30 gusht 2021
Një bazë e të dhënave për ta lehtësuar hetimin e krimeve të luftës dhe zhdukjeve me forcë është zhvilluar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës, pas disa viteve të bashkëpunimit intensiv. Kjo vegël u mundëson hetuesve që të organizojnë sasi të mëdha të dhënave, të hetojnë raste komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës dhe t'i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale.
Mungesa e një baze të dhënash për ruajtjen, digjitalizimin, lidhjen dhe analizimin e një sasie të madhe të informacionit të përfshirë në dosjet e rasteve që EULEX-i i ka dorëzuar Policisë së Kosovës në vitin 2018 pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të Misionit, u identifikua si një nga sfidat kryesore me të cilat u përball Policia e Kosovës pas përfundimit të procesit të pranim-dorëzimit.
Për ta adresuar këtë nevojë, ekspertët e EULEX-it dhe Policisë së Kosovës punuan krah për krah dhe e ndërtuan një vegël të fuqishme hetimore që e mundëson trajtimin e rasteve komplekse në përputhje me nevojat e policisë dhe me kontekstin hetimor vendas.
“Baza e të dhënave ndihmon në ndërtimin e një rasti nga elementi kryesor i krimit, i cili mund të jetë një vend, një person ose një objekt. Ajo menaxhon një sasi të madhe të dhënash si deklaratat e dëshmitarëve, dëshmitë mjeko-ligjore dhe informacione të hollësishme mbi datat dhe vendet ku janë kryer krimet, si dhe ndihmon hetuesit t’i identifikojnë të dyshuarit dhe t'i lidhin ata me ngjarje të veçanta", tha Roland Burgsteiner, Analist i EULEX-it për krimet e luftës, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e bazës të të dhënave.
Burgsteiner shtoi se baza e të dhënave është në përdorim të plotë dhe tashmë përfshin rreth 400 raste të krimeve të luftës, të cilat u skanuan dhe u futën në të pasi EULEX -i ia dorëzoi këto raste Policisë së Kosovës në vitin 2018.
Duke e falënderuar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda për angazhimin dhe kontributin e tyre, Burgsteiner shtoi: “Ne e mirëpresim veçanërisht faktin që Njësia e Policisë së Kosovës për Krimet e Luftës ka hapur hetime për të gjitha rastet e personave të zhdukur. Shpresojmë që duke i lidhur rastet e personave të zhdukur me hetimet ekzistuese të krimeve të luftës, numri i grave, burrave dhe fëmijëve nga të gjitha komunitetet që nuk janë gjetur ende do të zvogëlohet më tej dhe të afërmit e tyre do të marrin drejtësi dhe dëmshpërblim”.
Përgjatë gjithë këtij procesi, EULEX-i gjithashtu ka përgatitur kurse trajnimi të përshtatura për rreth 20 hetues të Policisë së Kosovës që kanë për qëllim ta ndihmojnë Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës në përmirësimin e kapaciteteve të saj në fushën e ndërtimit të rasteve, administrimit të rasteve dhe analizës së rasteve të krimeve të luftës.
Në Dhjetor 2018, si rezultat i mandatit të rikonfiguruar të EULEX-it, Misioni ua dorëzoi dosjet e rasteve policore, prokuroriale dhe gjyqësore autoriteteve të Kosovës. Sot, EULEX-i e vlerëson funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në aspektin e përputhshmërisë procedurale, ligjore dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë rastet e trajtuara më parë nga EULEX-i deri në qershor 2018 në kuadër të mandatit të të kaluar ekzekutiv të tij. Për më tepër, ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ta përcaktuar fatin e personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varreve të mundshme klandestine dhe zhvarrimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.