08 mars 2017
Sot, EULEX-i i bashkohet shumë njerëzve në mbarë botën në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Ne e shfrytëzojmë këtë mundësi për t’i kremtuar të arriturat e grave dhe duke e theksuar moton e këtij viti ‘Bëhu e guximshme për ndryshime’ ne i inkurajojmë ato të gjitha që të ndihmojnë në krijimin e një bote më të mirë të punës me përfshirje gjinore më të madhe.
Si një mision për sundimin e ligjit, detyra kryesore e EULEX-it është fuqizimi i institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, duke siguruar përputhshmërinë me standardet e njohura ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropiane. Ka kohë që kur shtetet anëtare të BE-së janë zotuar për ta mbështetur Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e cila bën thirrje për pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë dhe përfshirje të grave në të gjitha përpjekjet për ta ruajtur dhe promovuar paqen dhe sigurinë. EULEX-i tashmë e ka bërë këtë zotim për t’i përfshirë të drejtat e njeriut, si dhe perspektivën dhe standardet për çështjet gjinore në të gjitha aktivitetet e tij, qofshin ato të natyrës së brendshme apo të jashtme.
Prej vitit 2015, EULEX-i e ka krijuar rrjetin e pikave të kontaktit për çështje gjinore (PKGJ), i cili funksionon si një mekanizëm i brendshëm për t’i identifikuar dhe adresuar çështjet ku ekziston mos barazia gjinore apo kur gjinia duhet të bëhet perspektivë e domosdoshme në veprimet tona të brendshme dhe të jashtme. Ne tashmë i kemi parë rezultatet e kësaj, pasi që funksionalizimi i strukturave të PKGJ-së është përshëndetur kohëve të fundit nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë si një ‘praktikë e mirë’.
“Perspektiva gjinore kërkon vëmendjen e udhëheqjes si dhe të secilit pjesëtar të personelit të Misionit. Për këtë ne e kemi ndërtuar strukturën e Pikave të Kontaktit për çështje Gjinore, si mekanizëm për ta përmirësuar punën tonë të përditshme në aspektet gjinore,” thotë zj. Papadopoulou.
EULEX-i është plotësisht i përkushtuar që t’i përkrah edhe kolegët vendas në përmirësimin e barazisë gjinore, e cila është një prej kritereve të Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës.
Janë shënuar përmirësime pozitive në qasjet ndaj grave në Kosovë dhe ekzistojnë iniciativa të shumta që merren me sensibilizimin lidhur me çështjet e barazisë gjinore në shtëpi dhe në jetën publike, siç është kuota prej 30% e pjesëmarrjes së femrave në parlamentin e Kosovës, sa për ta përmendur një shembull në këtë drejtim. Megjithatë, duhet të bëhen edhe më tej përpjekje për të siguruar që gratë të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, zotimi ynë është ‘Bëhu e guximshme për ndryshime’, ndërsa e pranojmë që të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut, si dhe angazhohemi për të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë.