04 gusht 2022
Më 4 gusht në Krushë të Madhe, në praninë e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin të Ligjit në Kosovë (EULEX) Lars-Gunnar Wigemark i dorëzoi OJQ-së SHGV-Krusha një automjet transportues dhe disa pajisjeve të teknologjisë informative në mbështetje të punës së Fahrije Hotit, gruas prapa kooperativës bujqësore Krusha.
Fahrije Hoti nuk është vetëm një ndërmarrëse e suksesshme por është edhe simbol i vërtetë i domethënies së fuqizimit dhe guximit të grave. Gjersa përballej me tragjeditë e luftës në Kosovë, ku bën pjesë edhe bashkëshorti i saj që ende është i zhdukur, ajo sfidoi paragjykimet e shoqërisë patriarkale dhe, në vitin 2005, me gra të tjera të fshatit të saj ajo nisi me një prodhim të vogël të ajvarit dhe turshive, çka sot është model i një biznesi të suksesshëm – Kooperativa Bujqësore Krusha.
Në hapje të ceremonisë së ndarjes së donacionit, Presidentja Osmani iu drejtua Fahrije Hotit: “Ju jeni konfirmimi më i mirë që dëshmon se kur ka vizion të qartë, angazhim dhe pune konsistente, suksesi është gjithnjë i sigurt,” duke shtuar: “Më gëzon tej mase fakti që kur bëhet fjalë për ju, sikur nuk ka nevojë për shpjegime dhe për arsyetime shtesë. Të gjithë krenohen me ju, të gjithë duan të punojnë me ju, të gjithë duan të ju mbështesin dhe të jenë sado pak pjesë e historisë suaj të suksesit. Sot dua ta falënderoj EULEX-in, në veçanti ambasadorin Wigemark për punën e bërë me qëllim të realizimit të suksesshëm të këtij donacioni.”
“Është nderë të jem sot këtu në praninë e dy shembujve më prominentë të grave të Kosovës, Presidentes Vjosa Osmani dhe znj. Fahrije Hotit,” tha Wigemark, ku shtoi: “Përmes vendosmërisë, punës dhe qëndrueshmërisë që të dyja e keni thyer kufirin prej qelqi që i ka ndaluar shumë gra nga realizimi i ambicieve dhe ëndrrave të tyre. Ju jeni dëshmi e gjallë se si gratë që kanë vizion mund të ngriten prej hirit të persekutimit, ndarjes dhe një lufte brutale.”
Hoti falënderoi EULEX-in për donacionin ndarë grave të Krushës duke thënë se ishte shumë i nevojshëm dhe do të ndihmojë për punën e tyre, duke theksuar se si: “Rilindja e Krushës ishin gratë e saj që nuk u dorëzuan kurrë. Por, ne patëm edhe ndihmë përgjatë rrugëtimit tonë.”
Pas ceremonisë, Hoti bëri një prezantim të objekteve të kooperativës para Presidentes së Kosovës dhe Shefit të EULEX-it.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ndihmuar për ndërtimin e fabrikës së kooperativës Krusha dhe në maj 2022 i ndau Fahrije Hotit çmimin Evropiani i Vitit 2022, ndërsa rrëfimi i saj i mrekullueshëm ishte frymëzim për filmin e shpërblyer “Zgjoi” i cili rrëfen për peripecitë si nënë e vetme në përpjekje për themelimin e një biznesi të vogël së bashku me një grup të grave me qëllime të njëjta.