Lajme

EULEX-i merr pjesë në Forumin e XVI-të për Drejtësinë Tranzicionale në Prishtinë

27 korrik

Më 27 korrik 2024, Shefja e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Luisa Marinho, mori pjesë në edicionin e XVI-të të Forumit Rajonal për Drejtësinë Tranzicionale, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i organizuar nga 27 deri më 28 korrik në Prishtinë nga Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë në partneritet me organizata të ndryshme.

Marinho mori pjesë në panelin i cili u përqendrua në përpjekjet institucionale për ta adresuar çështjen e personave të zhdukur që lidhen me konfliktin në Kosovë.

Duke e prezantuar punën e Misionit në mbështetjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML) në kërkimet e tyre për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, Marinho kujtoi se: “Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë mjeko-ligjor i EULEX-it ka punuar krah për krah me IML-në që nga fillimi i mandatit të misionit në vitin 2008. Sot, ekipi ynë vazhdon të punojë së bashku me kolegët në IML në baza ditore, si në terren për kërkimin e personave të zhdukur ashtu edhe në laborator në IML, si dhe gjithashtu për ekzaminimin dhe identifikimin e mbetjeve njerëzore”.

Në veçanti, ajo e shpjegoi punën komplekse që qëndron pas procesit të rishikimit të mbetjeve mortore në morgun e IML-së, duke theksuar se si: “Me këtë rishikim ne po aplikojmë një qasje strategjike, të përqendruar në shqyrtimin e dosjeve të rasteve, rikonstruktimit të historikut të secilit rast dhe të gjithë informacionit që mund të mblidhet nga arkivat për ngjarjen e ndërlidhur dhe për grupin e personave të zhdukur”.

Ajo përfundoi duke theksuar se si kjo është përgjegjësi e përbashkët që të sigurohet një përgjigje e koordinuar, e integruar, shumë-disiplinore dhe shumë shpesh e shumë agjencive. “Nevojitet një artikulim, komunikim dhe koordinim efektiv ndërmjet niveleve të ndryshme të reagimit (politik, organizativ dhe operacional), pa harruar se përfshirja aktive e familjeve në fjalë duhet të jetë në qendër të gjithë procesit”.

EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar për t’i mbështetur homologët e tij në IML dhe institucionet e tjera përkatëse për të hedhur dritë mbi fatin e personave të zhdukur, pavarësisht nga rrethanat e zhdukjes së tyre, prejardhja e tyre etnike, fetare apo kombëtare apo çfarëdo veçorie tjetër dhe ta përmbushin të drejtën e familjeve dhe të dashurve të tyre që ta dinë të vërtetën.