19 shtator 2022
Më 19 shtator, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, dhe Zëvendësdrejtori I Përgjithshëm për Resurse i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, nderuan kujtimin për Audrius Šenavicius, zyrtarin doganor të EULEX-it nga Lituania i cili ishte vrarë në krye të detyrës kur ndaj veturës së tij ishte shtënë me armë të zjarrit nga persona ende të panjohur në pjesën veriore të Kosovës më 19 shtator 2013.
Wigemark theksoi solidarizimin e tij me familjarët dhe miqtë e të ndjerit Šenavicius, duke kujtuar si vdekja e tij tragjike ende është plagë e hapur, ku edhe pas nëntë viteve kryerësit e kësaj vrasjeje ende nuk janë identifikuar.
“Ti ishe një zyrtar doganor profesionist, në shërbim të Bashkimit Evropian për sjelljen e paqes dhe stabilitetit. Ne nuk të kemi harruar asnjëherë. Ti je në kujtimet tona,” tha Wigemark, duke shtuar: “Jemi mirënjohës për përpjekjet e Policisë së Kosovës, të cilët ende janë duke bërë hetime për këtë rast të pazgjidhur.”
Gjatë ceremonisë së vënies së kurorave, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Resurse i Policisë së Kosovës, Dejan Janković, tha: “Prania jonë sot këtu është një konfirmim i vazhdimit të hetimeve dhe përpjekjeve nga ana jonë për zgjidhjen e këtij rasti dhe ndarjen e drejtësisë.”
EULEX-i u bën apel atyre që mund të kenë informata të cilat mund t’i dalin në ndihmë policisë të lajmërohen. Misioni ofron një shpërblim prej 82 000 eurove për informata që shpijnë në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasjeje.
Për hollësi rreth raportimit të çdo informate në lidhje me vrasjen e Šenavicius, luteni të kontaktoni +383 38 284 181 ose të klikoni këtu: Rasti i Audrius Šenavičius