Më 18 gusht, Shefi i Kabinetit i EULEX-it, Matthias Zander, mbajti një ligjëratë në temën "13 vjet më pas – një EULEX i ri" në Akademinë Verore Ndërkombëtare në Kosovë, ku në fokus gjatë këtij viti ishte "Ndërtimi i paqes në zonat pas konfliktit – Diplomacia, Lidershipi dhe Negociatat”, organizuar nga Qendra Kosovare e Diplomacisë.
Gjatë ligjëratës së tij, Zander i informoi pjesëmarrësit për strukturën dhe mandatin e EULEX-it, dhe si e ka ndihmuar ky Mision Kosovën që të ndërtojë një kornizë institucionale dhe legjislative të sundimit të ligjit që është gjithnjë e më shumë në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së, ashtu që të mund të përparojë në rrugëtim evropian të saj.
Duke folur për më shumë se një dekadë të arritjeve dhe sfidave të EULEX-it, Zander theksoi se fakti që EULEX-i po e përfundon gradualisht punën e tij në Kosovë tregon besimin në rritje të BE-së në institucionet e Kosovës: “Kjo është një dëshmi e arritjeve të EULEX-it për ndihmën e suksesshme dhënë homologëve të tij që ata të jenë në ulësen e drejtuesit, kurse EULEX-i vetëm në ulësen e pasagjerit. Kjo, në vetvete, mbase është arritja më e madhe”.
Themeluesi i Akademisë Verore Ndërkombëtare të Kosovës dhe bashkëthemeluesi i Qendrës Kosovare të Diplomacisë, Labinot Hajdari me krenari përmendi se tash e tetë vjet, kjo Akademi po i bën bashkë studentët dhe studiuesit nga 90 vende të botës: “Qëllimi i Akademisë është që t'i bashkojë të rinjtë nga e gjithë bota dhe t'i informojë ata përmes edukimit joformal mbi realitetin lokal dhe, gjithashtu, t'ju jep atyre një mundësi për ta njohur kulturën, historinë dhe natyrën e bukur të Kosovës”.
Në sesionin e fundit morën pjesë rreth 40 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët u përfshinë në një diskutim të gjallë me Shefin e Kabinetit për sfidat e zbatimit të mandatit të EULEX-it dhe të ardhmen që e pret.