Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Kërkimi i personave të zhdukur të Kosovës: Përmbledhje e punës së bërë deri më tani

30 gusht 2022

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Dhunë, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) qëndron pranë familjarëve të 1621 personave të zhdukur të Kosovës të cilët janë viktima të këtij krimi mizor dhe kanë të drejtë të dinë të vërtetën rreth fatit të më të dashurve të tyre.

Që nga fillimi i mandatit e deri më sot, EULEX-i ka punuar pareshtur për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre për një varrim të respektuar dhe dinjitoz.

Ndriçimi i fatit të personave të zhdukur është detyrë e vazhdueshme; që nga viti 2009, Misioni ka kryer gjithsej 692 operacione në teren për gjetjen e personave të zhdukur, që përfshijnë 188 zhvarrime. Mbetjet mortore të 480 individëve janë identifikuar, përfshirë 332 persona të zhdukur. Gjatë periudhës gusht 2021 - gusht 2022, ekspertët e EULEX-it morën pjesë në 21 operacione në teren, që kanë përfshirë nëntë zhvarrime. Kjo ka rezultuar në identifikimin e tre personave të zhdukur. Aktualisht ekspertët e EULEX-it janë po ashtu duke punuar me autoritetet e Kosovës për rishikimin e të gjitha mbetjeve mortore njerëzore që janë të ruajtura në morgun e Prishtinës, si dhe të dosjeve të ndërlidhura.

Për ta vështirësuar kërkimin e personave të zhdukur dhe për t’i fshehur provat, kryerësit e atyre krimeve i kanë fshehur trupat në varre të vogla klandestine apo edhe nëpër varreza. Numri i trupave të zhvarrosur në pesë varreza është i paraqitur në vijim:

Varreza

Numri i trupave të zhvarrosur

Varrezat e myslimanëve në Mitrovicën Veriore

89

Varrezat ortodokse në Arbëri (Prishtinë)

81

Varrezat e Prizrenit

77

Varrezat në Shirokë

59

Varrezat myslimane në Arbëri (Prishtinë)

49

 

Pas luftës në Kosovë, ekspertë forenzikë ndërkombëtarë dhe vendas kanë gjetur numër të konsiderueshëm të personave të zhdukur në lokacione të ndryshme në Kosovë dhe Serbi, si në vijim:

Lokacioni

Numri i trupave të zhvarrosur

Brekoc

121

Çikatovë e vjetër 

112

Rakosh

97

Qirez

96

Studime e epërme

93

Korishë

72

Suhodoll i Poshtëm        

70

Çikatovë e vjetër (1)       

68

Makoc                 

63

Shudoll

61

Krushë e madhe              

58

Rudnicë                               

54

Suharekë

54

Çikatovë e vjetër (2)       

50

Kizhevak

7

 

EULEX-i është i përkushtuar të vazhdojë ofrimin e kontributit thelbësor për kërkimin e personave të zhdukur nga koha e luftës në Kosovë dhe pas tij. Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë bashkë me homologët vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur përmes ekspertizës dhe këshillave për identifikimin e varrezave të mundshme klandestine dhe zhvarrimin e identifikimin e viktimave.