Lajme

Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, në një intervistë ekskluzive për TV Klan Kosova

14 dhjetor 2020

Në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, foli rreth së vërtetës prapa shumë raportimeve të mediave për rolin dhe mbështetjen e EULEX-it për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raportimeve të fundit të mediave rreth një operacioni të pretenduar të bastisjes në zyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, rolit të EULEX-it në zbulimin e fundit të mbetjeve mortore në Kizhevak, dhe rreth monitorimit nga ana e Misionit të rasteve të zgjedhura në sistemin e drejtësisë së Kosovës. 

I pyetur rreth operacioneve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), që rezultuan me arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Wigemark shpjegoi se është krijuar një keqkuptim se EULEX-i është duke i kryer arrestimet dhe theksoi: “Ato që shihen në televizor dhe nëpër fotografi janë kryesisht vetura të EULEX-it dhe pjesëtarë të Njësisë sonë të Policisë së Specializuar. Por ata janë aty vetëm për të mbështetur ZPS-në.” Shefi i EULEX-it theksoi se ZPS-ja i ka kryer operacionet dhe arrestimet e kohëve të fundit në bazë të një urdhri të gjykatës: “Përfaqësuesit e tyre vijnë këtu në Kosovë. Ne jemi të obliguar me ligjin e Kosovës që t’i mbështesim ata, t’i japim mbështetje logjistike dhe operacionale, së bashku me Policinë e Kosovës.”

 I pyetur për të komentuar rreth asaj nëse EULEX-i ka dhënë mbështetje për një bastisje të pretenduar në Zyrën e Presidentit, Wigemark në mënyrë kategorike e ka mohuar këtë: “Mëngjesin pas dorëheqjes së Presidentit Thaçi, neve na ka kontaktuar zonja Osmani dhe na është bërë pyetja nëse ishte në rregull që EULEX-i kishte në plan të kryente një bastisje në Zyrën e Presidentit. Përgjigja jonë ishte se nuk ekzistonte ndonjë plan i tillë. Këtu janë dy të pavërteta. E para, EULEX-i nuk kryen asnjë bastisje, dhe e dyta, çka është ma e rëndësishmja, një plan i tillë asnjëherë nuk ka ekzistuar.”

Duke folur rreth monitorimit të thuktë sistemik dhe tematik nga ana e EULEX-it për raste të zgjedhura përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, Wigemark tha: “Këtyre ditëve, neve shpeshherë nga kërkohet prej prokurorëve dhe gjyqtarëve që t’i monitorojmë rastet e tyre. Pse ndodhë kjo? Sepse fatkeqësisht ende ka ndërhyrje në gjyqësor.”

Lidhur me gërmimet në Kizhevak dhe rolin e EULEX-in në identifikimin e vendndodhjes së saktë ku janë gjetur mbetjet mortore, Shefi i Misionit përmendi se ekspertët forenzik kanë analizuar fotografitë ajrore nga viti 1999 dhe kanë arritur që të caktojnë pikat e vendndodhjes së saktë të këtij lokacioni. Wigemark theksoi se ekspertët forenzik të Misionit janë të inkuadruar në Institutin e Kosovës për Mjekësi Ligjore.  

 Shikoni pjesën e parë të intervistës (min 2:38) 


Shikoni pjesën e dytë të intervistës