veta me paanshmëri dhe integritet. Për më shumë shih: www.hrrp.eu