Lajme

“Qytetarët e Kosovës duhet të ndjejnë një krenari të caktuar për faktin se Kosova nuk ka frikë të merret me të kaluarën e saj”- Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, gjatë një interviste gjithëpërfshirëse sy më sy me ABC News

03 dhjetor 2020

Më 2 dhjetor, ABC News transmetoi një intervistë gjithëpërfshirëse sy më sy të Shefit të  Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, me Linda Karadakun. Gjatë intervistës, Wigemark na shoqëroi nëpër rrugëtimin e tij të pasur  profesional, vizitën e tij të parë në Ballkan dhe në Kosovë, takimin e tij me Ibrahim Rugovën,  punën kuptimplote të Misionit, dhe perceptimet e shumta të ndryshme rreth punës së  EULEX-it.

Duke komentuar rreth gjetjeve të fundit të mbetjeve mortore në Kizhevak, Serbi, Wigemark tha: “Unë nuk dua të mburrem, por unë nuk mendoj se ky lokacion do të gjendej pa EULEX-in”. Karadaku tha se Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiq, publikisht u ka kërkuar qytetarëve serbë që të mos japin asnjë informacion rreth vendndodhjeve të mundshme të varrezave. “Unë mendoj se kjo është gabim,” tha Wigemark, dhe shtoi: “Është gabim t’i thuhet njerëzve që të mos japin informacione. Përkundrazi, ajo që nevojitet është transparenca maksimale.”  

Shefi i EULEX-it gjithashtu foli rreth mbështetjes që Misioni i ofron Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke folur me fakte rreth funksionimit të këtij procesi dhe rolit të saktë të EULEX-it. 

“Më duhet ta them që nuk është e lehtë për ne, sepse njerëzit këtu besojnë se EULEX-i është ai që po i kryen këto operacione, se ne jemi ata që po i arrestojmë njerëzit, se ne e arrestuam z. Krasniqin, ose Presidentin Thaçi, e kështu me radhë, ose që ne po i kryejmë bastisjet e shtëpive. Në fakt është Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila ka autoritetin që ta bëjë këtë, ne nuk kemi autoritetin për ta bërë këtë”, sqaroi Wigemark, duke shtuar: “Kur njerëzit shohin automjete me targa të EULEX-it para ndonjë ndërtese, ata supozojnë se brenda ndërtesës janë stafi, policia e EULEX-it, etj. Puna nuk qëndron kështu. Ne jemi jashtë, duke siguruar mbrojtje së bashku me Policinë e Kosovës.” 

Shefi i EULEX-it gjithashtu foli rreth ndikimit të zhvillimeve të fundit mbi Kosovën dhe qytetarët e saj. “E kuptoj se kjo do të ishte e vështirë për çdo shoqëri dhe më duhet të them se kam shumë respekt për mënyrën se si Kosova po e trajton këtë,” tha Wigemark, duke theksuar se qytetarët e Kosovës duhet “të ndjejnë një krenari të caktuar për faktin se Kosova nuk ka frikë të merret me të kaluarën e saj.” 

Për këtë dhe më shumë, shikoni intervistën e plotë këtu: https://www.youtube.com/watch?v=9VhytMzaK_g