02 prill 2022
Trembëdhjetë oficerë të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) nga institucione të ndryshme korrektuese janë certifikuar si instruktorë për Reanimim nga Këshilli Evropian për Reanimim, pas një trajnimi treditor të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Kursi bazik për Reanimim, i ofruar nga pesë instruktorë të Njësisë Mjekësore të EULEX-it, të cilët janë të certifikuar nga Këshilli Evropian për Reanimim (ERC), po i pajis oficerët korrektues me njohuri dhe aftësi për të ofruar ndihmë për reanimim/shpëtimin e jetës për personat në nevojë, si dhe për trajnime të brendshme për oficerët tjerë në institucionet korrektuese nëpër Kosovë. Rritja e rasteve të vetëlëndimit të burgosurve, tentativave për vetëvrasje dhe vetëvrasjeve e shfaqën nevojën për organizimin e një kursi të tillë.
Ali Gashi, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së, e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyer me Njësinë Korrektuese të EULEX-it, duke thënë se Kursi Bazik për Reanimim është i një rëndësie të madhe për të gjithë officerët e SHKK-së: “Ne kemi parë në praktikë që officerët e SHKK-së duhet t'i kenë këto aftësi ashtu që ata të mund të reagojnë në rrethana ku reanimimi mund t'i shpëtojë jetën një të burgosuri që mund të tentojë vetëvrasjen. Në vitin 2021, fatkeqësisht patëm tre raste që përfunduan me humbje jete, gjë që shkaktoi edhe përvoja traumatike për stafin që ishini të pranishëm në ato momente”.
Sipas Peeter Näks, ushtrues detyre i Shefit të Njësisë Korrektuese të EULEX-it, veçantia e këtij trajnimi qëndron në qëndrueshmërinë e tij pasi që officerët e certifikuar do t'ua përcjellin këto aftësi kolegëve të tyre: “Ky projekt është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse do t'u mundësojë officerëve të SHKK-së që ta parandalojnë vdekjen e të burgosurve që përjetojnë arrest kardiak ose që tentojnë ta lëndojnë veten. Në një botë ideale, të gjithë oficerët korrektues duhet t’a kenë këtë lloj të aftësive për të qenë në gjendje ta reanimojnë dikë – qoftë ai një i burgosur apo një kolegë”.
Dr. Cristina Angelescu, Shefe e Njësisë Mjekësore të EULEX-it, e theksoi rëndësinë e të pasuri të një sistemi trajnimi të vetë-qëndrueshëm brenda SHKK-së, sepse zakonisht janë vetë officerët korrektues ata që përgjigjen të parët në rastet kur ndonjë person pëson arrest kardiak: “Nëse një person laik fiton aftësitë themelore të reanimimit, ato mund ta rrisin mundësinë e mbijetesës së viktimës derisa të arrijë mbështetja mjekësore në vendngjarje. Ne siguruam që instruktorët tanë të sapo-certifikuar t’ia kuptojnë saktësisht parimet e reanimimit bazik dhe që të jenë në gjendje t'ua mësojnë ato kolegëve të tjerë duke i ndjekur udhëzimet dhe protokollet e njejta të KER-së”.
“Të jesh në gjendje ta shpëtosh një jetë është jashtëzakonisht e rëndësishme, e cila është edhe motoja e këtij trajnimi. Është tejet përmbushëse të jesh i përgatitur profesionalisht për ta ndihmuar ndonjë person që rrezikon ta humbasë jetën”, tha Shpresa Bllacaku, oficere korrektuese në Qendrën Korrektuese të Grave në Lipjan, duke shtuar: “Ne do t'i përcjellim këto njohuri dhe aftësi te kolegët tanë në mënyrë që të mos përballemi kurrë me ndonjë situatë kur nuk do të jemi në gjendje ta shpëtojmë jetën e dikujt”.
Faza e radhës e këtij projekti është edhe pajisja e SHKK-së me pajisje adekuate për trajnim si manekinë dhe defibrilatorë automatikë të jashtëm, të cilat do të dhurohen nga EULEX-i. Që nga viti 2016, Njësia Mjekësore e EULEX-it në bashkëpunim me Njësinë Korrektuese të EULEX-it kanë organizuar dhe ofruar trajnime për Reanimim për rreth 500 pjesëtarë të SHKK-së.