Lajme

Fjalimi i Shefit të Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve në Seminarin Rose-Roth

10 tetor 2022

Gjatë sesionit të 102-të të Seminarit Rose-Roth të organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster diskutoi bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në sesionin që e trajtoi temën “Fuqizimi i sundimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit”.

Lexoni fjalimin e plotë këtu (kontrollo si është lexuar):

Seminari Rose – Roth, 10 tetor 2022

“Vlerësim i sundimit të ligjit në Kosovë” – Hubert van Eck Koster EULEX

Meqë Ambasadori Wigemark gjendet në Bruksel për disa obligime të punës, ai më ka kërkuar që ta zëvendësojë në cilësinë time si Udhëheqës i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve.  

Para se të fillojë të elaboroj më shumë rreth sundimit të ligjit, do të dëshiroja të jap një shpjegim të shkurtë rreth rolit të EULEX-it, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Deri në vitin 2018, pozita unike e EULEX-it ka përfshirë kompetenca dhe mandate ekzekutive në sistemin e drejtësisë së Kosovës, me prokurorë dhe gjykatës të vet. Ato kompetenca në sistemin e drejtësisë përfunduan në vitin 2018 dhe të gjitha hetimet dhe gjykimet e EULEX-it që ishin në proces atë kohë u bartën tek institucionet kosovare të sundimit të ligjit.  

Aktualisht EULEX-i e zbaton mandatin që ka përmes dy shtyllave, Shtyllës Operative dhe Shtyllës së Monitorimit. Shtylla Operative ka kapacitete të mbetura të kufizuara si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë. EULEX-i po ashtu e mbështetë Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes fasilitimit të shkëmbimit të informatave mes Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit si dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Përveç kësaj, ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me homologë vendorë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur. Shtylla e Monitorimit në anën tjetër është mandatuar nga Shtetet Anëtare të BE-së për monitorim të sistemit të drejtësisë, me fokus konkret në tërë zinxhirin e drejtësisë penale.

Ky monitorim zbatohet nga Njësia e Monitorimit të Rasteve, e cila bën monitorimin e hetimeve (në polici dhe në prokurori) dhe të gjykimeve, dhe nga Njësia Korrektuese e cila monitoron dhe këshillon Shërbimin Korrektues. Një herë në vit, në bashkëpunim të ngushtë me homologët vendorë, EULEX-i publikon gjetjet dhe rekomandimet në një raport publik. Më lejoni të ndaj me ju disa prej gjetjeve tona kryesore:

- Si vrojtim më i përgjithshëm, sistemi i drejtësisë duket të jetë ende mjaftë joefikas çka shpije në procedura stërzgjatura të gjykimeve. Një prej shkaqeve për këtë janë numri i madh i seancave dëgjimore të quajtura joproduktive. Këto janë seanca dëgjimore të cilat shtyhen për një afat tjetër në mënyrë të menjëhershme dhe për të cilat asnjë hap procedural nuk ndërmerret për shkak të, si për shembull, mungesës së gjykatësit, prokurorit, avokatit apo të pandehurit. Shpesh këto seanca dëgjimore joproduktive do të mund të shmangeshin me informimin me kohë të të gjitha palëve paraprakisht.
 
-Një shkak tjetër janë intervalet kohore të tepruara dhe të paarsyetuara mes seancave gjyqësore. Në Kosovë është praktikë e zakonshme që gjykatat të mos caktojnë të gjitha seancat dëgjimore në fillim të gjykimit. Në të kundërtën, në shumë raste data e seancave dëgjimore të ardhshme caktohet pas çdo seance gjyqësore. Ne besojmë se do të ishte shumë përfituese nëse shqyrtimi kryesor do të mbahej sa më konciz që të jetë e mundur. Për shembull, palët dhe trupi gjykues do të kishin nevojë për më pak përgatitje para çdo seance, ekzaminimi i palëve, dëshmitarëve dhe ekspertëve do të mund të ishte më koherent, dhe në përgjithësi, do të kishte më pak nevojë për përsëritjen e veprimeve në procedurën gjyqësore.  

-Një arsye e tretë për procedurat gjyqësore të gjata të cilat janë vërejtur ka të bëjë me faktin se procedurat gjyqësore nuk regjistrohen në audio apo video, por me shkrim, shpesh fjalë për fjalë. Kjo rezulton jo vetëm në procedura gjyqësore të tejzgjatura por ka edhe ndikim negativ mbi cilësinë e dëshmive meqë vë sforcim shtesë mbi palët dhe dëshmitarët, posaçërisht mbi dëshmitarët e cenueshëm, meqë ata nuk kanë mundësinë të japin dëshmi në rrjedhë koherente.  Përveç këtyre shkaqeve të cekura të cilat shpijnë në procedura gjyqësore të gjata, do të dëshiroja të theksoja disa gjetje më specifike nga monitorimi i kryer prej EULEX-it:

  • E para ka të bëjë me përdorimin e tepërt të masës së paraburgimit, dhe kohëzgjatja e tepërt e paraburgimit. Paraburgimi është një prej disa masave që parashihet me Kodin e Procedurës Penale, kryesisht për të siguruar praninë e të pandehurit gjatë hetimeve dhe gjykimit. Meqë paraburgimi nënkupton kufizim të rreptë mbi të drejtën themelore për liri, kjo masë do të duhet të aplikohet vetëm si masë e fundit dhe të shqiptohet për kohë sa më të shkurtër të mundshme. Megjithatë, nga monitorimi EULEX-i ka vërejtur se paraburgimi shpesh aplikohet në mënyrë sistematike pa vërtetim të duhur dhe mbanë, me apo pa qëllim, efekt ndëshkues i cili nuk është në vijë me standardet e gjykimit të drejtë.  


Përveç kësaj, EULEX-i ka identifikuar edhe kohëzgjatjen e tepruar të paraburgimit si shqetësim i rëndë. Në vitin 2021, ishin 37 raste të personave në paraburgim për 2 apo më shumë vite, me shembuj të 4 personave që kanë qenë në paraburgim për 6,7,9 edhe 12 vite, përkatësisht, çka shkakton edhe shqetësime të rënda nga perspektiva e të drejtave të njeriut për gjykim të drejtë. Po ashtu, një numër i shtuar i ish të burgosurve kanë gjetur rrugën e tyre për në gjykatë duke kërkuar kompensime monetare, duke përbërë kështu edhe rrezik financiar për sistemin e drejtësisë.
 

  • ∙Një gjetje tjetër që dua të theksoj është politika e rigjykimeve. Është monitoruar që Gjykata e Apelit ka bërë praktikë të zakonshme kthimin e një numri relativisht të lartë të rasteve në Gjykata Themelore për rigjykim, pavarësisht nocionit se instrumenti i rigjykimit duhet të aplikohet vetëm si përjashtim. Arsyeja për këtë është se rigjykimi prekë të drejtat e të akuzuarit për gjykim të drejtë brenda një periudhe kohore të arsyeshme. Si shënim anësor, EULEX-i ka identifikuar se trendi i kthimit të shumë rasteve për rigjykim është një shkak tjetër për shqetësimin e cekur më parë rreth periudhave të stërzgjatura të paraburgimeve. Gjithashtu, këto rigjykime shpesh lidhen me gjykime të profileve të larta.

 
Një shqetësim i ndërlidhur që EULEX-i ka monitoruar është praktika e Gjykatave Themelore për caktimin e rasteve që kthehen për rigjykim tek trupi gjykues i njëjtë që fillimisht është marrë me rastin nëpër ato Gjykata Themelore. Ndonëse Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka argumentuar se kjo arsyetohet për shkaqe të efikasitetit, EULEX-i beson se kjo praktikë ka implikime mbi të drejtat e njeriut. Është monitoruar se këto procedura të rigjykimeve kryhen dukshëm më shpejt meqë si palët ashtu edhe gjykatat janë të njoftuara mirë me rastin. Shqetësimi ynë është se këto procedura kanë mungesë të thellësisë apo plotësisë që kërkohet tek rigjykimet. Më e rëndësishme, gjyqtarët e Gjykatave Themelore hasin në dilema etike të gjykimit të bazuar në provat faktike të njëjta, apo shumë pak të ndryshuara. Përfundimisht, ata duhet të rivlerësojnë vendimet e veta të mëparshme  gjë që mund të vë në pikëpyetje paanshmërinë e tyre. Gjithashtu, ne kemi monitoruar se shpesh palët ankesat e të cilave janë pranuar kanë përfunduar me mosbesim në drejtësinë e procedurave të reja, duke supozuar se është e pamundur që gjyqtari apo trupi gjykues i njëjtë do të dali me ndonjë konkluzion të kundërt.
 

  • Një gjetje shqetësuese nga periudha kur EULEX-i ka filluar monitorimin qysh në vitin 2018 ishte se shumë raste të profilit të lartë i janë caktuar trupit gjykues të njëjtë, pavarësisht nocionit se lëndët duhet të caktohen me tërheqje të shortit. Megjithatë, prezantimi i fundit i modulit për Caktimin Automatik të Lëndëve, si pjesë e Sistemit të përgjithshëm Informativ për Menaxhimin e Lëndëve, ka qenë i suksesshëm meqë caktimi i lëndëve vështirë se mund të preket tani e tutje. 

  • Një vrojtim tjetër pozitiv është mënyra se si i tërë zinxhiri i drejtësisë penale në Kosovë ka trajtuar rastet e korrupsionit, me bashkëpunimin e mirë të vërejtur mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Më 17 korrik 2021, Kosova riatdhesoi 11 kosovarë nga Siria. Prej këtyre 11 individëve, gjashtë janë burra, një është grua dhe katër janë fëmijë. Shtatë aktakuza janë ngritur nga Prokuroria Speciale në nëntor dhe dhjetor kundër të gjithë të rriturve. Ata janë akuzuar për ‘pjesëmarrje në grup terrorist’ për udhëtimin në Siri dhe për bashkëngjitje në ISIS, dhe deri në mars 2022 të gjitha rastet janë finalizuar në shkallën e parë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Të gjithë janë shpallur fajtorë për pjesëmarrje në grup terrorist dhe burrat janë dënuar me burgim. Këto raste janë trajtuar në mënyrë efikase së pari nga Prokuroria Speciale dhe pastaj nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës. Nuk janë vërejtur vonesa të konsiderueshme, çka është e rëndësisë specifike meqë shumica e të pandehurve kanë qenë në paraburgim.

 
Disa zhvillime të tjera pozitive që do të doja t’i theksoja është se që nga fillimi i këtij viti, përqindja e seancave dëgjimore joproduktive të monitoruara ka shënuar rënie në masë të konsiderueshme. Gjithashtu, ne jemi informuar se Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës është i angazhuar në hartimin e udhëzuesve për përmirësimin e caktimit të orareve të gjykimeve.
 
Më tej, dëshiroj të theksoj se si Kryesuesi aktual i KGJK-së ka qenë vërtetë aktiv kohëve të fundit për shënimin e përpjekjeve konkrete me qëllim të bërjes së sistemit gjyqësor më transparent dhe llogaridhënës. Për shembull, të gjitha seancat e KGJK-së transmetohen drejtpërdrejt, diçka që nuk praktikohet në shumicën e vet shteteve tona. Një iniciativë e kohëve të fundit e KGJK-së është themelimi i Komisionit të ri në kuadër të Gjykatës Supreme i cili ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të sistemit të gjykatave. Ai, si shembull, do të shqyrtojë se si lëndët duhet të prioritizohen nga gjykatat si dhe si të bëhet përmirësimi i sistemit të normave të gjyqtarëve. Kjo ka të bëjë me një normë të numrit të lëndëve që gjyqtarët duhet të procesojnë përgjatë një periudhe të caktuar dhe që në të ardhmen do të përfshijë një lloj sistemi të peshimit, që nënkupton se rastet e ndërlikuara do të peshojnë më shumë se rastet më pak të ndërlikuara, diçka që për momentin nuk ekziston. KGJK-ja kohëve të fundit po ashtu ka siguruar se pothuajse të gjitha rastet e transferuara që më parë janë trajtuar nga EULEX-i janë duke u procesuar, çka deri kohëve të fundit nuk ka ndodhur.  

Po ashtu, do të doja të potencoja diçka rreth trajtimit të rasteve të korrupsionit.  

Të fillojmë me punën e Policisë së Kosovës (PK), ku një prej organeve kryesore përgjegjëse për luftimin e korrupsionit është ajo që quhet Njësia Speciale e Hetimeve (NJSH). Në vitin 2019 ka patur përpjekje për mbylljen e asaj Njësie nga qeveria e kaluar, por pas një demarshi të përbashkët nga komuniteti ndërkombëtar ajo përpjekje ishte përmbysur. Megjithatë, NJSH ende është në rrezik meqë nuk ka bazë ligjore, diçka që shpresojmë se do të zgjidhet si pjesë e reformës së ardhshme në polici. Si shqetësim shtesë është mungesa e ndarjes së qartë mes punës së NjSH-së dhe të Drejtorisë së PK-së për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, e cila gjithashtu është e mandatuar të hetojë raste të korrupsionit.

Sa i përket ndjekjes penale, një zhvillim pozitiv është se brenda Prokurorisë Speciale është themeluar një Departament special për korrupsion dhe krime financiare, ndërsa pas Shkëmbimit të Letrave mes NjSH-së së PK-së dhe këtij Departamenti në Prokurorinë Speciale, bashkëpunimi është përmirësuar. Megjithatë, një strategji e planifikuar mirë për prezantimin e rasteve të ndërlikuara të korrupsionit në gjykata po ashtu duket se mungon. Po ashtu, hetimet financiare janë ende të dobëta, përfshirë hetimet për pastrimin e parave.  

Sa i përket gjykatave, ka patur shumë pak aktgjykime fajësuese të plotfuqishme dhe detyruese në raste të korrupsionit të profilit të lartë me shumë raste të kthyera në rigjykim apo me lirim nga akuza apo në rast të gjykimeve fajësuese shpesh me dënime të ulëta.  

Më tej, instrumenti i sekuestrimit dhe konfiskimit si një prej instrumenteve më të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk aplikohet mjaftueshëm. Sekuestrimi i aseteve ka të bëjë me marrjen e pasurisë gjatë hetimeve, ndërsa konfiskimi ka të bëjë me marrjen e përhershme të pasurisë pas aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës. Kjo nënkupton se konfiskimi final varet nga gjykata që shqipton aktgjykimin e plotfuqishëm. Megjithatë, siç u theksua, aktgjykimet e plotfuqishme, në veçanti në rastet e profilit të lartë, janë ende të rralla, andaj aplikueshmëria e konfiskimit fatkeqësisht është e rrallë.

Si vërejtje e fundit pozitive do të doja të theksoja se nën qeverinë aktuale, e cila ka fokus të fuqishëm mbi luftimin e korrupsionit, tashmë e theksuar edhe nga Ministrja Haxhiu, disa pjesë të rëndësishme të legjislacionit relevant janë miratuar kohëve të fundit nga Kuvendi i Kosovës: Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurive dhe Dhuratave, Kodi i amandamentuar i Procedurës Penale dhe Ligji i amandamentuar për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

Një iniciativë tjetër juridike relevante që është në pritje të miratimit para Kuvendit të Kosovës është projektligji për konfiskimin civil. Diçka që po ashtu është për t’u përgëzuar është se Qeveria e Kosovës për disa projektligje të rëndësishme ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venedikut dhe se ajo ka inkorporuar Konventën e Stambollit në Kushtetutën e Kosovës.

Disa prej shqetësimeve të theksuara më parë mund të adresohen nga këto pjesë të reja të legjislacionit. Për shembull, dispozitat e amandamentuara të Kodit të Procedurës Penale duhet të shpijnë në më pak rigjykime dhe Ligji i amandamentuar për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar duhet të shpije në procedura më të lehta për aplikimin e këtyre instrumenteve të rëndësishme.