16 shkurt 2023
16 shkurti shënon Ditën e Rithemelimit të Shtetit të Lituanisë. Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme e Lituanisë i ka nderuar katër pjesëtarë të stafit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) me Medaljen për Shërbim Shembullor.
Gjatë një ceremonie zyrtare të mbajtur në Kompleksin Ekzekutiv të Policisë së EULEX-it në Fushë Kosovë, Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, Zëvendës Shefi i Misionit EULEX, Cezary Luba, Komandanti i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR) nga Karabinieria italiane dhe një xhandar lituanez i NJPSR-së së EULEX-it nga Njësia për Operacione Speciale e Lituanisë, morën medaljet e shkallës së parë, respektivisht të shkallës së dytë dhe shkallës së tretë për shërbimin e tyre shembullor, në prani të Ushtruesit të Detyrës së Komandantit të Shërbimit të Sigurisë Publike të Lituanisë, kolonel Arūnas Paulauskas.
Në fjalën e tij, Shefi i EULEX-it e uroi Lituaninë për Ditën e Rithemelimit të Shtetit dhe i falënderoi xhandarët lituanez që i përkasin Shërbimit të Sigurisë Publike, të cilët aktualisht janë pjesë e NJPSR të EULEX-it, si dhe xhandarët e NJPSR-së nga Karabinieria italiane për punën e tyre të jashtëzakonshme dhe për shërbimin e tyre, veçanërisht gjatë kohës së tensionuar në fund të vitit 2022.
“Aktiviteti monitorues që e bëtë ju, përmes patrullimeve vëzhguese, ndihmoi në sjelljen e një shkalle të caktuar të stabilitetit dhe besimit në një situatë shumë kritike”, tha Wigemark, duke e theksuar mirënjohjen e tij për Lituaninë dhe Italinë për kontributin në NJPSR-në e Misionit.
Shefi i EULEX-it e kujtoi gjithashtu sakrificën sublime të Audrius Shenavicius-it, doganier i EULEX-it nga Lituania, i cili u vra në krye të detyrës kur automjeti i tij u qëllua me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës më 19 shtator 2013.
Para ndarjes së medaljeve, Koloneli Paulauskas e shprehu vlerësimin e tij për punën e Misionit në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës dhe në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.
Duke evokuar historinë e shtetit lituanez dhe duke e kujtuar parimin e demokracisë si vlerën themeltare të tij, Paulauskas ripohoi angazhimin e Lituanisë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri.
“Ne e dimë se çfarë do të thotë të humbasësh sovranitetin dhe të luftosh për të, të sakrifikosh jetën për të. Kjo është arsyeja pse ne jemi kaq mbështetës për Ukrainën: kjo nuk është një luftë për territor, por është një luftë për pavarësi dhe liri”, tha Paulauskas.
Pas ceremonisë për ndrajen e medaljeve, Koloneli Paulauskas dhe pesë xhandarët lituanez e nderuan kujtimin e Shenavicius-it duke vendosur një kurorë tek përmendroja e tij afër Zveçanit.