Më 18 gusht 2020, Kosovo 2.0 e ka publikuar intervistën Një-me-një me Shefin e Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark. Në këtë intervistë të gjerë, Wigemark flet lidhur me punën e këtij Misioni sot, marrëdhëniet profesionale afatgjata me homologët vendas dhe për atë se e ardhmja është përfundimisht në duart e popullit.
Lars-Gunnar Wigemark: E ardhmja është tekefundit në duart e njerëzve
Kreu i ri i EULEX-it flet për misionin sot, vizionin e ri dhe kolonializmin.
Diplomati suedez i shkolluar në
Harvard Lars-Gunnar Wigemark ishte gazetar në vitet e 80-ta para se ta
zgjedhte shtegun e diplomacisë. Në janarin e këtij viti, ai u bë kreu i
ri i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Edhe pse EULEX-i është në Kosovë tash
e më se një dekadë, shumë qytetarë dinë relativisht pak për agjencinë
më të madhe ndërkombëtare në vend, e cila në raste të ndryshme është
akuzuar për mungesë transparence dhe llogaridhënieje.
Mandati i tij u zgjat për një vit në qershor, por për shkak të pandemisë nuk ndodhën këshillimet ose
bisedimet e zakonshme për kushtet. Kështu, mandati u zgjat me kushtet
ekzistuese përmes një shkëmbimi letrash mes Ministrit të BE-së për Punë
të Jashtme Josep Borrell dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Para zgjatjes, Zyra e Presidentit la të nënkuptohet se nuk kishte më nevojë për EULEX-in dhe ngriti pyetje për natyrën e mandatit dhe shkallën e fuqisë së EULEX-it.
Tash, EULEX-i vepron kryesisht si mision mbikëqyrës.
EULEX-i ka pasur mandat ekzekutiv
gjatë dekadës së parë në Kosovë pasi kishte marrë përsipër shumë
funksione të sundimit të ligjit nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në
Kosovë (UNMIK) në vitin 2008. Në kulmin e tij, EULEX-i kishte më se
3,000 anëtarë stafi dhe pushtet të gjerë gjyqësor, por ka ndryshuar
dukshëm gjatë viteve. Tash punëson vetëm rreth 450 njerëz (ka
autoritetin të ketë 503 anëtarë stafi) dhe nuk ka më gjykatës ose
prokurorë pas përfundimit të dorëzimit të dosjeve të rasteve tek autoritetet kosovare në dhjetor të vitit 2018.
Tash është zvogëluar në mënyrë të theksuar dhe vepron kryesisht si mision mbikëqyrës. Sidoqoftë, rreth 100 zyrtarë policorë polakë janë të gatshëm për mbështetje të sigurisë në qoftë se kërkohen nga
Policia e Kosovës. EULEX-i mbështet Departamentin e Kosovës për Kufi,
sistemin e burgjeve, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe mbikëqyr raste
dhe gjykime të caktuara. Po ashtu jep mbështetje praktike për dialogun
Kosovë-Serbi si dhe lehtëson shkëmbimin e informatave mes institucioneve
të Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it dhe Ministrisë së Brendshme të
Serbisë.
Sipas Wigemark-ut, roli i EULEX-it është ende i nevojshëm sepse “Kosova akoma ka nevojë për një auditor”.
Në sytë e një suedezi, Kosova nuk
është rast unik. Më herët, ai ka punuar për katër vjet e gjysmë si kreu i
Delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë dhe si Përfaqësues i
Posaçëm i BE-së në Bosnjë e Hercegovinë, ku, sipas tij, ekzistojnë shumë
probleme të njëjta.
Ai po ashtu ka punuar në Ambasadën
Suedeze në Beograd në fillim të viteve të 90-ta, gjë që e ka mundësuar
ta vizitojë Kosovën në vitin 1992, një përvojë që i jep një këndvështrim
të rrallë të jashtëm për Kosovën atëbotë dhe tash.
Foto nga EULEX.
Ne folëm me Wigemark-un në mars, pak
para se të mbërrinte pandemia në Kosovë dhe kur ai kishte nisur punën
vetëm para disa muajsh, dhe vazhduam në korrik. Në këtë bashkim të dy
intervistave, Wigemark diskuton për atë se çfarë është EULEX-i sot,
vizionin e tij për këtë mision dhe perceptimin e disa qarqeve se misioni
është pjesë e kolonizimit të Kosovës.
K2.0: Ju e njihni mirë rajonin sepse paraprakisht keni kaluar kohë në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Lars-Gunnar Wigemark: Po, kam
qenë atje për katër vjet e gjysmë dhe mendoja se ishte puna më
interesante që kisha bërë. Tash jam në Kosovë dhe vërej që nganjëherë
kthej kokën nga përvoja në Bosnjë e Hercegovinë, por më thonë të mos
tërheq shumë paralele mes Bosnjës dhe Kosovës.
Por, sa i përket sundimit të ligjit
dhe pozitës së vendit në shtegun e integrimit evropian, mendoj se ka
ngjashmëri. Jo vetëm mes këtyre dy vendeve por edhe me pjesët e tjera të
Ballkanit Perëndimor. Dhe besoj se kjo duhet të shihet në një kontekst
rajonal, nëse shqyrtohet mënyra e zgjidhjes së krimit të organizuar ose
korrupsionit, ose për sundimin e ligjit në përgjithësi.
Si Bashkim Evropian, ne përpiqemi ta
kemi një qasje rajonale. Për shembull, mund ta dini se krimet e luftës
kërkojnë qasje rajonale.
Nëse shtetet e ndryshme që ishin
pjesë e ish-Jugosllavisë nuk bashkëpunojnë në fushën e krimeve të
luftës, atëherë nuk mund [ti ndjekësh penalisht rastet]. Nuk mund të
shkosh në fund dhe nuk mund t’i ndjekësh të gjithë kriminelët sepse
shumë prej tyre kanë ikur dhe janë kthyer në vendet e tyre përkatëse —
ose nuk ka tagër, ose në rastin e Kosovës nuk mund të gjykosh persona në
mungesë.
Sidoqoftë, kjo së shpejti mund të ndryshojë në Kosovë, pra gjyqet mund t’i gjykojnë njerëzit në mungesë…
Mendoj se do ta mirëprisnim një
ndryshim të ligjit. Mendoj se kjo duhet të jetë më lart në agjendën e
kuvendit, për ta rregulluar këtë kërkesë [të gjykimit] në mungesë në
mënyrë që të kemi diçka që do të mund ta zhvillonim. Mendoj se do të
ishte shumë mirë për Kosovën dhe tërë rajonin, dhe vetëm bashkëpunimi na
mundëson të merremi me mosndëshkimin për krimet e luftës.
Siç thashë, ka lloje të tjera të
krimeve. Nëse, për shembull, do ta rrokësh krimin e organizuar, qartazi
ka shumë lidhje në secilën anë të kufijve.
Shumë njerëz do të pyesnin: Përse është EULEX-i ende këtu? A ka më nevojë për të në Kosovë?
Mendoj se EULEX-i ka ndryshuar dhe ka
evoluar ndër vite, dhe qëllimi natyrisht nuk ka qenë kurrë ta
zëvendësojë gjyqësorin vendor, ose të veprojë pavarësisht nga gjyqësori i
vendit ose nga institucionet lokale të sundimit të ligjit.
Në retrospektivë, jam i sigurt që
shumë gjëra ka mundur dhe është dashur të bëheshin ndryshe. Në
përgjithësi, mendoj që është lënë një trashëgimi e caktuar sa i përket
ndihmës për të vendosur dhe për të ndërtuar policinë në mënyrë që ajo të
jetë më profesionale dhe e pavarur.
Kuptoj se është bërë shumë punë.
Vërtet ishte një situatë ku janë ndërtuar institucionet nga zeroja,
sidomos pasi Kosova shpalli veten të pavarur.
Dhe besoj se këtu, EULEX-i ka luajtur
një rol shumë të rëndësishëm. Nuk ishim kurrsesi aktorët e vetëm.
[Fillimisht] kishte shumë fokus te prokurorët dhe gjykatësit — sipas
mendimit tim, mbase pak më shumë sesa që duhej. Kështu mbeti në hije
fakti se është bërë shumë punë për ta mbështetur policinë dhe për ta
ndërtuar një polici më profesionale.
Nuk bën që të huajt të vijnë dhe ta kenë këtë lloj qasjeje koloniale.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se
policia këtu është e përsosur, por pa dyshim është më e mirë sesa ka
qenë. Para dhjetë vjetësh na është dashur ta ndërtojmë një sistem
doganor nga zeroja. Dhe tash, ai siguron, më duket, 60% të buxhetit
shtetëror; dhe nuk kam dëgjuar askënd që thotë se nuk duhet të ketë
doganë dhe polici.
Pra, a mund të përmirësohen këto
shërbime? Po, natyrisht. Për këtë arsye po vazhdojmë të punojmë në këto
fusha, po punojmë me policinë.
Ende kemi një numër këshilltarësh për
mbikëqyrjen e policisë nëpër vend, përfshirë veriun. Punojmë në veçanti
me drejtorinë rajonale të veriut por edhe këtu në Prishtinë dhe kudo
tjetër, dhe punojmë me një zinxhir të tërë lokal që fillon me hetimet
policore dhe mbulon çdo gjë nga teknikat e mjekësisë ligjore te çështjet
gjinore.
Tash po bëjmë shumë mbikëqyrje
rastesh bazuar në përvojën tonë me EULEX-in dhe përvojën që kemi
ndërtuar gjatë mandatit ekzekutiv. Dhe personalisht besoj se kjo është,
në një mënyrë, qasje më e efektshme. Pse? Sepse ne nuk marrim vendime —
duhet të ketë pronësi lokale.
Foto nga EULEX.
Kam bindje të fuqishme për këtë
bazuar në përvojën time në vende të tjera, përfshirë atë në rajon, por
edhe në vendet e tjera që kanë kaluar këtë lloj shndërrimi të madh.
Pse? Sepse nuk mund t’i imponosh
gjërat. Nuk bën që të huajt të vijnë dhe ta kenë këtë lloj qasjeje
koloniale. Besoj se me konceptin modern të sundimit të ligjit dhe besoj
se përvoja e Bashkimit Evropian shfaq këtë edhe me vendet e tjera që ose
janë integruar tashmë si anëtare të Bashkimit Evropian, ose janë në
shtegun drejt BE-së — dhe Kosova pa dyshim gjendet në këtë shteg — ka
ende gjëra që duhet të bëhen.
Kosova është vetëm 12 vjeçe. Kjo e bën adoleshente sa i përket ekzistencës së saj.
A mund të na tregoni historinë e zgjatjes së mandatit sivjet?
Ishte një periudhë para shkëmbimit të letrave kur mandati i EULEX-it kishte mbaruar shkurtimisht.
Pikësëpari, po, ndodhi një shkëmbim
letrash me pëlqim të të dyja anëve që tash është miratuar. Për shkak të
pandemisë, të dyja anët pranuan ta vazhdojnë punën si zakonisht. Është
thuajse një vazhdim i letrave të vitit 2018 [mandatit dyvjeçar] për 12 muaj, sepse nuk patëm mundësi t’i zhvillonim diskutimet e hollësishme për fushëveprimin e saktë të aktiviteteve.
Mendoj se njerëzit që thonë se
mandati thjesht ka të bëjë [me shkëmbimin] e letrave janë të gabuar. Ne
vërtet konsiderojmë se misioni ka një mandat, i cili ka origjinën në
Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe faktin se kemi
trashëguar detyra të caktuara në fushën e sundimit të ligjit — ne
thuajse morëm përsipër shumicën e përgjegjësive të UNMIK-ut në vitin
2008. Atëbotë po ashtu ekzistonte edhe një vendim i Këshillit Evropian.
Kosova është nikoqire. Nuk duam të jemi këtu për t’i imponuar gjëra Kosovës.
Një seri letrash u bë pjesë e
rrëfimit për herë të parë në vitin 2012. Me sa kuptoj, ato ishin në
veçanti për adresimin e çështjes së rolit të prokurorëve dhe të
gjykatësve të EULEX-it dhe të disa pyetjeve që ishin shtruar, dhe pastaj
çdo dy vjet kishte shkëmbime letrash. Dhe këto janë bërë faktorë të
rëndësishëm në evoluimin e misionit. Natyrisht, ne parapëlqejmë ta kemi
këtë shkëmbim letrash me Kosovën.
Pse? Sepse Kosova është nikoqire. Nuk
duam të jemi këtu për t’i imponuar gjëra Kosovës, dhe për këtë arsye në
vitin 2018, i tërë mandati ekzekutiv në gjyqësor është ndërprerë.
Dhe ka pasur ndryshime të tjera. Tash
kemi këtë rolin mbikëqyrës dhe mentorues. Sa i përket gjyqësorit, ne
kemi mbajtur disa detyra, por është tranzicion. Tranzicioni ekzistonte
më parë.
Ne duam të jemi këtu aq gjatë sa kemi
dobi dhe gjërat që mund të trajtohen nga autoritetet kosovare duhet të
merren përsipër nga Kosova.
Kishte disa komente nga zyra e Presidentit Thaçi lidhur me atë që Kosovës më nuk i duhet EULEX-i.
Me sa kujtoj, nga fundi i qershorit,
kur diskutimi për shkëmbimin e letrave ende vazhdonte, zyra e tij kishte
bërë disa komente në media lidhur me mandatin.
Mandati nuk pritet [automatikisht].
Dhe besoj se kjo është ajo që ka shkaktuar shumë hutim. Përpiqemi ta
zgjidhim atë, ta sqarojmë, pa e nënçmuar shkëmbimin e letrave sepse e
dëshirojmë [shkëmbimin e letrave].
Megjithatë, kjo mori më shumë kohë
sesa prisnim. Por kishte shumë gjëra të ndërmjetme nga fundi i majit.
Ishte një situatë shumë serioze në Kosovë, kishte shumë pyetje rreth
ndryshimit të qeverisë; në fund erdhi vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e
rregulloi atë. U miratua qeveria e re, kishim pandeminë që vazhdonte.
Ka qindra, në mos mijëra raste që mund të ndikohen nga kjo.
Dhe natyrisht, ne vazhduam punën
gjatë kësaj periudhe. Në fakt kemi ruajtur gjendjen e punës gjatë kësaj
periudhe [pandemike]. Jam krenar për këtë. Që ia dolëm ta vazhdojmë
punën. Natyrisht, ne i bëmë të gjithë hapat parandalues. Por njësiti ynë
policor i huaj ishte këtu.
Vazhduam mbikëqyrjen e gjyqësorit,
edhe pse kishte shumë seanca të shtyra, por prapë ishim në kontakt me
gjyqësorin. Shprehëm shqetësimin tonë për faktin se është një ambiguitet
në Kodin e Procedurës Penale, i cili thotë se nëse nuk mbahet seancë
dëgjimore për një rast në gjykatë penale përgjatë tre muajve, ka mundësi
që i gjithë procesi duhet të nisë rishtas.
Këtë e kemi ngritur në prill, me
Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Shpresoj që ky ambiguitet mund të ndreqet
me një version të ri të Kodit të Procedurës Penale. Dhe tash po e
mbikëqyrim këtë me shumë kujdes. Në fakt krejt varet — në secilin rast —
nga ajo se për çfarë mund të pajtohen palët dhe gjykatësi. Por do të
ishte humbje e madhe për efikasitetin.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për rastet që i mbikëqyrim. Ka qindra, në mos mijëra raste që mund të ndikohen nga kjo.
Buxheti juaj është zvogëluar për 9% këtë vit. Çfarë mendoni për këtë?
Mendoj se është bërë në bashkërendim
të afërt me ne — BE-ja kërkoi një buxhet prej nesh. Po i bëjmë disa
reduktime sa i përket stafit, në veçanti stafit ndërkombëtar. Pra, jo
shumë anëtarë vendas të stafit do t’i humbin vendet e punës.
Dhe këtë e bëjmë për të qenë më
efikasë, sepse ky ka qenë dhe vazhdon të jetë mision i madh. Dhe thjesht
vendosëm ta shohim këtë me shumë kujdes. Nisëm ta bënim një pasqyrë dhe
shqyrtim të aktiviteteve të misionit, duke besuar se do të ndodhte një
diskutim i mirëfilltë në pranverë, gjë që, siç thashë, mbeti në pritje
për shkak të pandemisë.
Por sidoqoftë, në atë proces kuptuam
se duhet t’i bëjmë disa kursime. Nuk mund ta përligjim [mbajtjen e
buxhetit të njëjtë] — dhe nuk do të bëhem shërbyes civil ose burokrat që
gjithmonë mundohet të thotë, “Dua më shumë e më shumë e më shumë”.
Foto nga EULEX.
Secili duhet t’i vlerësojë tërë këto
para që po shpenzohen; tash, të gjitha qeveritë, kudo në Evropë dhe në
botë — buxhetet do të jenë shumë, shumë të tkurrura. Buxhetet tashmë
janë shpenzuar dhe qeveritë po përpiqen të ngrenë fonde. Do të ketë më
pak, mendoj, për të gjithë.
Pra të gjithë do të kthehemi nga
shpenzimet, dhe në këtë klimë të thuhet “Jo, jo, jo, jo, duhet ta mbajmë
po të njëjtin [buxhet] ose madje pakëz më shumë” [do të ishte e
gabuar].
Di për organizata të tjera
ndërkombëtare ku njerëzit thjesht mbajnë atë që kanë. Mendoj që është e
gabuar. Duhet ta përligjim ekzistencën tonë këtu po ashtu sa i përket
asaj se çfarë përfitojnë taksapaguesit e BE-së nga ky mision.
A ka mbështetje të fortë për misionin në Bruksel?
Do të thosha më të fortë se kurrë.
Ishte shumë e qartë, patëm një diskutim të mirë. Mund të them me plot
gojën se ishte mjaft mbresëlënëse që të gjitha shtetet anëtare — 27 sa
janë — shprehën shumë mbështetje për misionin.
Dua të kthehem te një pikë që përmenda më herët, dhe është diçka
që nuk e kam dëgjuar shumë nga diplomatët ose njerëz që vijnë të punojnë
këtu, e kjo ka të bëjë me atë që EULEX-i shihet si kolonialist ose që
kryen akte koloniale.
Ne jetojmë në një botë shumë të ndryshme, një botë globale. Nuk mund t’i mbyllim kufijtë dhe të fshihemi pas mureve të larta.
Është një lloj tjetër i demokracisë.
Mendoj se po përpiqemi të pajtohemi me teknologjinë dhe zhvillimi i
njerëzve është shumë i ndryshëm nga ai i breznisë sime dhe të rinjve në
Kosovë. Jam i impresionuar vetëm nga disa muaj që kam qenë këtu dhe nga
qëndrimi im në gusht të vitit 1992.
Kosova ishte, në njëfarë mënyre, një
koloni brenda ish-Jugosllavisë. Dhe nuk besoj që dikush do të donte ta
shihte një përsëritje të asaj. Pra kur u themelua EULEX-i në fillim —
mendoj që nisi të veprojë në vitin 2009 — në retrospektivë më mirë do të
kishte qenë të punohej prej fillimit me ekipe të përbashkëta të
hetimeve me gjyqësorin vendas këtu dhe me panele të përbashkëta të
gjykimeve.
Çfarë mund të bëjmë është të japim mbështetje. Por nuk mund ta luajmë rolin ekzekutiv.
Ajo duhet të kishte ndodhur që nga
fillimi, jo vetëm nga viti 2014 kur i tërë mandati u ndryshua dhe u
rikonfigurua. Ky ishte rezultati i saj, por në pesë vitet e para u
vendos një lloj strukture paralele. Nuk besoj se ishte qëllimi aty. Por
kjo ndodhi, për ta përshkruar me terme më konkrete.
Por kur them se nuk duhet ta kemi një
qasje koloniale, ky është proces që çdo shoqëri duhet ta kalojë, dhe
njerëzit në Kosovë nuk duhet të presin që dikush nga jashtë do të vijë
dhe të merret me punët kët dhe të kujdeset për sundimin e ligjit. Çfarë
mund të bëjmë është të japim mbështetje. Dhe si Bashkim Evropian, këtë e
bëjmë. Por nuk mund ta luajmë rolin ekzekutiv.
Mendoj se u orvatëm ta bënim këtë në
Kosovë me sukses të kufizuar por me dështime dhe pritjet ishin shumë të
larta, dhe nuk besoj që ia dolëm mjaft. Nuk kishte mjaft transparencë
për atë se çfarë mund të bënte misioni atëkohë dhe çfarë ishte misioni
atëkohë.
Nuk ishte kurrë një mandat i plotë ku
EULEX-i kishte gjykatat e veta që do t’i zëvendësonin plotësisht
gjykatat e brendshme. Por ishte një sistem paralel gjatë viteve të para,
por mandej bazuar në atë përvojë u formuan panelet dhe hetimet e
përbashkëta.
Tash kemi dalë në një fazë tjetër nga
viti 2018 ku nuk japim më aktgjykime por vetëm këshillojmë, mbikëqyrim
dhe mentorojmë, dhe këto s’janë vetëm fjalë. Do të ishte kënaqësi për
mua t’ju ftoja ju dhe disa kolegë tuaj të takoni dhe t’i dëgjoni disa
nga mbikëqyrësit e rasteve ndonjëherë.
Ata mund ta shpjegojnë shumë më mirë
se unë, sepse jam ende i ri. Nuk jam ekspert por besoj se ata mund të të
tregojnë në hollësi përse është vështirë të kesh gjykime të drejta dhe
të paanshme në Kosovë. Përse ka ende probleme dhe prapë, disa nga këto
probleme nuk janë unike për Kosovën.
Shoh shumë paralele nëpër rajon. Pra
kjo jashtëzakonshmëri është diçka që unë nuk e pranoj dhe kam thënë
gjithmonë në Bosnjë e Hercegovinë, të mos e lëmë këtë vend si sui generis.
Po, secili vend është unik, ka rrënjët e veta e kështu me radhë, por ka
shumë paralele. Duhet t’i kërkosh këto paralele dhe rregullohet
mbështetja që mund ta japim ashtu si duhet.
Sa i përket policisë, në Kosovë mbizotëron një opinion i mirë për këtë institucion. Por ka pasur probleme, dhe kemi parë disa të
tilla të profilit të lartë në kohën e fundit. Si mund të përmirësohen
ato? Sidomos në rastet që lidhen me gjininë?
Po bëjmë gjëra sikur fushata jonë
“Speak Up On Time” (“Ngrit Zërin Me Kohë”) ku kemi përdorur kolegë nga
shtetet anëtare që kanë përvojë në hetimet dhe metodat e mjekësisë
ligjore, t’ua shpjegojnë të rinjve në shkolla — të cilët kanë mundur të
jenë viktima të dhunës seksuale — rëndësinë e ruajtjes së dëshmive kur
dhunohen fizikisht.
Kjo është një temë e vështirë dhe e
ndjeshme. Por jam krenar që kemi një program të tillë që ishte nismë e
kolegëve të mi të misionit, i bazuar në përvojat lidhur me tabutë që
përfshihen, dhe po punojmë me kontekstin e përgjithshëm të ngritjes së
vetëdijes.
Cilat janë problemet nëse ndjek masat
ligjore për t’u marrë me dhunën dhe krimet seksuale? Mendoj se duhet të
dalim me një varg përfundimesh dhe rekomandimesh. Kam marrë pjesë në
disa orë trajnimi vetë, ku kemi pasur dy zyrtarë policorë tanë, një grua
nga Gjermania dhe një burrë nga Austria, të cilët trajnuan dhe ndanë
përvojën e tyre, e cila nuk është aq e ndryshme prej asaj që ndodh në
Kosovë.
Ke dhunë familjare kudo në botë dhe
është diçka që kurrë nuk mund ta mënjanosh, pra varet nga ajo se si
merresh me të, pra kur një zyrtar policor mbërrin në skenën e krimit dhe
ka dhunë dhe dikush troket në derë.
Foto nga EULEX.
Çfarë të bësh, si të merresh me këtë
situatë konkretisht? Mora pjesë në një trajnim për nja dy orë. Nuk e
kisha planifikuar, por në vend se të jepja një fjalim të bukur dhe të
ikja [u përpoqa] të kuptoj se çfarë donin të ndanin policët tanë me
Policinë e Kosovës.
Po ashtu besoj se në raportin tonë të
radhës të mbikëqyrjes që do ta publikojmë, do të jetë një pjesë për
rastet e dhunës gjinore ku do t’i theksojmë disa nga përvojat dhe disa
vërejtje që mbikëqyrësit dhe vëzhguesit tanë i kanë identifikuar.
EULEX-i është këtu tash e më se 10 vjet duke e trajnuar policinë.
Me madhësinë e vogël të Kosovës, si është ndikuar raportimi në zonat
rurale, sidomos për çështjet gjinore?
Kemi bashkëpunuar me FBI-në në të
kaluarën. Hetuesit e EULEX-it dhe të FBI-së kanë punuar me Policinë e
Kosovës për të trajnuar rreth intervistimit të rasteve të dhunës
familjare, dhe kemi punuar me OKB-në dhe UN Women. Kemi pasur trajnime
të ndryshme për prokurorët që janë marrë me krimet e luftës, të cilët i
janë nënshtruar dhunës gjinore dhe seksuale, etj.
Edhe diçka tjetër, kemi mbikëqyrës
policorë që punojnë në ekipe të lëvizshme dhe shkojnë në stacione lokale
policore për ta ndihmuar policinë atje, dhe kjo është një nga çështjet
me të cilën merren dhe janë të gatshëm të japin këshilla për trajtimin e
dhunës gjinore.
Ke të drejtë, është pakëz sikur
pyetja se si të merresh me korrupsionin në një shoqëri të ngushtë ku
njerëzit nuk janë mjaft të hapur. Megjithatë, më duhet të them, se paku
këtu në Prishtinë dhe mbase në qytete të tjera, njerëzit janë të gatshëm
ta ngrenë zërin për këto pyetje dhe kjo më jep kurajo.
Paraardhësi juaj ka thënë se nuk kishte mjaft njerëz që ishin të
gatshëm të flasin për korrupsionin këtu dhe se sistemi i drejtësisë ka
nevojë për më shumë njerëz që ngrenë zërin. A do të pajtoheshit me këtë
apo jo?
Mendoj se liderët politikë ose
liderët fetarë, dhe kemi njerëz në mediat sociale — nëse ata ngrenë
zërin dhe i inkurajojnë të tjerët të flasin, atëherë besoj se kjo do të
ndihmonte.
Besoj se mund të shohësh probleme me
korrupsionin në secilin vend. Kur isha në Bosnjë e Hercegovinë para dy
vjetësh, kishte demonstrata të mëdha në Rumani kundër zbutjes së
legjislacionit antikorrupsion; qindra e mijëra njerëz dolën në rrugë dhe
demonstruan në mënyrë paqësore. Familje të tëra demonstruan në mënyrë
paqësore, dhe pastaj nxora një Tweet që thoshte, “Kur do të ndodhë kjo
në BeH?”
Kur njerëzit kanë probleme në shtetet
tona anëtare ata mund të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të
efektshme dhe kanë bindjen se nuk do të ketë dhunë. Pse? Sepse tash janë
pjesë e Bashkimit Evropian; tash janë pjesë e diçkaje që është më e
madhe se vetja e tyre.
Nuk mund t’iu lihet vetëm liderëve politikë; të gjithë njerëzve u takon t’i thonë jo kësaj sjelljeje.
Pra, asnjë vend nuk është i lirë nga
kjo. Asnjë vend nuk është i lirë nga korrupsioni. Mendoj se shumica e
njerëzve në Kosovë do të donin të jetonin në një vend ku çdo lloj
korrupsioni është përjashtim dhe jo normë. Por do të kishin frikë ta
ngrinin zërin dhe ta kundërshtonin haptazi dhe më parë do të rrinin të
heshtur, përveç nëse ka mjaft njerëz që çohen dhe thonë jo. Nëse ke
mjaft prokurorë që guxojnë të bëjnë ndjekje penale, pastaj prapë mund ta
shohim këtë.
Shteti im i Suedisë është dashur t’i
ndërrojë të gjitha procedurat e prokurimit kur u bë pjesë e BE-së. Pra
kjo është Suedia, një shtet që nuk njihet për korrupsion, ndoshta nuk e
kërkonim atë, ndoshta ka pasur ambiguitete, ndoshta ato ambiguitete nuk
ekzistojnë më. Nuk mund ta heqësh një herë e mirë, të duhet një kornizë e
mirë ligjore.
Kryesisht, mendoj se Kosova ka një të
tillë. Kanë ligjet dhe procedurat, kanë disa nga mjetet, kanë Agjencinë
Kundër Korrupsionit e kështu me radhë, por kjo nuk mjafton. Është
çështje e perceptimit, çështje e vetëbesimit dhe e njerëzve që çohen në
këmbë, dhe kjo natyrisht është përgjegjësi e tërë shoqërisë. Nuk mund
t’iu lihet vetëm liderëve politikë; të gjithë njerëzve u takon t’i thonë
jo kësaj sjelljeje, qoftë gjë e vogël a e madhe lidhur me fondet.
Për fund: keni qenë këtu në gusht të vitit 1992. Cilat janë përshtypjet tuaja prej atëherë dhe tash?
Punoja në Ambasadën Suedeze në
Beograd. Kisha ardhur si pjesë e misionit të OSBE-së sepse Suedia ishte e
ashtuquajtura Kryetare e Zyrës së OSBE-së. Kishim ardhur këtu për të
parë nëse mund ta hapnin një zyrë të OSBE-së në Prishtinë, dhe po ashtu
do të hapeshin dy zyra në Sanxhak dhe në Vojvodinë për ta vëzhguar
situatën e përgjithshme me pakicat.
Atëkohë, shqiptarët e Kosovës ishin
minoritete në ish-Jugosllavi, në kuptimin që nuk ishin në një pozitë
dominuese që mbajnë tash në Kosovë ku ka minoritete të tjera, përfshirë
boshnjakët e kështu me radhë.
Takuam njerëz të ndryshëm dhe
përfaqësues të shoqërisë civile. Po ashtu patëm një takim me Ibrahim
Rugovën i cili ishte në thelb të qëndresës paqësore kundër autoriteteve
jugosllave. Çfarë më kujtohet është një Prishtinë e zymtë ku njerëzit
dukeshin të shtypur dhe mendoj se ishin vërtet të shtypur.
Më kujtohet takimi me zotëri Rugovën,
i cili ishte mjaft i zbehtë dhe pinte shumë cigare. Kishte shallin e
njohur rreth qafës. Pavarësisht nga këto, ai kishte karizëm dhe fliste
me një bindje të qetë, sikur isha në praninë e dikujt që është shtypur
dhe ka vuajtur shumë por është i bindur nga idetë e veta.
Duke e shikuar nga ai këndvështrim,
mendoj që Kosova ka ecur shumë përpara. Nuk ka qenë rrugë e lehtë, por
sipas meje, pas 20 ose 30 vjetësh… kjo tingëllon si kohë e gjatë në
jetën tonë, por në histori është periudhë e shkurtër kohore dhe e dimë
çfarë ka ndodhur në tërë rajonin para 20, 25 vjetësh.
A duam të shohim përsëritje të ndonjë
mundësie për të pasur tensione të reja etnike, apo tensione fetare në
vend? Që Ballkani sërish të bëhet shesh ku luajnë fuqitë e mëdha?
Jo, natyrisht që jo. Si Bashkim
Evropian nuk e duam këtë dhe personalisht jam i bindur. Dhe mbase pata
fatin të kthehem këtu pas thuajse tri dekadash — përndryshe, nuk ka qenë
fare e planifikuar. Puna për mua është nder i madh por gjithashtu është
sfidë.
Sa më parë t’i jepet mundësia rinisë që jo vetëm të jenë
vëzhgues, por edhe pjesëmarrës, ata do të bëhen ndryshimi shoqëror dhe
politik që i duhet Kosovës.
Jam i vetëdijshëm për vështirësitë.
Jam i vetëdijshëm që veprat dhe të arriturat tona në Kosovë kanë kufij.
Mendoj se kahja është thelbësore. Më në fund pas dy vjetësh, BE-ja [së voni]
vendosi t’i çelë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
Ky është hap historik dhe çast historik. Po, u desh kohë që të mbërrijmë
këtu. Jam i bindur që Kosova do të arrijë atje po ashtu — sa më herët,
aq më mirë.
Të gjithë e dimë se çfarë hapash
duhet të ndërmerren për të ndodhur diçka e tillë, dhe kur Kosova të jetë
në një pozitë ku është e papenguar dhe e çlirët, aty shoh potencial të
madh. Mendoj se njerëzit janë punëtorë dhe ndërmarrës të mëdhenj. Shohim
se si njerëzit e Kosovës punojnë jashtë dhe kanë shumë sukses. Edhe
këtu jam impresionuar me punën e ndërmarrësve.
Dhe ke një popullatë të re që flet
anglishten shumë mirë. Kjo më impresionon. Kjo natyrisht nuk qëndron me
breznitë e vjetra dhe të rinjtë në pjesët e tjera të rajonit, nuk është
se doemos flasin një anglishte të mirë. Dhe shumë prej tyre duan të
rrinë këtu dhe të ndërtojnë një të ardhme për vetveten, por që kjo të
ndodhë duhet të frymëzohen.
Të rinjtë janë gjithmonë më të
padurueshëm dhe gjithmonë kërkojnë më shumë dhe ata duhet të jenë dhe
janë forcë që ndryshon këtë shoqëri.
Sa më parë t’u jepet mundësia atyre
që jo vetëm të jenë vëzhgues, por edhe pjesëmarrës, ata do të jenë
ndryshimi shoqëror dhe politik që i duhet Kosovës. Sikur të gjitha
vendet e tjera të rajonit, po flasim për të ardhmen e tyre. Ata do të
jenë njerëzit që do t’i vlerësojnë vendimet e tashme pas 20 ose 30
vjetësh.
Kam folur shumë për ndryshimin në
zhvillim dhe për rolin e komunitetit ndërkombëtar që nuk duhet të sillen
si fuqi kolonizatore, siç është bërë në të kaluarën. Por nuk duhet të
nënçmohet roli i njerëzve në një shoqëri. Tekefundit, është në duart e
njerëzve të vendosin se ku duhet të jetë shoqëria dhe e ardhmja e tyre.
https://kosovotwopointzero.com/lars-gunnar-wigemark-e-ardhmja-eshte-tekefundit-ne-duart-e-njerezve/