25 nëntor 2015
Si pjesë e mandatit të tij për ta mbështetur Doganën e Kosovës, Sektori për Fuqizim i EULEX-it e ka organizuar një seminar njëditor më 25 nëntor 2015 në Prishtinë. Po ashtu, gjatë seminarit u lansua një fushatë sensibilizuese për ta theksuar rrezikun që përbën blerja e mallrave të falsifikuara ndaj shëndetit dhe sigurisë.
Peter Carson, Këshilltar i EULEX-it për Procedura Doganore dhe Auditim pas Zhdoganimit, e theksoi rëndësinë e seminarit të sotëm dhe të fushatës sensibilizuese: Zvogëlimi i rrezikut ndaj shëndetit dhe sigurisë kur blihen mallrat e falsifikuara është shumë i rëndësishëm. Përveç që është në interes të shëndetit publik, kjo po ashtu ka edhe pasoja në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Prandaj, mbrojtja e patentave, markave tregtare dhe dizajnit industrial përmes të drejtave të autorit dhe duke e sensibilizuar opinioni e gjerë lidhur me rreziqet për shëndetin janë çështjet kryesore me prioritet për Kosovën dhe EULEX-in.
Deri tani Doganat e Kosovës ka konfiskuar mallrat mbi vlerë 8 milion euro të cilat kanë qenë në shkelje të pronësisë intelektuale (IPR). Raporti i progresit ka identifikuar në fushën e IPR-it që Doganat dhe institucionet tjera përgjegjëse duhet të punojnë më shumë, prandaj edhe sot Doganat në bashkëpunim me EULEX-in ka organizuar këtë punëtori ashtu që të përgatitet agjenda e punës dhe të gjitha institucioneve bashkërisht të koordinohen në luftimin e kësaj dukurie, tha Lulzim Rafuna Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
EULEX-i do të vazhdojë bashkërendimin me Doganën e Kosovës për ti arritur dhe zbatuar praktikat më të mira evropiane.