10 dhjetor 2022
Prej 9 deri më 10 dhjetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e ka organizuar një trajnim dyditor për rreth 70 avokatë – anëtarë të Odës së Avokatëve të Kosovës të Rajonit të Mitrovicës. Në fokus të trajnimit ishte Kodi i ndryshuar i Procedurës Penale të Kosovës, i cili do të hyjë në fuqi në shkurt të vitit 2023.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në fjalën hyrëse të tij, Shefi i Shtyllës së EULEX-it për Monitorim, Benny Jensen, rikujtoi rëndësinë e funksionit të avokatit: “Avokatët janë një pjesë e rëndësishme e zinxhirit të drejtësisë. Ata janë të angazhuar në promovimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut duke ofruar ndihmë profesionale për qytetarët, duke ndikuar pozitivisht në cilësinë dhe efikasitetin e gjyqësorit, me qëllimin përfundimtar rritjen e besimit të publikut në ligje dhe në institucionet gjyqësore”.
Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besim Curri, theksoi se si: “Për herë të parë Kodi i Procedurës Penale ka ndryshime thelbësore, sa i përket përfitimeve, jo vetëm për avokatët, por edhe për qytetarët”.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës – Dega Rajonale në Mitrovicë, Vehbi Beqiri, e hapi ditën e dytë duke e theksuar rëndësinë e mbajtjes së këtij trajnimi pikërisht pak përpara hyrjes në fuqi të Kodit të ndryshuar të Procedurës Penale.
Trajnimi u mbajt nga avokati i Odës së Avokatëve të Kosovës, Artan Qerkini, dhe nga gjyqtari në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Ali Kutllovci, dhe i ka përfshirë ndryshimet e rëndësishme si: mbrojtja e detyrueshme, mbrojtja me shpenzime publike, hetimi, qasja publike në aktakuza dhe publikimi i aktgjykimit, aktgjykimi në mungesë, sekuestrimi dhe konfiskimi, seanca e dënimit, trajtimi më i mirë dhe më efikas i të pandehurve me çrregullime mendore.
Të gjitha sesionet e trajnimit ishin mjaft interaktive dhe u pritën shumë mirë nga pjesëmarrësit, të cilët ngritën shumë tema të rëndësishme diskutimi rreth këtyre ndryshimeve, duke propozuar dhe kërkuar mundësi për mbajtjen e trajnimeve shtesë në të ardhmen.
Ky ishte aktiviteti i parë i një varg sish të planifikuara si pjesë e projektit të EULEX-it “Fuqizimi i kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe bashkëpunimi ndërmjet policisë dhe prokurorisë në hetimet penale”.