23 dhjetor 2020
Më 4 dhjetor 2020, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e organizoi të katërtin me radhë nga seria e “Bashkëbisedime për fuqizimin e grave” në temën “Fuqizimi ekonomik për ta adresuar dhunën në baza gjinore”.
Moderuar nga Këshiltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, paneli i diskutuesve përbëhej nga Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Luljeta Aliu, Drejtoreshë Ekzekutive e INJECT, dhe Adelina Berisha, Menaxhere e Programit në Rrjetin e Grave të Kosovës për Adresimin e dhunës në baza gjinore. Diskutimet u përqendruan në atë se si mund të ndihmojë fuqizimi ekonomik për adresimin e dhunës në baza gjinore. Panelistet e shqyrtuan raportin ndërmjet fuqizimit ekonomik dhe dhunës në baza gjinore, shkëmbyen pikëpamje për sfidimin e stereotipeve gjinore, si dhe e theksuan nevojën e programve të dedikuara për fuqizimin ekonomik të ggrave.
Kur bëhet fjalë për gërshetimin e fuqizimit ekonomik dhe dhunës në baza gjinore, e para shihet si një faktor kryesor në qasjen që shoqëritë dhe institucionet duhet ta zbatojnë për ta parandaluar dhe zbutur dhunën në baza gjinore dhe dhunën në familje. Sidoqoftë, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, vëren se fuqizimi ekonomik nuk do të thotë gjithmonë siguri për gratë kur bëhet fjalë për dhunën. “Fatkeqësisht, statistikat në të gjithë botën tregojnë se edhe në ekonomitë e zhvilluara, përkundër faktit që gratë janë të fuqizuara ekonomikisht, ato ende përballen me dhunë në baza gjinore. Kjo tregon se dhuna në baza gjinore duhet të trajtohet në një mënyrë ndërsektorale, e cila e vendos në qendër emancipimn dhe edukimn e burrave dhe grave që në moshë të re, kur ata mësohen ta shohin njëri-tjetrin si aleatë në luftën kundër dhunës në baza gjinore”, theksoi Gusia.
Në Kosovë, gërshetimi i fuqizimit ekonomik dhe dhunës në baza gjinore ka treguar se mungesa e fuqisë ekonomike dhe vendimmarrjes në shtëpi i ka mbajtur gratë prapa. “Varësia ekonomike nga partneri juaj do të thotë që edhe një protestë më e vogël verbale nga ana juaj shkakton frikë se situata mund të përshkallëzohet. Kjo për faktin se burri ka përparësi në këtë diskurs për shkak të fuqisë ekonomike të tij”, tha Luljeta Aliu, Drejtoreshë Ekzekutive e INJECT.
Në mënyrë që të përmirësohet situata në terren, cilat programe duhet të zbatohen në Kosovë për ta nxitur fuqizimin ekonomik të grave, ashtu siç kërkohet nga Konventa e Stambollit?
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës beson se shoqëria civile duhet të shikojë praktikat nga rajoni dhe vendet e tjera në mënyrë që ta harmonizojë dhe hartojë legjislacionin sekondar, i cili tani është i domosdoshëm për punën e ofruesve të shërbimeve për mbështetjen e viktimave. “Për ne, ky fokus do të jetë thelbësor dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me rehabilitimin dhe ri-integrimin e viktimave. Gratë viktima duhet të fuqizohen për t’i rritur kapacitetet dhe mundësitë e tyre për punësim”, përfundoi Berisha.
"Bashkëbisedimet për Fuqizimin e Grave" janë pjesë e aktiviteteve të EULEX-it për ta shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.