15 dhjetor 2022
Duke e pasur parasysh përshkallëzimin e fundit të dhunës në pjesën veriore të Kosovës, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, ka dhënë intervista të gjera për Associated Press, Kosovo Online dhe Tanjug.
Më 11 dhjetor, disa orë pas sulmit me bombë çorientuese ndaj një patrulle vëzhgimi të EULEX-it, Wigemark foli për Associated Press duke u bërë thirrje “atyre që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprimet tjera provokuese” dhe u kërkoi institucioneve të Kosovës “që t’i sjellin autorët përpara drejtësisë”.
Më 14 dhjetor, Shefi i EULEX-it foli me Kosovo Online për sulmin me bombë çorientuese ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it, duke e dënuar ashpër sulmin dhe duke konfirmuar: “Nuk ka anjsë dyshim se ky incident ka ndodhur”.
Duke i përshkruar Njësinë Policore të Specializuar dhe Njësinë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it, Wigemark shpjegoi se si: “Në fillim të nëntorit, ne patëm marrë përforcime përpara se të përshkallëzoheshin tensionet. Ne e kemi një njësi policore kryesisht nga Polonia që është shumë profesionale dhe e trajnuar mirë, veçanërisht për kontrollimin e turmave dhe trazirave. I kemi edhe 24 karabinierë italianë të cilët erdhën në fillim të nëntorit dhe një grup të vogël të policisë speciale nga Lituania”.
Shefi i EULEX-it rikujtoi gjithashtu mandatin e qartë të Misionit për ta monitoruar të gjithë zinxhirin e drejtësisë dhe kujtoi se si: “Tani që komuniteti serb është tërhequr nga institucionet e Kosovës, besimi është edhe më i vogël. Prandaj e theksoj se është e rëndësishme që serbët të kthehen, sepse ekziston mënyra për ta ndërtuar besimin”.
Duke folur për Tanjug-un, në të njëjtën ditë, Wigemark konfirmoi se: “Situata e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është shumë e rëndë, shumë e tensionuar dhe qytetarët e rëndomtë janë të frikësuar”, duke e konfirmuar kufizimin aktual të lirisë së lëvizjes dhe duke shtuar se EULEX-i e ka trefishuar praninë e tij dhe po mundohet të jetë sa më i pranishëm për ta qetësuar situatën.
Duke iu referuar pranisë së barrikadave, Shefi i EULEX-it shpjegoi se Misioni nuk ka as autoritet dhe as forcë që t'i largojë fizikisht barrikadat.
Më shumë lidhur me këto intervista:
Për Kosovo Online: https://www.kosovo-online.com/intervjui/vigemark-ovde-je-pravda-spora-situacija-je-napeta-bilo-bi-jako-lose-ako-i-srbi-s- juga
Për Tanjug: https://tanjug.rs/srbija/politika/3121/sef-euleksa-situacija-na-severu-kim-ozbiljna-barikade-ukloniti-mirnim-putem/vest