07 tetor 2022
Më 6 tetor, përfaqësuesit e Shteteve Anëtare të BE-së në Komitetin për Aspektet Civile të Menaxhimit të Krizave ( CivCom ) me seli në Bruksel dhe zyrtarë të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm e përfunduan vizitën e tyre dyditore në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Kjo vizitë kishte për qëllim vlerësimin e punës së këtij Misioni në Kosovë dhe arritjen e një kuptimi më të
thellë të sundimit të ligjit dhe situatës së sigurisë në terren. Ajo përfshiu takime me përfaqësues të
autoriteteve të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, partnerë ndërkombëtarë të EULEX-it, si dhe
përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark , i priti mysafirët në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë
Kosovë dhe ofroi një pasqyrë të përgjithshme të mandatit dhe punës së këtij Misioni. Kryetari i CivCom,
Gábor Tóthi, shprehu interesimin e delegatëve për ta kuptuar më mirë situatën operacionale në Kosovë
dhe e falënderoi Misionin për mikpritjen.
Përfaqësuesit e Komitetit u informuan në detaje rreth punës së Misionit nga Shefi i Shtyllës për
Mbështetjen Operacionale të EULEX-it, Tomi Salosyrja , i cili i prezantoi detyrat që i mbulon kjo Shtyllë,
duke i shpjeguar sinergjitë me elementet tjera të Misionit, veçanërisht me Shtyllën për Monitorim.
Në fund të pjesës së paradites, delegatët u zhvendosën në selinë e Misionit në Prishtinë, ku Shefi i Shtyllës së Monitorimit të EULEX-it, Benny Jensen, bëri një raportim për rolin, strukturën organizative dhe aktivitetet e Shtyllës për Monitorim, e cila e mbulon të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale.
Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, e prezantoi punën e bërë nga njësia e tij në vlerësimin, përmes monitorimit të fuqishëm sistematik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura, të funksionimit të gjyqësorit të Kosovës në aspektin procedural, ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski , shpjegoi se si Misioni i mbështet përpjekjet e Shërbimit Korrektues të Kosovës për të zhvilluar një ekip profesional të drejtuesve të lartë përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit.
Gjatë pasdites, Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja, Ioanna Lachana, e prezantoi strategjinë e komunikimit të Misionit dhe rezultatet e arritura në tre vitet e fundit.
Pasdite, delegatët takuan edhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj dhe Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Enveri Peci dhe diskutuan për sfidat kryesore të sundimit të ligjit në Kosovë.
Takimet me institucionet e Kosovës vazhduan me një diskutim të detajuar me Zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, e cila vuri në pah prioritetet e ministrisë, me fokus të veçantë në procedurat e vetingut të brendshëm dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore. Shala e vlerësoi rolin e Misionit në ofrimin e rekomandimeve praktike që synojnë përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes aktiviteteve të tij monitoruese.
Delegatët u takuan edhe me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili foli për situatën e sigurisë në terren, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës, si dhe i prezantoi prioritetet dhe punën e Policisë së Kosovës në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
Më pas, delegacioni zhvilloi një bisedë të hapur me përfaqësues të shoqërisë civile, përkatësisht me Drejtorin Ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, me Drejtorin Ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, dhe me Menaxheren e Projektit të Iniciativës së Re Sociale, Milica Andrić Rakić. Përfaqësuesit e shoqërisë civile i theksuan sfidat - si në nivel sistemik ashtu edhe në atë praktik - me të cilat po përballen të gjitha komunitetet në Kosovë gjatë qasjes në drejtësi dhe e theksuan rëndësinë e drejtësisë tranzicionale.
Në fund të ditës së parë, delegatët morën pjesë në një darkë pune, gjatë së cilës u informuan nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomáš Szunyog, dhe nga Komandanti i KFOR- it, Gjeneralmajor Ferenc Kajári.
Në ditën e dytë, delegacioni e vizitoi Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IFM), ku u informuan nga Ushtruesja e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, Flutra Goga-Bajrami, Zëvendësdrejtori i IML- së nga EULEX-i, Javier Santana, dhe antropologia e EULEX-it, Luísa Marinho, mbi aktivitetet dhe operacionet e kryera nga EULEX-i dhe kolegët vendas të tij në fushën e personave të zhdukur. Delegatët i bënë një vizitë edhe sallës së antropologjisë dhe arkivit në IML.
Pas takimit në IML, të ftuarit vizituan objektet e EULEX-it në Mitrovicë, ku morën pjesë në një stërvitje për kontrollimin e turmave dhe trazirave nga Njësia Policore e Specializuar e këtij Misioni dhe KFOR-i, përkatësisht reaguesi i dytë dhe i tretë i sigurisë në Kosovë.
Këshilltari i Lartë i EULEX-it për Lirinë e Lëvizjes, Henri Clement, dhe Këshilltari i Lartë për Doganë dhe MIK, Alan Wilson, paraqitën një prezantim për punën e EULEX-it në lehtësimin e zbatimit të Protokollit Teknik të MIK-ut dhe për zhvillimet e fundit në fushën e lirisë së lëvizjes.
Pasdite, rrugës për në pikë-kalimin e përbashkët në Jarinjë, delegati lituanez i CivCom-it e nderoi kujtimin për Audrius Shenavicius, Doganieri i EULEX-it nga Lituania i cili u vra gjatë kryerjes së detyrës më 19 shtator 2013.
Në pikë-kalimin e përbashkët në Jarinjë, delegatët panë zbatimin e regjimit të ngjitjes së ngjitëseve në targa.
Delegacioni i CivCom-it e përfundoi vizitën e tij me një pritje zyrtare të organizuar në emër të Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian nga i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Republikës Çeke në Prishtinë, Pavel Bílek, dhe nga Shefi i EULEX-it. Në pritje morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të institucioneve vendase dhe shteteve anëtare të BE-së.
CivCom është komiteti që ka për detyrë ta këshillojë Komitetin Politik dhe të Sigurisë për aspektet civile të menaxhimit të krizave dhe përbëhet nga përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së. Ai përgatit dokumente planifikuese për misionet, i bën rekomandime Komitetit Politik dhe të Sigurisë dhe merret me zhvillimin e strategjive dhe koncepteve për menaxhimin e krizave civile dhe për kapacitetet civile.