Lajme

Intervistë me Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj

10 dhjetor 2021

Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, flet për përgjegjësinë kolektive të shoqërive dhe institucioneve tona në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore! Ai, gjithashtu, i përmend ndryshimet kryesore që dëshiron t’i shohë në Kosovë gjatë viteve të ardhshme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, si dhe për masat të cilat duhet t’i ndërmerr Kosova për ta pasur një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.

Lexoni intervistën e plotë: 

1.    Më 10 dhjetor është dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut: institucionet anembanë botës, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët bëjnë një pasqyrë të arritjeve dhe sfidave përpara: cilat ndryshime kyçe do të dëshironit të shihni në Kosovë në vitin e ardhshëm kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut?

Qelaj: “Me siguri mund të them  që  Kosova tash e 20 vite aspiron të  ndërtoj sistem që bazohet në standardet më të larta të respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Infrastruktura ligjore është  ndërtuar mbi këto standarde edhe pse ka ngecje në zbatim, e në anën tjetër janë krijuar e po krijohen mekanizma që garantojnë zbatimin e detyrimeve që ka shteti karshi të drejtave të njeriut, mirëpo edhe këto mekanizma  si edhe ligjet jo çdo herë po janë funksional dhe  nuk po arrijnë me përmbush qëllimin për të cilin janë krijuar.

Ajo që do të doja me ndodh vitin që vjen, është përmirësimi i zbatimit të ligjeve, politikave  e strategjive  që të njëjtat mos me mbesin  në letër, po me hy në përdorim të qëllimit për të cilin edhe  janë hartuar. E gjithashtu të punohet shumë në fuqizimin e mekanizmave  institucional  në përgjithësi e posaçërisht  në sektorin e drejtësisë si njëra nga hallkat që garanton sundimin e ligjit

Sfidat që po na përcjellin  çdo vit  janë të shumta, por  shpresoj që të  jemi në gjendje me i përballu duke mos humbë asgjë nga aspirata jonë për të ndërtuar  shtet që themelet i ka në respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Avokati i popullit e gjen vetën me rol të rëndësishme në këtë proces , gjithmonë  duke luajtur rolin mbikëqyrës  edhe si mekanizëm që me rekomandimet e veta do të përmirësoj në përgjithësi  respektimin e të drejtave e dhe livre  themelore.”

2.    Të pasurit një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm është njohur si e drejtë e njeriut, cilat janë sipas jush masat më urgjente që duhet të ndërmerren në Kosovë për realizimin e kësaj të drejte?

Qelaj: “Respektimi i detyrimeve  kushtetuese e ligjore  lidhur për çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet mjedisorë janë përcaktuar në  neni 53 .2 i Kushtetutës ”Institucionet e pushtetit publik angazhohen për t’i garantuar secilit mundësinë që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo/ai jeton. “

Në këtë drejtim Avokati i Popullit ka publikuar me datë 03.02.2021 raport lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me procedurat për operimin  hidrocentraleve  dhe  ka konstatuar se mangësitë lidhur me respektimin e së drejtës së qytetarëve për qasje në informata, të drejtë së pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi, kërkon vëmendjen e shtetit që t’i balancojë interesat publike me ato ekonomike, duke vlerësuar me kujdes ndikimin në mjedis që mund të jetë i rëndë dhe i pariparueshëm.

Prandaj edhe me këtë rast ajo që dua të theksoj si masë  urgjente është   kujdesi i autoriteteve publike që me rastin  vendosjes për çështje që ndërlidhën  me ambientin  gjithmonë të respektojnë standardet që  janë  të lidhura me qasjes në informata, pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje dhe qasjes në drejtësi.

3.Pandemia e Covid 19 ka prekur dhe vazhdon të ndikojë në jetën tonë; a mendoni se Covid i ka përkeqësuar pabarazitë të para-ekzistuese në Kosovë? Cilat kategori kanë pësuar më shumë dhe çfarë mund të bëhet për të rikthyer këto pa barazi?

Pandemia ka goditur të gjithë në përgjithësi dhe të drejtat e njeriut në veçanti.  Në masat e vendosura  nga qeveria Jo në të gjitha rastet janë  respektuar  standardet  ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, për përgjegjësin që ka  Qeveria për të treguar se çdo kufizim që vendos mbi të drejtat e njeriut duhet të jetë i balancuar e proporcional me kërcënimin real që iu kanoset qytetarëve, ashtu që çdo rast të synoi të arrijë një qëllim legjitim, për aq sa  është e nevojshme. 

Politikat e mbështetjes për tejkalimin e situatës së krijuar nga pandemia jo çdo herë  kanë qenë të Balancuara dhe gjithëpërfshirëse, e kjo  ka  thelluar edhe më  tej pabarazinë sociale duke goditur sidomos grupet e cenueshme, gratë, personat  me aftësi të kufizuar dhe të moshuarit. Për ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut  kemi përgatitur një raport të veçantë i cili  do të publikohet  me 10 dhjetorë në shënimin  73 vjetorit  të miratimit të Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut, në të cilin raport është analizuar   ndikimi i pandemisë në të drejtat e njeriut nga perspektiva e Avokatit të Popullit.”

4. Keni filluar në zyrën e Avokatit të Popullit pas pozitës si Koordinator nacional për dhunën në familje për më shumë se dy vite. Si ndikon kjo përgjegjësi e mëparshme në mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë suaj të tanishme?

Qelaj: “Për mua dy vite si Koordinator për dhunën në familje ishin një përvojë e madhe, një përvojë që tani po më ndihmon në pozitën time të tanishme si Avokat i Popullit. Në fakt gjatë këtyre dy viteve jam marrë me problemet që sjell dhuna në familje. Unë i njoh institucionet për luftimin e dhunës në familje nga brenda, e di se ku janë boshllëqet në lidhje me problemin. Për mendimin tim, aspekti i dhunës në familje mbulohet nga katër shtylla. 

E para ka të bëjë me parandalimin. Në këtë aspekt ka progres të madh por ende nuk është i mjaftueshëm. E rëndësishme në këtë pikë është bashkëpunimi mes institucioneve dhe shoqërisë civile, por nga këndvështrimi im, fushatat janë ato të cilat i shfaqin institucionet e luftimit të dhunës gjinore. Sidomos për faktin se jemi të vetëdijshëm se perceptimi i qytetarëve nuk është shumë i mirë për punën e institucioneve. Pa dyshim, rritja e besimit ndaj institucioneve do të ndikonte në rritjen e raportimit të dhunës në familje. 

E dyta është legjislacioni. Mendoj se ka nevojë për përmirësimin e legjislacionit. Jeni të vetëdijshëm se Kosova e ka përfshirë Konventën e Stambollit si pjesë të Kushtetutës. Prandaj, besoj se të gjitha pjesët e legjislacionit që lidhen me dhunën në familje duhet të jenë në përputhje me Konventën e Stambollit. 

E treta është mbrojtja e viktimave kur ndodhin raste dhe kur ato raportohen. Në Kosovë, strehimi i viktimave vazhdon të jetë problem i madh. Zakonisht viktimat largohen nga vendi ku kanë jetuar dhe t’i shtojnë kësaj edhe faktin se 80% janë gra dhe kanë një situatë shumë të vështirë ekonomike. Kjo e përkeqëson situatën. Po ashtu, deri më tani, zgjidhja e vetme për këtë ishte vendosja e tyre në strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe këtu mendoj se duhet të bëjmë më shumë në aspektin e mbrojtjes së viktimave. Kjo mbrojtje mund të bëhet në mënyra të ndryshme: lëshimi i urdhrit gjyqësor, detyrimi i njërës palë për të paguar qiranë, për të paguar strehimin për viktimën, dhe vendimi për administrimin e pronës së përbashkët të palëve. Gjykatat rrallë vendosin për këto gjëra, gjë që i detyron viktimat të kthehen në vendin ku kanë përjetuar dhunën. Është e rëndësishme që policia dhe prokuroria të kenë gjithmonë parasysh vlerësimin e rrezikut sepse në raste të caktuara kjo nuk ndodh. 

E fundit është fuqizimi ekonomik dhe riintegrimi i viktimës. Duke pasur parasysh nivelin e përgjithshëm të zhvillimit të vendit, institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Për shkak se ky konsiderohet si një nga rastet kur viktimat kthehen në shtëpitë ku ka ndodhur keqtrajtimi, kam vërejtur së fundmi se ka përpjekje nga autoritetet për t'u marrë me autorët e dhunës, dhe kjo është e rregulluar me ligj, por deri më tani ka pak progres për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe ndoshta edhe për shkak të mungesës së përvojës me trajtimin e rasteve të tilla. Numri i vendimeve gjyqësore që e detyrojnë të pandehurin të trajtohet në aspektin psiko-social (dhënia e mbështetjes psikologjike) dhe atë familjar është shumë i vogël.” 

5. Dhuna në bazë gjinore është fenomen universal. Çfarë është ndryshe në Kosovë? 

Qelaj: “Gjëja e parë që më vjen në mendje në këtë drejtim është mendësia e shoqërisë. Njëzet vite më parë ishte turp që viktima të denonconte dhunën në familje dhe në atë kohë shoqëria e gjykonte viktimën dhe jo dhunuesin. Ky ishte rezultat i sistemit patriarkal, i cili ekzistonte me shekuj në Kosovë. Kjo situatë ka ndryshuar në mënyrë drastike, që do të thotë se edhe qytetarët e kuptojnë se dhuna në familje nuk duhet të tolerohet. Ky është rezultat i zhvillimit të përgjithshëm të shoqërisë dhe i punës së madhe që është bërë në drejtim të barazisë gjinore. Dhe në këtë drejtim, përkatësisht në aspektin politik dhe legjislativ, ne qëndrojmë në pozitë më të mirë se vendet e rajonit”. 

6. Çfarë mendoni se duhet të jetë prioritet për qeverinë e Kosovës në luftimin e dhunës në bazë gjinore? 

Qelaj: “Për qeverinë duhet të mbetet prioritet vazhdimi i ndërgjegjësimit për dhunën në bazë gjinore. Qeveria duhet të vazhdojë të luftojë dhunën në familje sepse ideja është të ulet niveli i dhunës në bazë gjinore. 

Përmes promovimit të rregulloreve për barazinë gjinore, ne mund të ndryshojmë mendësinë dhe veprimet. Qeveria duhet të vazhdojë të promovojë politikën kombëtare drejt barazisë gjinore dhe të drejtave të grave. Varësia ekonomike e grave në Kosovë e vështirëson pozitën e tyre në shoqëri dhe kjo i bën gratë më të cenueshme, dhe kjo është arsyeja se pse gratë janë kryesisht viktima të dhunës në familje. Prandaj, mendoj se prioritetet e qeverisë duhet të jenë gjithëpërfshirëse.” 

7. Çfarë po bën institucioni i Avokatit të Popullit dhe çfarë mund të bëjë ai për të ndihmuar në luftën kundër dhunës në familje/dhunës në bazë gjinore? 

Qelaj: “Puna e Avokatit të Popullit dhe e institucionit të tij është e orientuar në dy fusha. Në adresimin e rasteve individuale kur viktimat parashtrojnë ankesë tek ne dhe në bazë të vëzhgimit që Avokati i Popullit bën me iniciativë të veten. Gjatë vitit ne organizojmë aktivitete për promovimin e të drejtave të grave.” 

8. Rritja e ndërgjegjësimit për këtë fenomen është kyç. A mund të ndihmojë institucioni i Avokatit të Popullit në përhapjen e fjalës? A mendoni se viktimat dinë se çfarë të bëjnë? Ku të telefonojnë? Ku të drejtohen? 

Qelaj: Vetëdijesimin e vë si prioritet. Avokati i Popullit e bënë këtë pa dyshim çdo ditë. Përveç pjesëmarrjes sonë në ngjarje dhe konferenca të ndryshme të organizuara nga shoqëria civile dhe organizata të tjera, ne marrim pjesë edhe në debate televizive dhe në fushata promovuese ku kryesisht i shpjegojmë të drejtat e viktimave lidhur me atë që ato duhet të bëjnë dhe ku duhet të raportojnë rastin e tyre. Këto fushata do të vazhdojnë. Ideja prapa kësaj është që të mund t’i afrohemi çdo familjeje. Po përgatisim edhe takime, diskutime të tryeza të rrumbullakëta në rajone të ndryshme të Kosovës. Mediat janë gjithashtu aktorët kyç që mund të bëjnë promovimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi, kështu që ne kemi bashkëpunim të mirë me mediat kur flasim për këto çështje.” 

9. Aktgjykimi i fundit që dënon një përdhunues të një vajze 15-vjeçare me vetëm disa muaj burgim i bën njerëzit të mendojnë se ushtrimi i dhunës ndaj grave në Kosovë tolerohet. Çfarë mendoni se duhet bërë për ta ndryshuar atë? 

Qelaj: “Thjesht dua të besoj se ky ka qenë një rast i izoluar. Duke pasur parasysh se gjatë viteve të fundit ka pasur vendime me burgim të gjatë për autorët/përdhunuesit, p.sh. është një rast i fundit ku një përdhunues është dënuar me burgim të përjetshëm. Ekziston një politikë në lidhje me urdhrin e skemës së unifikuar të dënimit të krijuar nga Gjykata Supreme që u shërben gjyqtarëve në marrjen e vendimeve të tyre. E vetmja gjë që mund të them tani është se gjykatat duhet t'i japin prioritet rasteve të dhunës në bazë gjinore. Gjykatat duhet të kenë gjithmonë prioritet mirëqenien e viktimës.”