Lajme

EULEX-i merr pjesë në “Ditët e Gjyqësorit” të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

01 dhjetor 2023

Nga data 17 nëntor deri në javën e parë të dhjetorit 2023, Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizoi programin vjetor të tij “Ditët e Gjyqësorit”, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Në Ditët e Gjyqësorit ishin të pranishëm anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarë të gjykatave të Kosovës, gjyqtarë mbikëqyrës të gjykatave, administratorë të gjykatave, dhe organizata ndërkombëtare të cilat aktivisht e mbështesin sektorin e sundimit të ligjit të Kosovës. Në fokus të diskutimeve të përgjithshme ishin sfidat e gjykatave, reformat në drejtësi dhe bashkëpunimi i sistemit gjyqësor me partnerët zhvillimorë.

Përfaqësues nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) morën pjesë në Ditët e Gjyqësorit duke prezantuar në tri sesione të ndara punën që Misioni kryen për t’i ndihmuar gjyqësorit të Kosovës për të arritur një sistem të sundimit të ligjit më llogaridhënës, transparent dhe efikas, përmes monitorimit të thuktë të EULEX-it në gjyqësor dhe aktiviteteve raportuese nga monitorimi në drejtësi.

Më 17 nëntor, u.d. Udhëheqësi i Shtyllës së EULEX-it për monitorim, Hubert van Eck Koster, prezantoi mandatin unik të Misionit, i cili i mundëson EULEX-it të kryejë monitorim të thuktë të tërë zinxhirit të drejtësisë penale – në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor – me qëllim të mbështetjes së përmirësimit të sistemit të drejtësisë të Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij van Eck Koster theksoi se, ndonëse sistemi i drejtësisë i Kosovës ende ballafaqohet me sfida të shumëfishta, ca progres është monitoruar në fusha siç është procesimi i shumë rasteve të profilit të lartë, bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale për trajtimin e rasteve të terrorizmit, dhe funksionimi i Sistemit informativ për menaxhimin e lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Më 24 nëntor, van Eck Koster bëri një prezantim të thellë rreth monitorimit të thuktë gjyqësor nga Misioni dhe aktiviteteve raportuese nga monitorimi në drejtësi, të cilat kanë rezultuar me publikimin e tri raporteve nga monitorimi në drejtësi dhe disa raporteve specifike.  

Më 1 dhjetor, monitoruesja e EULEX-it për drejtësi, Heidi Heggdal, prezantoi disa prej gjetjeve dhe rekomandimeve kyçe të Misionit mbi çështje dhe sfida të ndryshme tek rastet penale që ndikojnë mbi efikasitetin e gjyqësorit.