17 dhjetor
Më 22 nëntor 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) iu bashkua Fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave me një video nxitëse, duke shfaqur pjesëtarët e Misionit dhe partnerin e tij zbatues Assist Kosovo duke u përgatitur për ta rritur vetëdijesimin për të gjitha format e dhunës në baza gjinore (DHBGJ) dhe t’i shtojnë zërat e tyre në fushatën në kuadër të iniciativës "Ngushtimi i lakut’ (Tightening the Knot).
Më 25 nëntor 2024, Zëvendës Shefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, iu bashkua familjes së BE-së në Kosovë në mbështetje të fushatës digjitale që bën thirrje për ta thyer heshtjen dhe për t'i dhënë fund dhunës në baza gjinore.
Para dite, Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, mori pjesë në diskutimin “Thyerja e heshtjes: zërat fuqizues nga Italia dhe Kosova kundër dhunës ndaj grave” organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë me pjesëmarrjen e ish-Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, Ministres së Drejtësisë të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe të Ambasadorit të Italisë, Antonello De Riu.
Në mbrëmjen e 25 nëntorit, Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, krahas institucioneve, bashkësisë ndërkombëtare dhe shoqërisë civile, mori pjesë në nisjen zyrtare të fushatës në Kosovë të organizuar nga Ministrja e Drejtësisë.
Në mbështetje të fushatës, Shefi i Misionit regjistroi një audio-mesazh të fuqishëm për aktivitetet e Radio KFOR -it gjatë fushatës 16 Ditë të Aktivizmit: “Femicidi është një krim brutal dhe i tmerrshëm; ai e shuan jetën, zërat, ëndrrat dhe të ardhmen. Ai i ka rrënjët në pabarazinë e thellë gjinore dhe normat kulturore që e pranojnë dhunën. Si Misioni EULEX, ne jemi të përkushtuar t’i mbështesim institucionet e Kosovës në parandalimin e femicidit, sigurimin e drejtësisë dhe dhënien fund dhunës ndaj grave. Bashkohuni me ne në këtë luftë jetike. Së bashku, ne mund ta bëjmë ndryshimin! "
Mesazhi radiofonik u transmetua në shqip dhe serbisht dhe u shpërnda nëpër kanalet e mediave sociale të EULEX-it.
Më 26 nëntor , Komuna e Lipjanit e lansoi një video si pjesë e fushatës së saj vetëdijësuese kundër dhunës në baza gjinore. Në video paraqiten përfaqësues komunalë, OJQ, Policia e Kosovës dhe institucione të tjera, të gjithë duke bërë thirrje për angazhime të përbashkëta për t'i dhënë fund dhunës në baza gjinore. Këshilltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani iu bashkua videos, duke e përsëritur përkushtimin e fortë dhe të palëkundur të EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në luftën e tyre për t'i dhënë fund të gjitha formave të dhunës.
Më 2 nëntor, për ta zgjeruar më tej shtrirjen e fushatës, Shefi i EULEX-it dhe Ministrja e Drejtësisë përuruan një autobus të transportit publik të linjës 4 në Prishtinë, të mbështjellë me një thirrje për të mbijetuarit e dhunës në baza gjinore, si dhe të gjithë qytetarët, që ta denoncojnë DHBGJ-në dhe dhunën në familje në polici përmes numrit 192.
Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian në Kosovë dhe OJQ-në Assist Kosovo, më 3 dhjetor, EULEX-i i bëri bashkë në Shtëpinë e Evropës Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ambasadorin e BE-së në Kosovë, Aivo Orav, si dhe përfaqësues nga bashkësia ndërkombëtare dhe shoqëria civile për të diskutuar se si të trajtohet çështja shqetësuese në rritje e mizogjinisë në internet dhe dhunës dixhitale.
Forumin e hapi Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, i cili tha: "Ndërsa bashkojmë forcat për t’i fuqizuar gratë dhe vajzat me njohuritë për ta mbrojtur veten e tyre në internet, ne duhet gjithashtu t'i përqendrojmë përpjekjet tona në nxitjen e një kulture respekti, pa dhunë në baza gjinore si në hapësirat dixhitale ashtu edhe në ato fizike, duke siguruar llogaridhënien e autorëve”. Ai përsëriti edhe angazhimin e palëkundur të Misionit për të punuar së bashku me institucionet dhe shoqërinë e Kosovës për ta forcuar parandalimin, mbrojtjen dhe ndjekjen penale në rastet e dhunës në baza gjinore.
Diskutimi u pasurua me prezantimin e ekspertes dhe përfaqësueses kosovare të Women in Tech, Teuta Sahatqja mbi “Inteligjencën Artificiale dhe paragjykimet e saj ndaj grave dhe vajzave”, ku morën pjesë edhe Visare Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Assist Kosovo, Fadil Abdyli, Shefi i Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë së Kosovës, gazetari Florent Zeqaj dhe Lumnije Demi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë së Informacionit dhe Privatësisë.
Më 4 dhjetor , së bashku me Assist Kosovo u organizua një tryezë diskutimi e nivelit të lartë, me fokus në politikat dhe avokimin, zbatimin dhe rrugën përpara në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Ky aktivitet, i cili ishte i hapur për media, mblodhi së bashku Ministren e Drejtësisë, përfaqësues të Policisë së Kosovës, prokurorisë, gjyqësorit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, zyrat e mbrojtjes dhe ndihmës së viktimave, strehimoreve dhe shoqërisë civile.
Gjatë këtij diskutimi, të drejtuar nga Zëvendës Shefja e Misionit, Emily Rakhorst dhe i hapur nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Drejtori i Divizionit të Policisë së Kosovës për Siguri Publike, Nënkolonel Arbnesh Ajvazi, dhe nga Këshilltarja Juridike në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës Suzana Krasniqi, pjesëmarrësit e theksuan gjendjen aktuale të politikave dhe kornizave legjislative, rëndësinë e iniciativave të vazhdueshme për ngritjen e vetëdijesimit, si dhe hapat e nevojshëm për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Në fjalën e saj kryesore, Zëvendës Shefja e Misionit të EULEX-it kujtoi se të mbijetuarit kanë nevojë për mbështetje gjithëpërfshirëse që nga momenti kur ata abuzohen fillimisht e deri në momentin kur ata arrijnë sigurinë. "Ata meritojnë një sistem që u sjell atyre drejtësi, dinjitet dhe një të ardhme pa dhunë", theksoi Rakhorst.
Përfundimisht, më 9 dhjhetor, Misioni në bashkëpunim me BE-në në Kosovë dhe Assist Kosovo, organizoi një forum të mbajtur në Shtëpinë e Evropës për të diskutuar për ndikimin negativ të dhunës ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje, duke çuar në nënpërfaqësim të zërit të grave.
Gjatë këtij aktivitet u bë një prezantim nga gazetarja Ardiana Thaqi, si dhe një diskutim me Jelena Bulatovic, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës për Komunitetet Minoritare, Shqipe Krasniqi, Zyrtare e Lartë në Kuvendin e Kosovës, Florent Zeqaj, gazetar dhe aktivist politik.
Në fjalën e saj hapëse, Zëvendës Shefja e Misionit, Emily Rakhorst vuri në dukje se: “Përfshirja e grave në vendimmarrje nuk është vetëm çështje barazie, ajo është e domosdoshme për të arritur një qeverisje efektive dhe paqe të qëndrueshme”, duke e theksuar nevojën për korniza ligje më të forta, mekanizma më të mirë mbështetës dhe një qasje gjithëpërfshirëse për trajtimin e dhunës ndaj grave në pozita udhëheqëse, duke siguruar që gratë të mund të marrin pjesë në politikë pa frikë dhe dhunë.
Të gjitha aktivitetet ishin pjesë e mbështetjes së palëkundur të EULEX-it për institucionet e Kosovës në këtë luftë jetike, veçanërisht përmes kontributit të tij në përafrimin e sistemit të drejtësisë të Kosovës me kriteret e Konventës së Stambollit.