Lajme

Ekspertët e EULEX-it morën pjesë si trajnerë në një program trajnimi të specializuar për krime të luftës

02 nëntor 2023

Më 1 dhe 2 nëntor, ekspertë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) morën pjesë si trajnerë në Programin e Trajnimit të Specializuar dyditor për Krime të Luftës të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Akademia e Drejtësisë, me synim stafin profesional të institucioneve gjyqësore të Kosovës që punojnë në fushën e krimeve të luftës, përkatësisht gjyqtarë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës, gjyqtarë nga Gjykata e Apelit, si dhe prokurorë dhe profesionistë ligjorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Nga viti 2008 deri në qershor 2018, EULEX-i kishte mandat ekzekutiv për t’i hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe përgjatë gjithë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni u përpoq të sigurojë llogaridhënie për krimet e luftës. Duke u bazuar në këtë njohuri të fortë, Shefi i Seksionit Ligjor të EULEX-it, Paul Flynn dhe Monitoruesi Kryesor Tematik i EULEX-it për Krimet sipas të Drejtës Ndërkombëtare, Petko Petkov, u ftuan që të ndajnë njohuritë e tyre duke u fokusuar në rëndësinë e provave rrethanore në rastet e krimeve të luftës, parimi e përgjegjësisë komanduese, dallimi ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit dhe hetimi dhe gjykimi në mungesë.

Në ditën e parë, Flynn e filloi sesionin e tij të trajnimit duke folur për rëndësinë e provave rrethanore në rastet e krimeve të luftës. Flynn kujtoi se si provat rrethanore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e krimeve të luftës që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë. Ai theksoi se, në raste të vështira, provat rrethanore bëhen të domosdoshme pasi mund të përdoren për t’i plotësuar provat e formave tjera. "Provat rrethanore shërbejnë si një mjet thelbësor për ta ndërtuar një narrativë koherente, e cila mund të ndihmojë në lidhjen e pikave midis fakteve të izoluara dhe të sigurojë një pamje më të qartë të ngjarjeve të përmendura në dëshminë e drejtpërdrejtë", shpjegoi ai, duke shtuar se si: "Përdorimi efektiv i provat rrethanore është pa dyshim një mjet i tillë pasi e përforcon sundimin e ligjit. Kjo dërgon një mesazh të qartë se edhe në rastet më sfiduese, sistemi ligjor është i përkushtuar për ta zbardhur të vërtetën dhe për të kërkuar përgjegjësi nga autorët për veprimet e tyre”.

Për më tepër, Flynn i përshkroi sfidat dhe kompleksitetin që rrjedhin nga zbatimi i parimit të përgjegjësisë komanduese, e cila në teori duhet të shërbejë si një instrument vendimtar për t'i mbajtur përgjegjës udhëheqësit dhe eprorët për krimet e luftës të kryera nga vartësit e tyre.

Gjatë ditës së dytë, Petkov iu drejtua pjesëmarrësve duke shpjeguar dallimet juridike ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit dhe sqaroi se këto dy nocione përfaqësojnë kategori të veçanta juridike, secila me veçori dhe implikime përcaktuese unike. "Një mirëkuptim i thellë është i domosdoshëm për ta lehtësuar interpretimin dhe zbatimin e saktë të së drejtës ndërkombëtare në kontekste të ndryshme", tha Petkov, duke vënë në dukje se krimet e luftës mund të përfshijnë akte individuale dhe mund të mos jenë domosdoshmërisht pjesë e një sulmi sistematik kundër një popullsie civile, ndërsa krimet kundër njerëzimi kërkojnë një sulm sistematik dhe të gjerë kundër civilëve, gjë që tregon një shkallë më të lartë organizimi dhe planifikimi.