26 shtator 2022
Më 26 shtator, Këshilltarja për çështje gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, foli gjatë debatit “Jo do të thotë jo – Dhuna seksuale dhe ngacmimi i grave” i organizuar nga Qendra mediatike në Çagllavicë. Ky diskutim i rëndësishëm përfshiu edhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Instituti i Avokatit të Popullit të Kosovës, OJQ Rrjeti i grave të Kosovës dhe OJQ “Ruka Ruci”.
Tagliani theksoi gjetjet kryesore nga raporti i monitorimit i EULEX-it “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimeve nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”, që zgjuan interesim të madh në mesin e përfaqësuesve të mediave posaçërisht mbi aspektin e vonesave në procedura dhe dënimeve të ulëta.
Një fakt alarmues që u theksua nga Tagliani gjatë diskutimeve ishte numri i lartë i viktimave të mitura të dhunës seksuale, gjetje kjo e cila është përfshirë në raportin e monitorimit nga Misioni. “Të dhënat statistikore që i kemi marrë tregojnë se 85% e viktimave të dhunës seksuale janë vajza të mitura,” tha Tagliani.
Tagliani po ashtu theksoi se EULEX-i, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka zbatuar fushatën “Ma thuaj me kohë”, e cila për fokus ka rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.