Lajme

Nderojmë Audrius Šenavičius me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së tij

19 shtator 2023

Më 19 shtator, Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së, Stefano Tomat, Përfaqësuesi i Përhershëm i Lituanisë në BE, Ambasadori Arnoldas Pranckevičius, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe në nderë të kujtimit të Audrius Šenavičius, Zyrtar doganor i EULEX-it nga Lituania, i cili u vra dhjetë vite më parë në krye të detyrës, kur automjeti i tij u sulmua me armë zjarri nga persona të panjohur në veri të Kosovës.

Vdekja tragjike e kolegut dhe mikut tanë të rënë u përkujtua në dy ceremoni përkujtimore, të mbajtura në Bruksel dhe në Kosovë.

Në fjalimin e tij në Selinë e EEAS/Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel, Komandanti i Operacioneve Civile të BE-së,  Stefano Tomat, rikujtoi: “Në orën 07.45 mëngjesin e së enjtes më 19 shtator 2013, tridhjetë e pesë vjeçari Audrius Šenavičius nga Lituania u vra gjersa ishte duke vozitur për në punë si ekspert doganor nga Misioni EULEX në Kosovë. Audrius nuk ishte vetëm koleg i çmuar, por ishte edhe baba i përkushtuar dhe i dashur, bashkëshort, bir dhe mik i mirë. Audrius po shërbente nën kushte të vështira dhe të rrezikshme – ai ia përkushtoi rolit të tij energjinë dhe përkushtimin dhe humbi jetën në kërkim të një kauze të denjë.

Bashkimi Evropian ka nderuar kujtimin për jetën dhe sakrificën e Audrius Šenavičius duke dedikuar një gur përkujtimor në nderë të tij të cilin ai tani e ndanë bashkërisht me tërë personelin e BE-së që kanë rënë në detyrë. Memoriali i vendosur këtu në zemër të Selisë së Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së është përkujtim i përhershëm për të gjithë për çmimin më sublim që disa kanë paguar për ruajtjen e sigurisë së Evropës dhe vlerave të saj.”

Përfaqësuesi i Përhershëm i Lituanisë në BE, Ambasadori Pranckevičius tha: "Shërbimi i Audrius Šenavičius në Misionin EULEX në Kosovë kërkoi sakrificën e tij më të lartë: jetën e tij. Unë besoj se për shumë prej nesh, detyra e tij, shërbimi i tij dhe sakrifica e tij janë po ashtu rikujtim për rëndësinë e misioneve që BE-ja ka nëpër botë. Njerëzit si Audrius shërbejnë përtej vetes, ata i shërbejnë drejtësisë dhe vlerave të cilat BE-ja i mbështetë – demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut."

Në Kosovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, hapi ceremoninë ku tha: “Respekt për familjen e tij dhe të gjithë pjesëtarët e EULEX-it që shërbejnë për sundimin e ligjit në Kosovë. Nderime dhe respekt të përhershëm për ata dhe familjet e tyre.”

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, përkujtoi Šenavičius dhe shërbimin e tij të devotshëm duke rikujtuar si: “Edhe pas dhjetë vitesh, ky krim ende nuk është zbardhur dhe kryerësit nuk kanë dhënë përgjegjësi. Audrius dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe Bashkimi Evropian presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi,” dhe shtoi: “Audrius u vra tragjikisht gjersa ishte rrugës për në punë, në mbështetje të institucioneve të Kosovës, institucione që vazhdojmë t’i monitorojmë, mentorojmë dhe këshillojmë. Trashëgimia e tij mbahet gjallë përmes punës sonë të vazhdueshme dhe përkushtimit të palëkundur të Lituanisë për EULEX-in dhe mandatin e tij. Në fakt, vetëm dje, 20 zyrtarë të sigurisë publike nga Lituania u dislokuan në Kosovë për t’iu bashkuar Njësisë aktuale Rezervë të Policisë së Specializuar nën mbrojtjen e Forcës Evropiane të Xhandarmerisë.”

“Ky është një pasqyrim i theksuar se pas një dekade të plotë, forcat e EULEX-it në teren ende nevojiten për të mbështetur homologët tanë nga Kosova, ne veçanti pasi që situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë. Uroj që kjo ceremoni të na i kujtojë edhe pasojat e jostabilitetit të vazhdueshëm në rajon, si dhe urgjencën për rizotimin tanë për kauzën e pajtimit dhe studimit të ligjit si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën sublime të kolegut tanë Audrius.”

EULEX-i i bën thirrje çdo personi që mund të ketë informacion që do ta ndihmonte policinë të paraqitet. Misioni ofron një shpërblim prej 82,000 euro për informata që qojnë në arrestimin dhe dënimin e kryerësit apo kryerësve të kësaj vrasje.

Për hollësi mbi raportimin e çdo informate në lidhje me vrasjen e Šenavičius, luteni të kontaktoni +383 38 284 181 ose të shtypni këtu: Rasti Audrius Šenavičius.