18 maj 2022
Më 18 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) mbështeti trajnimin për autoritetet kosovare ligjzbatuese dhe gjyqësore “Bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e ligjit në luftimin e krimit të organizuar”, i organizuar nga Agjencia e BE-së për Trajnime për Zbatimin e Ligjit (CEPOL) në kuadër të projektit Partneriteti kundër Krimit dhe Terrorizmit (CEPOL WB PaCT).
Trajnimi pesëditor kishte për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësore gjatë hetimeve të krimeve të rënda dhe të organizuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjatë trajnimit, Udhëheqësi i Shtyllës së Monitorimit në EULEX, Benny Jensen, bëri një shpjegim të mandatit të Misionit për mbështetjen e institucioneve kosovare të drejtësisë përmes zinxhirit të plotë të drejtësisë, dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe bashkërendimit me partnerët ndërkombëtar. Jensen në veçanti u fokusua në monitorimin e thuktë nga Misioni, i cili rezulton me gjetje dhe rekomandime që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të sundimit të ligjit të Kosovës.
Ekspertët e EULEX-it nga Njësia për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar po ashtu i njoftuan pjesëmarrësit për punën e tyre në lehtësimin e shkëmbimit të informatave mes Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe për praktikat më të mira evropiane të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.