30 gusht 2023
Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajcak, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog dhe Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX ), Giovanni Pietro Barbano, bëjnë thirrje për përparim të dukshëm në ndriçimin e fatit të 1616 personave të zhdukur, të cilët janë ende të zhdukur në Kosovë, duke njohur plotësisht të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për të ditur të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u dakordua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur dhe për të rritur bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe kryerjen e gërmimeve”, tha Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajcak. Ai shtoi se Deklarata mëton të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur. Kjo parashikon krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK-ja.
Duke ofruar mbështetjen e tij për familjet që ende presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, theksoi rëndësinë e të siguruarit që zëri i familjeve të personave të zhdukur të dëgjohet. “Për të vënë anëtarët e familjes në ballë të këtij diskutimi dhe për të rritur vetëdijen publike për këtë çështje të ndjeshme, BE-ja ka financuar një projekt të suksesshëm, të zbatuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, së bashku me Kosovo 2.0, që po ashtu rezultoi me një raport që është publikisht i qasshëm, që fokusohet në sfidat e gjetjes së personave të zhdukur. Përveç kësaj, BE-ja ka ofruar edhe një sërë kursesh trajnimi që synojnë ngritjen e kapaciteteve të stafit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, institucion kyç për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe ka siguruar edhe pajisjet e nevojshme për operacionet e tij.
Shefi i Misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, vuri në dukje se ekspertët e Misionit vazhdojnë të punojnë së bashku me palët homologe kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varrezave të pashenjuara dhe zhvarrosjen e identifikimin e personave të zhdukur. “Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione terreni për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, duke ku përfshihen 339 persona të zhdukur. Mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t'u dhënë përgjigje familjarëve të personave të zhdukur.”