Lajme

EULEX-i i dhuron pajisje të TI-së Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar

10 shkurt 2023

Më 10 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i dhuroi Agjencisë Kosovare për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar (AAPSK) 36 pajisje duke përfshirë laptopë, kompjuterë, monitorë dhe një kamerë.

Ky donacion do ta lehtësojë punën e përditshme të AAPSK-së, që është ruajtja dhe administrimi i pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara në bashkëpunim me prokurorinë, gjykatat dhe organet e tjera kompetente.

Shefi i Misionit EULEX në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ia dorëzoi pajisjet e TI-së Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AAPSK-së, Enver Krasniqit dhe Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Drejtoratit të Pranimit, Vlerësimit, Ruajtjes së Vlerës dhe Shitjes së Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Alban Sutaj, i cili shprehu mirënjohjen e tyre për donacionin dhe mbështetjen që po marrin nga EULEX-i për zbatimin e mandatit të Agjencisë.

Misioni ka rreth një vit që bashkëpunon me AAPSK-në duke i ndarë ekspertizën dhe njohuritë e tij në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive, në mënyrë që ta ndihmojë Agjencinë për zbatimin e mekanizmave efikas të punës.

Gjatë muajve në vijim, EULEX-i do ta mbajë gjithashtu një kurs trajnimi për çështjen e sekuestrimit dhe konfiskimit që synon profesionistët e fushës, prokurorët dhe gjyqtarët, gjatë të cilit përfaqësuesit nga AAPSK-ja do të kenë mundësinë që ta prezantojnë punën e Agjencisë dhe të shkëmbejnë njohuri me pjesëmarrësit.