Lajme

Këshilltarja e EULEX-it për të Drejtat e Njeriut merr pjesë në një diskutim mbi librin: “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”

06 korrik 2023

Më 6 korrik, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur në Kosovë dhe forumi ZFD organizuan një diskutim në Shtërpce, i cili u fokusua në librin “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”, në të cilin paraqiten rrëfimet e 10 prindërve dhe familjarëve të fëmijëve të vrarë ose të zhdukur gjatë konfliktit të fundit në Kosovë dhe të 2 fëmijëve që u rritën pa prindër për shkak të këtij konflikti.

Këshilltarja e EULEX-it për të Drejtat e Njeriut, Valentina Vitali, foli në këtë aktivitet, i cili mblodhi së bashku familjarë të personave të zhdukur dhe pjesëtarë të komunitetit lokal, duke i theksuar përshtypjet e saj personale pas leximit të këtij libri: “Si prind dhe si vajzë, por edhe thjesht si qenie njerëzore, u ndjeva shumë pranë të gjitha historive dhe u mbërtheva nga trishtimi, por, të them të drejtën, edhe nga mllefi dhe inati ndaj autorëve të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pamëshirshme. Ajo që gjithashtu më goditi vërtet është bujaria me të cilën protagonistë të ndryshëm të këtij libri ndanë me të gjithë ne historitë e tyre dhe historinë e fëmijëve dhe prindërve të tyre. Kjo më krijoi një ndjenjë mirënjohjeje ndaj tyre që ishin të çiltër dhe ndanë kujtimet e tyre me të gjithë ne”.

“Leximi i këtyre historive më bëri gjithsesi të mendoj për përgjegjësinë që ne, veçanërisht stafi ndërkombëtar i misioneve, e kemi ndaj popullatës vendase dhe të gjithë popujve të Kosovës”, tha Vitali duke shtuar se nga fillimi i mandatit të tij në vitin 2008 e deri më sot, EULEX-i i ka përkrahur institucionet e Kosovës për kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.

“Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it, janë identifikuar 27 fëmijë, përfshirë 24 shqiptarë dhe tre serbë. Mosha e këtyre fëmijëve të identifikuar është nga 0 deri në 18 vjeç, mesatarisht 12 vjeç”, shpjegoi Vitali, duke shtuar se sipas statistikave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, 131 fëmijë janë ende të zhdukur.

E pyetur për konventat ndërkombëtare që janë në fuqi për trajtimin e fëmijëve dhe konflikteve, si dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, Vitali u shpreh se instrumenti më i gjerë për të drejtat e fëmijëve është Konventa e vitit 1989 për të Drejtat e Fëmijës: “Kjo Konventë ka arritur ratifikim pothuajse universal dhe ajo këmbëngul që grupet e armatosura nuk duhet t’i përdorin fëmijët nën 18 vjeç në asnjë rrethanë, duke u bërë thirrje shteteve që t’i kriminalizojnë këto praktika.

Vitali theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të punojë më shumë për parandalimin e konflikteve dhe për zbulimin e hershëm të tyre. Ajo theksoi se drejtësia penale është vetëm një nga mënyrat me të cilat shoqëritë mund të përballen me të kaluarën e tyre: “Vëmendje më e madhe i është kushtuar nismave të kërkimit të së vërtetës, dokumentimit të fakteve, përkujtimit, ndërgjegjësimit të rinjve. Organizatat e shoqërisë civile në Kosovë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Ky libër është një shembull i mrekullueshëm, kurse shembuj të tjerë të mrekullueshëm janë puna e Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Libri i Kujtesës i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH), ekspozita e FDH-së me sende të fëmijëve”.

Pas diskutimit, familjarët e personave të zhdukur që ishin të pranishëm në këtë aktivitet shprehën dhimbjen e tyre nga humbjet, si dhe nevojën për ta zbuluar të vërtetën për më të dashurit e tyre.