Lajme

Intervistë me Shefin e Misionit EULEX për Kosovo Online

26 mars

Më 26 mars 2024, Kosovo Online publikoi një intervistë me shkrim me Shefin e Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, në të cilën ai adresoi një mori temash gjithëpërfshirëse, përfshirë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin e Manastirit të Deçanit, mandatin e EULEX-it, situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO/KFOR dhe Policinë e Kosovës.

Gjatë intervistës, Shefi i Misionit Barbano e përshëndeti zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 për rastin e Manastirit të Deçanit si një hap përpara, që është vonuar shumë për aplikimin e sundimit të ligjit në Kosovë. "Në bazë të parimit të sigurisë juridike, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë detyruese për të gjithë personat dhe institucionet pa përjashtim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ligjore evropiane", kujtoi ai.

Kur u pyet për t’i komentuar incidentet e fundit të sigurisë në veri të Kosovës, përfshirë ngjarjet e dhunshme në Zveçan dhe në Banjskë, Shefi i Misionit Barbano konfirmoi se incidentet e tilla kontribuojnë në brishtësinë e situatës, veçanërisht në veri të Kosovës, e që në anën tjetër ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të popullatës.

Duke theksuar rëndësinë që të gjitha komunitetet të jetojnë në një mjedis të sigurt, Shefi i Misionit Barbano deklaroi: “Si Mision, nga njëra anë ne jemi vigjilentë dhe qëndrojmë të gatshëm për ta mbështetur sigurinë e Kosovës dhe mirëqenien e popullatës lokale; ndërsa nga ana tjetër ne jemi gjithashtu të përkushtuar që t’i mbështesim autoritetet e Kosovës, në veçanti Policinë e Kosovës, në forcimin e angazhimeve të tyre për punën policore të orientuar drejt komunitetit për ta rritur besimin e qytetarëve dhe për të vazhduar në ndërtimin e urave ndërmjet policisë dhe popullatës”.

Shefi i Misionit Barbano gjithashtu shpjegoi mandatin e EULEX-it për monitorim të fuqishëm, duke e ritheksuar rolin monitorues të fuqishëm të Misionit, i cili përqendrohet në rastet e përzgjedhura në të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale.

I pyetur për bashkëpunimin e EULEX-it me institucionet e Kosovës dhe me KFOR-in, Shefi i EULEX-it e theksoi bashkëpunimin pozitiv dhe të vazhdueshëm me institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë si parakusht për zbatimin e mandatit të Misionit, si dhe konfirmoi se EULEX-i, si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, është në koordinim të përhershëm dhe të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për sa i përket çështjeve të sigurisë.

Lexoni intervistën e plotë të Kosovo Online në gjuhën shqipe në:

Barbano: Po monitorojmë rastet e proceseve pronësore të serbëve në Kosovë, një numër i madh çështjesh kthehen për rigjykim nga Gjykata e Apelit - Kosovo Online (kosovo-online.com)