Lajme

EULEX-i trajnon stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës për planet e vuajtjes së dënimit për rehabilitimin e të burgosurve

20 tetor 2022

Nga data 18 deri më 20 tetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka organizuar tre sesione trajnuese për Zbatimin e planeve të vuajtjes së dënimit për 88 pjesëtarë të stafit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).

Kjo punëtori u fokusua në mënyrën e zbatimit të planeve individuale të vuajtjes së dënimit, të cilat përshkruajnë aktivitetet që çdo i burgosur duhet t’i kryejë gjatë vuajtjes së dënimit. Planet e vuajtjes së dënimit janë një mjet i rëndësishëm për ta promovuar rehabilitimin e të burgosurve, për të ndihmuar në parandalimin e recidivizmit dhe për ta mbështetur riintegrimin e tyre të suksesshëm në shoqëri.

Drejtori i Përgjithshëm Zëvendësues i SHKK-së, Sami Gashi, e falënderoi EULEX-in për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se nga ky trajnim do të përfitojnë jo vetëm stafi i SHKK-së, por edhe vetë të burgosurit.

Duke e theksuar rëndësinë e përgatitjes së planeve të përshtatura me faktorët specifik të rrezikut dhe nevojat e të burgosurve të vlerësuar në nivel individual, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, e theksoi si hap shumë pozitiv faktin që Njësia për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve (NJVKB) tani është zyrtarisht funksionale, pas miratimit të Ligjit të ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale në gusht të vitit 2022.

Gjatë trajnimit u shpjegua gjithashtu rëndësia e zbatimit të konceptit të sigurisë dinamike, që nënkupton kapacitetin e personelit korrektues për të zhvilluar një marrëdhënie pozitive profesionale me të burgosurit, bazuar në drejtësinë, dialogun konstruktiv dhe ndërgjegjësimin për situatën.

Siç u theksua nga Këshilltarja Korrektuese dhe trajnuesja e EULEX-it, Heidi Kajander, rehabilitimi është i mundur vetëm aty ku ka një mjedis pa frikë dhe ku të burgosurit dhe personeli korrektues ndjehen të sigurt dhe ku ka kujdes për mirëqenien e tyre.

Ky trajnim ishte pjesë e ndihmës që EULEX-i i ka ofruar SHKK-së në zhvillimin e procedurave të planifikimit të vuajtjes së dënimit.

Në maj 2022, Njësia Korrektuese e lehtësoi një trajnim për zbatimin e planeve të vuajtjes së dënimit, i ofruar nga dy ekspertë nga Finlanda; në tetor 2019, EULEX-i organizoi një vizitë studimore në Finlandë me qëllim njohjen e zyrtarëve të SHKK-së me procesin e kryerjes së vlerësimit të rrezikut dhe nevojave si dhe krijimin e planeve të vuajtjes së dënimit; në vitin 2018, SHKK-ja filloi pilot projektin NJVKB, me mbështetjen e EULEX-it, si dhe në maj të viti 2017, ky Mision e organizoi një trajnim për 20 oficerë të SHKK-së për mënyrën se si t’i vlerësojnë të burgosurit.