Lajme

Shefi i EULEX-it e vizitoi regjionin e Mitrovicës

07 shkurt 2023

Me 7 shkurt, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark e vizitoi regjionin e Mitrovicës për të diskutuar lidhur me sundimin e ligjit dhe situatën aktuale të sigurisë në veri të Kosovës me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, partive politike, shoqërisë civile dhe shumë qytetarë lokalë.

Para dite, Wigemark e takoi Drejtoren e Policisë së Kosovës për Regjionin e Mitrovicës - Jugu, Kolonel Afërdita Mikullovci, për ta diskutuar situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe koordinimin ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Në pjesën veriore të Mitrovicës, ai u takua me Kryetarin dhe Nënkryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq, ku e theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit për ta mbështetur sigurinë dhe të drejtat e njeriut të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Në Zveçan, Shefi i Misionit EULEX i takoi Drejtorin Ekzekutiv të OJQ-së AKTIV, Miodrag Milićević dhe Milija Biševac, përfaqësuese e Iniciativës Qytetare Zubin Potok, ku shkëmbyen pikëpamje lidhur me rëndësinë e një shoqërie civile të angazhuar dhe se si pluralizmi politik dhe dialogu lokal ndërmjet komuniteteve të ndryshme në mbarë Kosovën është tejet i rëndësishëm për ta tejkaluar mungesën e vazhdueshme të komunikimit.

Shefi i EULEX-it ka mbajtur edhe dy takime të ndara me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani dhe Ushtruesin e Detyrës së Komandantit të Policisë së Kosovës në Leposaviq, Fejzi Nuha lidhur me sfidat e paraqitura nga vakumi i vazhdueshëm i sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili deri më tani është plotësuar vetëm pjesërisht. Gjatë këtyre takimeve, Wigemark e theksoi angazhimin e EULEX-it për ta forcuar besimin ndërmjet pjesëtarëve të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe institucioneve zyrtare të Kosovës, si dhe duke i monitoruar hetimet dhe rastet gjyqësore të përzgjedhura dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Në fund të ditës, Wigemark i dëgjoi me interes shqetësimet e mirëfillta të banorëve lokalë të Drenit dhe Leshakut që janë prekur nga procedurat e shpronësimit të tokës dhe punët përgatitore të nisura së fundi, duke i siguruar ata se BE-ja pret që të ndiqet procesi i drejtë duke theksuar se duhet të respektohen të drejtat themelore të popullatës së prekur.