02 tetor
Më 24 shtator 2024, në Drenas u mbajt takimi i dytë informues i vitit 2024 me familjarët e personave të zhdukur të ndërlidhur me konfliktin në Kosovë, i organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Instituti për Mjekësinë Ligjore (IML), në bashkëpunim me OJQ-në Qendra Burimore për Persona të Zhdukur (QBPZH) ku mori pjesë edhe një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, Shefja e Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it, Luisa Marinho, Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të IML-së, Ditor Haliti, së bashku me Këshilltaren për të Drejtat e Njeriut të EULEX-it, Valentina Vitali dhe Drejtorin Ekzekutiv të QBPZH-së, Bajram Qerkinaj, diskutuan me familjarë për aspektet e ndryshme të punës së vazhdueshme të IML-së dhe EULEX-it për personat e zhdukur, duke iu përgjigjur shumë pyetjeve dhe duke dhënë detaje rreth elementeve dhe protokolleve të procesit të kërkimit dhe identifikimit të afërmve të tyre të zhdukur.