Lajme

Raportoni dhunën fizike në polici! / Një porosi shumë e fuqishme nga gratë të cilat po i vuajnë dënimet e tyre në Qendrën Korrektuese për Gratë në Lipjan

06 dhjetor 2021

Një grup i grave të cilat po i vuajnë dënimet e tyre në Qendrën Korrektuese për Gratë në Lipjan e kanë përgatitur një video, e cila synon motivimin e viktimave të dhunës fizike që t’i raportojnë këto raste në Policinë e Kosovës.

Kjo video e përshkruan rastin e një të mbijetuare të dhunës në familje babai i së cilës ushtron dhunë ndaj saj, ndaj nënës dhe motrës së saj. Ajo qëndroi në shtëpi dhe filloi të vizatonte për të ikur nga realiteti i hidhur i saj. Megjithatë, motra e saj vendosi të largohej nga shtëpia dhe filloi të merrte drogë dhe ta shiste trupin e saj.

“Një ditë, përkundër frikës dhe këshillës së nënës sime se “kjo është e turpshme” dhe “ të gjithë do të qeshin me ne”, unë e raportova babanë tim në polici. Sot, ai është në burg duke vuajtur dënimin me dy vjet burgim,” thotë e mbijetuara e dhunës në familje, e cila gjithashtu i bën apel të gjitha viktimave që ta ndihmojnë veten dhe familjet e tyre duke e raportuar dhunën fizike në Policinë e Kosovës.

Përmbajtja e kësaj videoje është përgatitur nga një grup i grave të cilat po i vuajnë dënimet e tyre në Qendrën Korrektuese për Gratë në Lipjan, të cilat janë pjesë e projektit Podium, i mbështetur nga Fondacioni IPKO përmes Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Kosovë/Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. Prodhimi i kësaj videoje u mundësua nga EULEX-i.

Shikoni videon

Heqje e përgjegjësisë: Kjo video përmban materiale të ndjeshme që për disa persona mund të jetë shqetësuese. Përmbajtja e kësaj videoje nuk i pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet dhe qëndrimet e Fondacionit IPKO, Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Kosovë/Agjencia Austriake për Zhvillim, Zyrës së UNICEF-it në Kosovë dhe EULEX-it.