Lajme

Pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it marrin Medaljen e Shërbimit të CSDP-së në prani të Ushtruesit të Detyrës së Komandantit të Përgjithshëm të Policisë së Polonisë

06 mars

Më 6 mars 2024, 78 policë polakë të Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u nderuan me Medaljen e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP). Kjo medalje është simbol i përkushtimit të tyre ndaj vlerave të paqes, sigurisë dhe drejtësisë gjatë shërbimit në këtë Mision.

Ceremonia për ndarjen e medaljeve u mbajt në Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë dhe u organizua nga Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, në prani të Ushtruesit të Detyrës së Komandantit të Përgjithshëm të Policisë së Polonisë, Kolonel Marek Boroń, Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, Shefit të Shtabit të KFOR NATO, Gjeneral Brigade John Bozhicevic, Komandantit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR NATO (MSU), Kolonel Massimo Rosati dhe të ftuarve të tjerë të shquar ndërkombëtarë.

Duke ju drejtuar pranuesve të medaljeve në fjalën e tij të hapjes, Barbano tha: “Si bartës të rolit të EULEX-it si reagues i dytë i sigurisë, ju qëndruat gati për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke punuar krah për krah me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”.

"Këto medalje janë mirënjohje e përkushtimit dhe shërbimit tuaj të jashtëzakonshëm," vuri në dukje Koloneli Marek Boroń duke i falënderuar policët polakë të NJPS-së për profesionalizmin dhe angazhimin e tyre.