Lajme

Reportazhe nga pjesa veriore e Kosovës: Reuters dhe ABC News Albania intervistojnë personelin e EULEX-it

19 nëntor 2022

Më 19 nëntor, emisioni “Ballkan” i ABC News Albania transmetoi një reportazh mbi pjesën veriore të Kosovës, me paraqitjen e intervistave me Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, Komandantin e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it (NJPS), Michal Tomasz Kocot, dhe Këshilltarin policor të lartë në veri, Peter Neuteufl.

Komandanti i NJPS-së shpjegoi se pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar dhe të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë janë të dislokuar në vende ku prania e tyre është e nevojshme dhe se ata janë të gatshëm të merren me detyra të vështira.

Shefi i EULEX-it tha: “Tani atje ka vakum të sigurisë pas dorëheqjes së shumicës së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që shërbenin atje. Ne, si EULEX, mund ta plotësojmë këtë vakum vetëm pjesërisht. Ne i kemi shtuar patrullimet tona, jemi duke u përpjekur që të risigurojmë popullatën vendore. Porosia për të gjithë është që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo provokim”.

Duke shpjeguar mbi rolin e Misionit si reagues i dytë i sigurisë, Wigemark ritheksoi se EULEX-i nuk ka mandat për marrjen përsipër të përgjegjësive të Policisë së Kosovës.

“Gjëra më e rëndësishme - pavarësisht se kush është duke ofruar siguri – është që njerëzit të jenë të sigurt këtu, që askush të mos ndihet i pasigurt dhe i kërcënuar, dhe që askush të mos e shfrytëzoj këtë – elemente kriminale apo çfarëdo elementi tjetër politik, për të përkeqësuar situatën,” theksoi Wigemark.

Këshilltari policor i lartë në veri shpjegoi se situata pas dorëheqjeve të zyrtarëve policorë serb të Kosovës është e vështirë dhe shtoi: “Policia gjithmonë duhet të jetë pasqyrë e shoqërisë,” duke theksuar se të gjitha etnitë duhet të përfaqësohen.

Po atë ditë, edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters transmetoi një reportazh për situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Ekipi i Reuters intervistoi Komandantin e Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it, Mariano Bastanza, i cili shpjegoi se Karabinieri italian i dislokuar së fundmi në Kosovë është këtu për të mbështetur mandatin e EULEX-in dhe për të monitoruar situatën, e cila ende është e ndjeshme.

Intervista e plotë  me ABC News Albania: https://m.youtube.com/watch?v= H2WLiUnuklk&feature=emb_title

Artikulli i Reuters: https://www.reuters.com/world/ europe/eu-police-patrol- kosovos-north-after-serb- officers-quit-2022-11-19/