Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

Takimi i Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit mbajtur në Prishtinë

29 maj 2018

Prishtinë, 29 maj 2018 - Sot, Shefja e Zyrës së BE/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalija Apostolova, Shefja e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me Kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe Kryetarin i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, mbajtën një takim të Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit.

Gjatë prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2018, Shefja e Zyrës së BE/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Natalija Apostolova, tha se Kosova ka bërë përparim në shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe vlerësoi Ministrin e Drejtësisë, si dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilat së bashku me institucionet e tjera të Sundimit të Ligjit e kanë bërë të mundur këtë. Ajo vuri në dukje se çështje të tjera të tjera ende kanë nevojë për koordinim të mëtutjeshëm. Ajo gjithashtu theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfidë kryesore për Kosovën.

Shefja e Zyrës së BE/PSBE, Natalija Apostolova, gjithashtu përgëzoi institucionet e Kosovës për përpjekjet që kanë bërë në zbatimin e prioriteteve afatshkurtra dhe afatmesme të parapara në Axhendën Evropiane të Reformave, në kuadër të komponentës "Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit".

"Ajo që mbetet për t'u bërë në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave në lidhje me pezullimin dhe heqjen e zyrtarëve publikë, përkatësisht të paditur dhe të dënuar për korrupsion", tha Apostolova. "Dispozitat ligjore të nevojshme për ata që janë dënuar, janë futur në Kodin e ri Penal, i cili tani është para Kuvendit të Kosovës. Kam mësuar gjithashtu se dispozitat përkatëse ligjore për pezullimin e zyrtarëve publikë nën hetim do të futen në Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili aktualisht është duke u rihartuar. Ne mezi presim të shohim miratimin me shpejtësi të të dy kodeve nga Kuvendi i Kosovës".

 

Shefja e EULEX-it, Aleksandra Papadopoulou u përqendrua në procesin e integrimit të drejtësisë në Kosovën e veriut, që ka filluar në tetor të vitit 2017. Ndërsa lavdëroi suksesin e procesit të përgjithshëm, Papadopoulou theksoi se: "Gjykata Themelore e Mitrovicës kërkon forcim të mëtejshëm nëpërmjet masave që synojnë tejkalimin barrierave gjuhësore ndërmjet stafit gjyqësor serb të Kosovës dhe shqiptar të Kosovës, si dhe përmes planeve të veprimit për të trajtuar ngarkesën e madhe të rasteve me të cilat përballet Gjykata e formuar rishtazi". Ajo gjithashtu lavdëroi Kosovën për përparimin e bërë në zbatimin e udhërrëfyesve të BPKSL, të dakorduar bashkërisht midis EULEX-it dhe homologëve lokalë për të matur hapat që duhen ndërmarrë për të siguruar qëndrueshmërinë lokale, veçanërisht në kohën kritike kur EULEX-i është duke u larguar gradualisht nga disa fusha kyçe të sundimit të ligjit.

"Nxjerrja e vendimeve që janë pezull dhe e aktgjykimeve që kanë të bëjnë me Panelin e Apelit të AKP-së për palët që banojnë jashtë Kosovës, siç është iniciuar së fundmi, është një arritje e rëndësishme. Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme aktualisht është duke u ndryshuar, duke shënuar një hap tjetër të rëndësishëm në sigurimin e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së punës së Gjykatës", tha Papadopoulou". Megjithatë, ne nuk mund të ndalemi këtu. Kosova ende duhet të miratojë Strategjinë Kombëtare për Krimet e Luftës, e cila është hartuar kohët e fundit. Përveç kësaj, ne i bëjmë thirrje Institutit të Mjekësisë Ligjore të bëhet një institucion plotësisht funksional i udhëhequr nga një Drejtor i ri që do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe i mbështetur nga rregulloret e duhura".

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri shpjegoi masat e ndërmarra nga Ministria e tij për të forcuar kornizën legjislative që synon parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai në rend ët parë vuri në dukje paketën e ligjeve të hartuara për luftën kundër korrupsionit, si dhe ligjeve të tjera të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave. "Korrupsioni është një fenomen që është vështirë të adresohet dhe në të njëjtën kohë problem që nuk mund t’ia lejojmë vetes ta injorojmë. Është me rëndësi të madhe ta luftojmë atë për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të krijuar një rrugë solide drejt ndërtimit të së ardhmes sonë evropiane. Është punë që nënkupton përgjegjësi të madhe, të cilës kjo Ministri e Drejtësisë, si një entitet ekzekutiv, iu ka qasur shumë seriozisht", - tha Tahiri. "Pezullimet dhe largimet e zyrtarëve publikë që akuzohen dhe/ose janë dënuar për korrupsion adresohen përmes Projektkodit të ri Penal dhe do të përpunohen më tej përmes Projektkodit të Procedurës Penale".

Ministri Tahiri më tej deklaroi se kushtet që dalin nga Agjenda Evropiane e Reformave janë përmbushur dhe Ministria e tij është në proces të adresimit të të gjitha rekomandimeve që ofrohen përmes Raportit të KE për Shtetin. Ai gjithashtu shpjegoi se janë bërë përpjekje të mëtejshme për luftimin e korrupsionit dhe përmbushjen e kushteve të mbetura për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim ai theksoi në radhë të parë procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, që ka filluar në prill, i cili do të jetë i dobishëm si mjet për plotësimin e mangësive brenda sektorit të sundimit të ligjit, duke përmirësuar kështu sistemin e drejtësisë në Kosovë.

 Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tregoi se "Raporti i Shtetit 2018 për Kosovën është një tregues kyç në matjen e progresit të institucioneve kombëtare në përmbushjen e reformave të lidhura me Evropën. Ai konfirmon progresin që Kosova ka arritur në disa fusha të politikave, por gjithashtu e bën të ditur se ka nevojë për të avancuar më tej këto reforma të rëndësishme". Kryetari Idrizi shprehu angazhimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të përmbushur detyrimet e mbetura të gjyqësorit lidhur me trajtimin në kohë dhe me efikasitet të rasteve të korrupsionit që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave si dhe kriterin e mbetur për liberalizim të vizave.

Nga ana e tij, kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, i informoi anëtarët e BPKSL për progresin e arritur kohët e fundit nga sistemi prokurorial në Kosovë, me theks të veçantë në aktivitetet e planifikuara për përmirësimin e mëtejshëm të administratës nëpërmjet legjislacionit sekondar, projekt-strategjive dhe politikave përkatëse. "Këshilli do të përqendrohet në proceset e rekrutimit të stafit profesional, si dhe në rekrutimin, transferimin dhe promovimin e prokurorëve, me fokus të veçantë në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK)".

Në fund, Shefja e EULEX-it, Aleksandra Papadopoulou, njoftoi se raporti i përbashkët për progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, Raporti Kompakt i Progresit 2017-2018, do të publikohet në shtator 2018 gjatë takimit tjetër të BPKSL, që do të organizohet nga EULEX-i.