Lajme

Intervistë me Shefin e Misionit EULEX për KALLXO

23 gusht

Më 23 gusht 2024, Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e dha një intervistë me shkrim për portalin e mediave në gjuhën shqipe KALLXO.com. Intervista u përqendrua në situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe, veçanërisht, në diskutimet në vazhdim lidhur me hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

Kur u pyet për situatën e sigurisë, Barbano konfirmoi se: "Situata në veri të Kosovës, aktualisht, është e qëndrueshme dhe e qetë, por mbetet e brishtë", duke e theksuar rëndësinë e vazhdimit të koordinimit midis palëve të ndryshme të interesuara. "Është e vërtetë se disa hapa të ndërmarrë kohët e fundit nga autoritetet e Kosovës pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord - siç është mbyllja e nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës - mund të rrisin tensionet, duke e minuar situatën tashmë të brishtë të sigurisë, por gjithashtu duke ndikuar negativisht në kohezionin shoqëror të Kosovës dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, si dhe do të ndikojnë më tej negativisht në kushtet e jetesës së qytetarëve", tha ai.

Shefi i Misionit Barbano konfirmoi që Misioni, në përputhje me mandatin e tij, vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë, përfshirë mirëqenien e të gjitha komuniteteve. Duke folur më tej për mandatin e EULEX-it për monitorim të fuqishëm, Barbano shpjegoi se si Misioni është i përkushtuar që t’i mbështesë autoritetet e Kosovës në forcimin e angazhimeve të tyre për punën policore të orientuar drejt komunitetit për ta rritur besimin e qytetarëve. "Për këtë qëllim, monitorimi në terren si një palë e paanshme, përkitazi me prezencën dhe sjelljen e autoriteteve të Kosovës për ta vlerësuar respektimin e sundimit të ligjit dhe detyrimeve për të drejtat e njeriut nga ana e tyre, me një angazhim të qartë kundër çdo forme të abuzimit ose diskriminimit të drejtave të njeriut, është një komponent thelbësor i mandatit tonë”, shtoi ai.

I pyetur në lidhje me rolin patrullues të EULEX-it, veçanërisht në afërsi të urës, Barbano kujtoi se prioriteti parësor i EULEX-it është siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë, dhe se Misioni vazhdon të jetë vigjilent. "Për të pasur pasqyrë të qartë rreth situatës, Njësia jonë Policore e Specializuar është duke kryer patrullime mobile të rregullta të vëzhgimit me orar 24/7, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, në përputhje me mekanizmin e sigurisë së Kosovës me tre nivele, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë”, theksoi Barbano.

Intervistën e plotë në gjuhën shqipe mund ta gjeni në: Shefi i EULEX-it: Hapat e pakoordinuar mund të minojnë situatën e brishtë në veri (kallxo.com)