Lajme

Intervistë e Zëdhënëses së EULEX-it me Il Fatto Quotidiano mbi punën e Misionit për gjetjen e fatit të personave të zhdukur

26 janar 2023

Më 26 janar, e përditshmja italiane Il Fatto Quotidiano botoi një intervistë të gjatë me Udhëheqësen e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësen e EULEX-it, Ioanna Lachana, e cila foli rreth mandatit dhe punës së Misionit për mbështetjen e homologëve vendorë në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për gjetjen e fatit të personave të zhdukur të Kosovës.

Lachana theksoi se qysh nga fillimi i mandatit e deri më sot EULEX-i ka punuar pareshtur për gjetjen dhe kthimin e mbetjeve mortore të personave të zhdukur tek familjet e tyre. Vetëm gjatë vitit 2022, Misioni ka kryer 42 operacione në teren, që kanë rezultuar me 16 zhvarrime dhe me identifikimin e mbetjeve mortore të gjashtë personave.

Gjatë intervistës së saj, Zëdhënësja e EULEX-it tha se janë edhe 1621 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë dhe nga periudha e menjëhershme pas saj, dhe theksoi sfidat e ekspertëve të IML-së për gjetjen e varreve të mundshme klandestine dhe për identifikimin e viktimave, me një shpjegim se si këto sfida bëhen shumë më të vështira me kalimin e kohës.

Intervista e plotë në gjuhën italiane: Kosovo, ancora più di 1.600 desaparecidos del conflitto con la Serbia. E nel Paese torna la paura della guerra - Il Fatto Quotidiano