17 nëntor 2021
Rëndësia e bashkëpunimit policor ndërkombëtar për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe formave të tjera të krimeve të rënda, si dhe roli i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në këtë fushë ishte fokusi i një diskutimi mes përfaqësuesve të Policisë së Kosovës, EULEX-it, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar, i cili u mbajt më 17 nëntor në Prishtinë.
Gjatë diskutimit, Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit, Major Besnik Sallahu, theksoi: “Bashkëpunimi ndërkombëtar është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë, posaçërisht në fushën e parandalimit të krimit dhe për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të rënda, dhe terrorizmit.”
Policia e Kosovës bën shkëmbimin e informatave me shtete të ndryshme në bazë të marrëveshjeve dypalëshe për bashkëpunim policor, me Ministrinë e Serbisë për Punë të Brendshme përmes EULEX-it, me EUROPOL-in drejtpërdrejtë apo përmes Zyrës Suedeze EUROPOL-SIENA e udhëhequr nga EULEX-i, dhe me Zyrat Qendrore Nacionale të INTERPOL-it përmes Zyrës Ndërlidhëse të Interpolit në kuadër të UNMIK-ut, ku janë të vendosur ekspertë nga EULEX-i.
Duke folur rreth Aranzhimeve të Punës që përcaktojnë marrëdhëniet bashkëpunuese mes autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe EUROPOL-it, e cila hyri në fuqi në korrik 2020, dhe caktimit të ardhshëm të zyrtarit ndërlidhës nga Kosova për EUROPOL-in, Major Sallahu theksoi: “Kosova ka shumë raste për të kontribuar për sigurinë e qytetarëve të saj përmes shkëmbimit të informatave dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë drejtim, marrëveshja me EUROPOL-in na mundëson komunikim të drejtpërdrejtë përmes një kanali të sigurt të komunikimit dhe shfrytëzimin e duhur të zyrtarëve ndërlidhës. Kjo do të rezultojë në komunikim me kohë dhe në bashkëpunim dhe bashkërendim më të mirë të angazhimeve dhe aktiviteteve tona që kanë për qëllim luftimin e të gjitha llojeve të krimeve.”
Vinicio Ceola, Udhëheqës i ekipit të Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, shpjegoi se si EULEX-i bën lehtësimin e shkëmbimit të informatave mes Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Serbisë për Punë të Brendshme me kohë dhe përmes kanaleve të sigurta.
Duke folur për ngritjen e trefishtë të numrit të porosive që janë shkëmbyer – përmes lehtësimit nga EULEX – mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Serbisë për Punë të Brendshme në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, Ceola theksoi: “Ne mund të jemi efektiv në luftimin e kriminalitetit vetëm duke punuar së bashku. Parandalimi dhe luftimi i kriminalitetit është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit të shtuar. Është inkurajuese të shihet një ngritje e tillë e numrit të porosive të pranuara nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Serbisë për Punë të Brendshme.”
EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë punuar krah për krah në trajtimin e formave të shumta të kriminalitetit. Nga viti 2008 deri në qershor 2018, bashkëpunimi i EULEX-it me një sërë akterësh të bashkëpunimit policor ndërkombëtar ka rezultuar në më shumë se 100 arrestime. Më tej, EULEX-i ka organizuar kurse të shumta të trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve dhe vizita studimore për përfaqësues nga Policia e Kosovës, duke përfshirë trajnime për luftimin e trafikimit të mallrave të paligjshme, luftimin e krimeve mjedisore, dhe falsifikimin e valutave. Mësoni më shumë për punën e EULEX-it në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
Shikojeni diskutimin këtu.
Diskutimi i sotëm ishte i pari i një serie të “Bashkëbisedimeve për trashëgiminë e EULEX-it” që ka për qëllim theksimin e kontributit të Misionit në sundimin e ligjit në Kosovë dhe sfidave në të cilat ka hasur EULEX-i gjatë zbatimit të mandatit të tij. “Bashkëbisedimet për trashëgiminë e EULEX-it” do të kontribuojnë në prezantimin e njohurive rreth aktiviteteve të kaluara dhe aktuale të EULEX-it para publikut të gjerë dhe do të përqendrohen në efektin e Misionit tek homologët nga fusha e sundimit të ligjit të cilët kanë marrë më shumë përgjegjësi që institucionet e sundimit të ligjit të bëhen më rezistente dhe më të qëndrueshme përgjatë viteve