11 maj 2023
Më 11 maj, 24 xhandarë italianë dhe 10 lituanezë të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) morën medaljen për shërbim në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), e cila jepet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së të gjithë grave dhe burrave të merituar që shërbejnë në misione të ndryshme të CSDP-së në mbarë botën.
Ceremonia për ndarjen e medaljeve për shërbim u organizua nga Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark në selinë e këtin Misioni në Prishtinë, në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Burime të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, Komandantit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it, Kolonel Ruggiero Capodivento, si dhe përfaqësuesve të organizatave të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë.
Në fjalimin e tij kryesor, Shefi i EULEX-it i falënderoi Italinë dhe Lituaninë për ofrimin e disa prej policëve më të mirë për këtë zbarkim. “Prania e tyre sot këtu demonstron gatishmërinë tuaj për ta mbështetur sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Wigemark, duke shtuar: “Do të gaboja sikur të mos e falënderoja Poloninë për kontributin e saj të përhershëm në Njësinë e Policore të Specializuar të EULEX-it. Kontigjenti nga Polonia që shërben për shumë vite në Kosovë është një kujtesë e përditshme e përkushtimit të vendit tuaj për sigurinë në Kosovë dhe në rajonin e gjerë”.
Wigemark e vlerësoi kontributin e NJPSR-së për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, veçanërisht gjatë një sërë momentesh të rëndësishme, pikërisht në veri të Kosovës në fund të vitit 2022. “Angazhimi dhe profesionalizmi juaj, dëshmitar i të cilit kam qenë edhe vetë në shumë raste, kanë bërë një ndryshim të vërtetë, ndërsa shërbimi juaj është një dëshmi e vlerave të paqes, sigurisë dhe drejtësisë. Të shërbesh në një mision të CSDP-së siç është EULEX-i kërkon guxim, qëndrueshmëri dhe përkushtim. Ju e keni përmbushur mandatin tuaj me nder dhe profesionalizëm, në një mjedis sfidues larg familjeve, miqve dhe njerëzve tuaj të dashur”, tha Wigemark.
Xhandarët e shpërblyer janë pjesë e NJPSR-së të siguruar nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR). Ata zbarkuan përkohësisht në Kosovë në nëntor 2022 me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it.
NJPSR përbëhet nga 24 xhandarë nga Karabinieria italiane dhe 10 xhandarë lituanezë dhe ka punuar krah për krah me NJPS-në e EULEX-it, e cila aktualisht përbëhet nga 101 policë të dërguar nga Polonia. NJPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, që është pjesë e një mekanizmi tre nivelësh të reagusve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i është i treti. Qëllimi kryesor i saj është që ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Nga data 14 mars deri më 15 korrik 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca e siguruar nga EUROGENDFOR.