03 mars 2023
Më 3 mars, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) nisi projektin “Fuqizimi i të rinjve kundër dhunës në baza gjinore”, i zbatuar në partneritet me OJQ-në Assist Kosovo.
Projekti ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e dhunës në baza gjinore përmes sensibilizimit në mesin e rinisë së Kosovës dhe përmes pajisjes së vajzave dhe djemve me instrumentet e nevojshme për avokimin aktiv për barazi gjinore dhe fuqizim të grave brenda komuniteteve të tyre.
Drejtoresha ekzekutive e Assist Kosovo, Visare Berisha, dhe Këshilltarja e EULEX-it për çështje gjinore, Chiara Tagliani, mirëpritën grupin prej 12 anëtarëve të OJQ-së dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut, të cilët do të trajnohen për mësimin e bashkëmoshatarëve të tyre për t’u bërë liderë të komunitetit aktiv, duke ngritur zërin kundër dhunës në baza gjinore dhe duke luftuar pabarazitë.
Gjatë prezantimit para pjesëmarrësve të objektivave të projektit dhe shpjegimit të programit të seancave të ardhshme të trajnimit, Drejtoresha ekzekutive e Assist Kosovo i inkurajoi ata që të shfrytëzojnë vetëbesimin dhe motivimin e tyre të brendshëm: “Gjatë trajnimit ju do të përfitoni mjete teknike dhe psikologjike, siç janë teknikat për avokim, dëgjimi aktiv i audiencës dhe ndjeshmëria kulturore. Megjithatë, ajo që më së shumti ka rëndësi është se ju mund të komunikoni entuziazmin dhe përkushtimin tuaj tek të tjerët,” tha Berisha.
Aktivistët e rinj të cilët janë përzgjedhur për t’u bërë trajnerë për liderë të komunitetit aktiv vijnë nga fusha të ndryshme, por ajo që të gjithë kanë të përbashkët është pasioni për ndryshimin e gjërave dhe ndihma dhënë të tjerëve për fuqizim.
Flutura Balaj, një nga vijueset e trajnimit, është një astrofizikante 23-vjecare nga Istogu dhe autore e dokumentarit “Shtojzovalle”, që trajton fuqinë magjike të grave, i prezantuar në DokuFest në vitin 2018.
Duke shpjeguar arsyen e saj për t’iu bashkuar këtij projekti, Balaj theksoi se ajo gjithmonë ka qenë e apasionuar për promovimin e barazisë gjinore: “Ndonëse jam lindur në një qytet të vogël, që kur isha fëmijë gjithherë jam inkurajuar nga nëna që të kisha ëndrra të mëdha. Fatkeqësisht, janë djemtë ata që shpesh inkurajohen për ëndrra të mëdha, e jo vajzat, kjo është arsyeja pse unë dua t’u ndihmoj të tjerëve për ndjekjen e ambicieve, fuqizimin e të menduarit të lirë, dhe t’iu them se ata mund të arrijnë çdo gjë që e dëshirojnë.”
Projekti do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me një sërë sesionesh të trajnimeve që do të organizohen nëpër Kosovë me qëllim të zhvillimit të një rrjeti të liderëve të komunitetit aktiv.